Në të njëjtën ditë që Gjykata e Posaçme firmoste lirimin e Sali Berishës, në Komisionin Xhafaj zbarkoi Edi Rama, i cili nuk i kurseu mesazhet për institucionet e drejtësisë.
Në mbështetje të këtij komisioni, që nuk i ka fshehur ambiciet për të vënë nën kontroll institucionet e drejtësisë dhe kryesisht SPAK, kryeministri deklaroi se “Kuvendi bëhet një udhëkryq ku të gjitha forcat që veprojnë dhe ndërveprojnë në emër të shtetit pikëtakohen dhe të gjitha këto forca mund të japin llogari sepse mund t’ju kërkohet llogari.”
Kryeministri, për herë të parë, ka artikuluar tezën e vartësit të tij, Fatmir Xhafaj, se “Nëse përparon qeveria dhe jo një x institucion, strukturë që nuk është nën urdhrat e qeverisë, cili është instrumenti që ky institucion të vihet përballë përgjegjësisë publike dhe patriotike për të dhënë llogari.”
Thënë ndryshe, për herë të parë, drejtuesi i mazhorancës është shprehur qartë dhe pa ekuivok se SPAK (dhe institucionet e tjera të drejtësisë) duhet të japin llogari në Komisionin Xhafaj.
Është e paqartë se kujt i referohet Edi Rama kur citon “përgjegjësi patriotike,” ndërsa veprimet e fundit të SPAK, ndalimet apo hetimet e tij, kanë shkuar shumë afër zyrës së kryeministrit.
Sigurisht, përtej mbështetjes publike për drejtësinë e re, Edi Rama duket i shqetësuar për mungesën e kontrollit në pjesën dërrmuese të Prokurorisë së Posaçme, lëvizjet e së cilës tashmë duket të jenë akti i vetëm i vërtetë për luftën kundër korrupsionit qeveritar.
Sa për vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin që prodhon ajo vetë, ky është një fakt kaq i prekshëm dhe i dukshëm për publikun, sa komentet janë të tepërta.
Sikurse, “rastësia” e lirimit të Sali Berishës dhe deklaratat për kontroll të SPAK nga Rama në të njëjtën ditë mund të jenë shenja të qarta se të shqetësuarit nga Prokuroria e Posaçme mund të mos jenë shumë larg aleancës anti-SPAK./VNA