Një tjetër parti largohet nga koalicioni me PD!

Partia Aleanca Arbnore Kombëtare ka vendosur që të tërhiqet nga koalicioni me Partinë Demokratike.

Kryetari i kësaj force politike, Gjet Ndoj ka marrë vendimin për të dalë nga koalicioni që udhëhiqet nga Sali Berisha.

Si duket i zhgënjyer nga listat me emrat e kandidatëve për deputetë, Ndoj ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se Aleanca Arbnore Kombëtare AAK, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Duke ngritur akuza kundrejt opozitarëve, kreu i AAK thotë se nuk ekziston akoma e djathta ku njerëzit të besonin pa frikë.

“Nga mosfunksionimi i marrëdhënies në koalicion “Për një Shqipëri Madhështore”, Aleanca Arbnore Kombëtare tërhiqet nga ky koalicion. Gjithashtu tërhiqet nga të gjitha aktivitetet elektorale për zgjedhjet parlamentare të majit 2025. E bëjmë këtë kërkesë-deklaratë për tu çliruar nga çdo detyrim që rrjedh nga pjesëmarrja në zgjedhje”, thuhet në kërkesën e bërë me shkrim dore të partisë Aleanca Arbnore Kombëtare.

Ditën e djeshme, është tërhequr nga koalicioni me Berishën edhe Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian me kryetar Vasil Sterjovski.