Gazetarja Klodiana Lala ishte e ftuar këtë të premte në një studio ku zbuloi detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur në Shkodër, ku u vranë Arlind Bushati, Hamza Lici dhe kalimtarja Flutura Basha. Lala zbuloi se tashmë është e sigurt që në makinën me viktimat ka qenë dhe një person i tretë, i cili nuk është identifikuar ende.
Gazetarja tha se nga një video e publikuar pak minuta pas atentatit, shihet një person i tretë, me duar me gjak, i cili ndodhet pranë viktimave. Ajo theksoi se personi në fjalë ka ngjashmëri me Ibrahim Licin, por identiteti i tij nuk është konfirmuar ende nga prokuroria.
“Qarkullon një video vetëm pak minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Duhet thënë që është një video tronditëse; makina është shoshitur nga plumbat, trupat e pajetë janë aty në mes të rrugës. Është trishtuese në fakt që në Shqipëri, që pret të hyjë në Europë, të shohësh ngjarje të tilla. Në informacionet që unë kam marrë nga prokuroria, ka një ngjashmëri në pamje të parë, por unë nuk e kam të konfirmuar zyrtarisht që është Ibrahim Lici. Ama di të them me siguri të plotë që brenda automjetit me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin ka qenë dhe një person i tretë. Prokuroria e Shkodrës duhet të na thotë kush është ky person i tretë. Pasi me identifikimin e emrit të personit të tretë mund të kemi një panoramë tjetër të ngjarjes. Mund të ketë qenë personi i tretë shënjestra kryesore e atentatit,” tha Lala.
Gazetarja zbuloi gjithashtu se familja Lici nuk i hapi dyert e mortit, por e zhvilloi ceremoninë mortore vetëm me rrethin e ngushtë familjar.
“Duket në pamje të parë që është Ibrahim Lici, por prokuroria e Shkodrës nuk ma ka konfirmuar që është i njëjti. Më duhet një konfirmim zyrtar që të them se është i njëjti. Ajo që më bëri përshtypje është se familja Lici nuk i ka hapur dyert e mortit, pra nuk i ka pritur njerëzit, përveç rrethit të ngushtë familjar. Si askund më parë, Shkodra ka qenë e blinduar dhe ata nuk kanë reaguar për këtë ngjarje; ata duan të kuptojnë se nga ka ardhur kjo përplasje. Pavarësisht se përplasjet me Bajrat i kanë të hapura, mund të jenë dhe segmente të tjera të interesuara për të përplasur këto dy grupime,” tha gazetarja.