Ukraina në BE, Von der Layen vlerëson reformat: Jam e impresionuar, pranimi mund të bëhet para vitit 2030

Presidentja e Komisionit Evropian Von der Layen është shprehur se Ukraina mund të hyjë në Bashkimin Evropian para vitit 2030.

Gjatë fjalës së saj në samitin e Sigurisë që po mbahet në Kiev, në 3-vjetorin e nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, Von der Layen tha se Ukraina është “një shembull i meritës, cilësisë dhe shpejtësisë” në procesin e reformës.

“Jam thellësisht e impresionuar nga shpejtësia dhe cilësia me të cilën Ukraina po zbaton reformat dhe po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm”, nënvizoi von der Leyen, duke vlerësuar disa herë “punën e palodhur” të kryer nga Kievi “gjatë një lufte për mbijetesë” dhe “vullnetin e tij politik”.

Udhëheqësit e BE-së janë në Kiev për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën, në përvjetorin e tretë të pushtimit rus.

Gjatë vizitës së lidërve evropianë, alarmi ajror ra në të gjithë vendin për shkak të kërcënimit të një sulmi raketash ruse.

Në deklaratën e përbashkët të tre institucioneve evropiane, Putin akuzohet se është “i vetmi përgjegjës për konfliktin” dhe për këtë arsye ai duhet të “përgjigjet për krimet e kryera”.

Më 24 shkurt 2022, Moska filloi një sulm të fuqishëm në frontin ukrainas, duke njoftuar një “operacion special ushtarak” kundër Kievit.