Veprimi sho kues i 14-vjeçarit ρasi ν*αυ bashkëmoshatarin e tij Martin Cani me th ikë në zemër! Fjalët e fundit të vi ktimës që kërkonte nënën e tij!

Lule dhe qirinj në tavolinën e klasës, qirinj vë vendin ku iu mor jeta brutalisht nga një bashkëmoshatar, kurora të shumta me lule dhe mesazhe rrëqethëse përcollën në ditën e fundit Martinin, nxënësin e klasës së 9-të të shkollës “Fan Noli”, futbollistin e moshave ‘U 15’ dhe djalin e qetë për ata që e njohën në rrugëtimin e tyre.

Martinit iu dha dje lamtumira nga shokët e klasës, nga nxënës të shkollës dhe nga bashkëmoshatarë me të cilët ndante fushat e gjelbra në emër të ëndrrës së madhe të bëhej futbollist. Por, ende nuk ka një motiv të saktë se përse ka ndodhur krimi, se kur ka nisur konflikti, se cilët janë fëmijët e tjerë të përfshirë në sherr përveç të M.P., 14-vjeçarit që është vënë në pranga si autori i vrasjes së Martinit.

Policia justifikohet me një takim që sipas saj, oficerja e sigurisë së shkollës ka bërë me dy fëmijët, mësuesit ‘qajnë’ indiferencën, ndërkohë kalimtarët e shumtë kureshtarë që nuk zbritën nga mjetet e tyre t’i ndanin fëmijët apo t’i jepnin ndihmë Martinit, tashmë mbajnë vetëm imazhet e tmerrshme të asaj ngjarjeje të përgjakshme. Autori, një tjetër nxënës i asaj shkolle, është shfaqur dje me imazhe tronditëse, foto nga ku demonstron armën e krimit dhe një kërcënim si mesazh.

Fëmijë të tjerë, që kërkojnë protagonizëm kërcënojnë palët kundërshtare me fjalor të rriturish, ndërsa policia dhe prokuroria kanë ende punë të zbardhin tërësisht ngjarjen ku një fëmijë, sapo del nga shkolla, vritet nga një tjetër nxënës i po asaj shkolle.

ARRESTIMI

Adoleshenti me iniciale M.P., e cili dyshohet goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani, pas një sherri mes tyre pak metra larg shkollës “Fan Noli”, ka publikuar në “SnapChat” foto pas krimit. 14-vjeçari është arrestuar nën akuzën “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën ‘Qemal Stafa’, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale ‘Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal. Ky shtetas, ditën e ngjarjes, në afërsi të shkollës ‘Fan Noli’, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, raportuan uniformat blu.

DËSHMITË

Në vendin e ngjarjes personi i parë që ka shkuar, që e ka dëshmuar vetë ditën e djeshme ka qenë një farmaciste, e cila ka treguar momentet e frikshme me të cilat është përballur.

Sipas saj: “Ka qenë një ngjarje horror do them me pak fjalë, ishte një ngjarje në katër minuta që është zhvilluar gjithçka. Unë kam qenë në makinë e parkuar dhe shikoj një tufë me nxënës që po dilnin dhe mendova në fillim që mbaruan orën e mësimit, ditën e mësimit, sepse ishte ora 13:00 e drekës dhe vetëm kur shikoj që po dilnin qytetarët nga bizneset aty afër, e kuptova që diçka kishte ndodhur.

Kam dalë nga makina as për 30 sekonda dhe eci dhe 10 metra më poshtë, shikoj një person i cili ishte përtokë i gjakosur. Një djalë u afrua, mori një bluzë ose diçka një rrobë dhe ia ka vendosur në kraharor, direkt në gjoks dhe kam kontaktuar ambulancën, që u përgjigj në sekondë, më ka thënë zonjë na thuaj vendngjarjen i thashë një fëmijë ashtë aksidentuar, sepse për momentin nuk dija çfarë ndodhi. Thashë një motor ose një makinë thjesht e ka përplasur. Afrohet një djalë dhe më thotë që është i therur me thikë. Marr policinë sepse ishte tragjike.

