“Rama është zari i të tjerëve”, Kocaqi hedh dyshime te kryeministri për idenë e shtetit bektashi

Elena Kocaqi, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN për të diskutuar për idenë e krijimit të shtetit bektashi të hedhur nga kryeministri Rama, reagoi pasi botuesi Nikoll Lesi u shpreh se, sipas një deputeti të PD-së, kjo mund të bëhet pa prekur kushtetutën. Ajo tha se nuk bëhet dot, sepse shkon në burg dhe e etiketoi Ramën një zar që vepron për llogari të të tjerëve.

“Thuaji atij të mazhorancës se do të shkosh në burg, se asgjë nuk bëhet pa prekur kushtetutën. Kushtetura ka një nen që as populli nuk e lejon që të ndryshohet, po këtyre u ka hipur vetja aq në qejf, se kur rri 35 vjet në pushtet shkallon dhe prandaj këta mendojnë se janë shteti, territori, populli. Nuk ka shans, zero.

Rama është në funksion të çdo individi nga jashtë që kërkon privilegje. Rama nuk ka politikë të jashtme në funksion të Shqipërisë, por vetëm të karrikes së tij, që nuk kanë lidhje me realitin gjeopolitik. Të gjitha dështojnë, sepse interesat ndërkombëtare nuk të lejojnë të bësh ç’të duash. Por mendoj se prapa Ramës ka një faktor të jashtëm. Rama është zari i të tjerëve”- tha Kocaqi.