Djali ishte me shenja jete. Unë mbasi mbarova telefonatën me policinë, jam ulur te djali e kam prekur, sytë e tij herë përqendroheshin tek neve që ishim mbi kokën e tij dhe herë nuk dukeshin më, u bë blu e kuptova që diçka nuk po shkonte, kishte marrë plagë shumë të thellë dhe i mata pulsin, pulsi i rrihte, po jo e një zemre normale, kuptohej që diçka nuk po shkonte. Ishte i ngrohtë akoma dhe lëvizte kokën, por nuk fliste, nuk reagonte, nuk rënkonte asnjë lloj gjëje. Ka ardhur zonja, e kemi marrë në makinë, nuk prisnim dot më për ambulancën edhe pse ishin vetëm katër minuta që nga ngjarja dhe e kemi vendosur në pjesën e pasme të makinës së zonjës dhe unë kam ecur para me makinën”.

Ndërsa gruaja që e ka nisur në drejtim të spitalit ka treguar dje se askush nuk e ndihmonte, por ajo e mori djalin dhe rrugës i ka folur në emër të nënës së tij.

“Djali kërkonte vetëm nënën – thotë ajo, – ndërsa pas disa çastesh ajo ka mbërritur në Spitalin e Traumës, ku ka takuar nënën e Martinit. Ajo i ka dhënë këpucët e të birit dhe i ka thënë gruas se isha unë nëna e tij, nuk e lashë të vdiste në asfalt.

HETIMET

Janë një sërë personash që kanë qenë në dijeni të sherrit midis fëmijëve, sherr që thuhet se ka nisur që të premten. Oficerja e sigurisë ka dhënë versionin e saj për policinë, fëmijët, shokë të viktimës dhe të autorit po ashtu versionet e tyre, ndërkohë që ditën e djeshme është një dëshmi e shoferit të shkollës, i cili në fakt tregon diçka krejt tjetër. Ai thotë se Martinit ditën e premte i ka bërtitur një burrë dhe nëse hapen kamerat, zbulohet se kush është ai person. Shoferi i cili e ka marrë disa herë në mjetin e tij të transportit Martinin ka dëshmuar se ai nuk ishte problematik, çka e kanë dëshmuar edhe mësuesit e marrë në pyetje paraprakisht.

Por ende nuk dihet se cili ka qenë ai person që ka kërcënuar Martinin dhe ende nuk bëhet me dije se prej sa kohësh kishte përplasje mes fëmijëve. Ajo që dihet dhe e ka dëshmuar edhe Luisi, shoku i Martinit, i cili ka marrë plagë të rënda, është se ai është thirrur në telefon nga Martini, pikërisht për shkak të sherrit që Martini ka pasur me M.P.. Luisi ka ardhur në shkollën “Fan Noli” dhe e ka pritur jashtë Martinin derisa ka dalë dhe pas tij kanë dalë edhe grupi i atij, që tashmë konsiderohet autor i krimit të rëndë.

Grupi hetimor do të marrë dëshminë e të plagosurit, të autorit, do të hapë kamerat e vendit të ngjarjes, do të hapen bisedat në telefonat e të gjithë personave të përfshirë në krim, ndërkohë që do të verifikohen edhe llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

SHERRI

Sherri ka qenë ende i ndezur, pasi siç bëhet me dije, Martin Cani i ndjerë i frikësuar se situata do të degradonte pasi të mbaronte mësimi, thirri pas shkolle mikun e tij të ekipit U-15 të Dinamos, ku luanin të dy bashku. Por ata janë sulmuar sapo kanë hyrë në një rrugicë dhe në përleshje e sipër M.P., ka nxjerrë thikën që mbante me vete duke i goditur të dy djemtë.

Autori më pas u largua me vrap drejt Pazarit të Ri, derisa të njohur të tij e çuan një makinë në një spital privat për mjekim. Rrugës, 14-vjeçari që kishte lëshuar të paktën 6 goditje me thikë ndaj 2 bashkëmoshatarëve të tij, gjeti kohën të postojë në rrjetet sociale një foto të tijën në sediljen e pasme të makinës me dorën e fashuar. I mituri u arrestua në ambientet e spitalit privat për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.