FSHF i la pa bileta, “Tifozat KuqeZi” i ankohen kapitenit, Gjimshiti iu premton se do ndërhyjë për zgjidhje (VIDEO)

Në një video që po qarkullon në rrjet, shihet se pas ndeshjes me Anglinë në Wembley, anëtarë të grupimit “Tifozat KuqeZi”, të cilët akuzojnë FSHF se i ka lënë pa bileta për sfidën me Andorrën në “Arenën Kombëtare”, i janë ankuar kapitenit të kombëtares, Berat Gjimshiti për situatën e krijuar.

Ultrasit, të cilët prej 21 vitesh i kanë qëndruar përkrah Kombëtares, dëgjohet t’i kërkojnë Gjimshitit që të ndërhyjë për të ndryshuar vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Gjimshiti i pyet nëse kjo ka ndodhur vetëm për ndeshjet në transfertë apo edhe ato në Tiranë, ndërsa tifozët i kthehen duke thënë se nga sfida me Anglinë nuk kanë më mundësi të prenotojnë më biletat për grupin TKZ.

Pas kësaj, kapiteni kuqezi u premton tifozëve se do të flasë me Federatën.

“Tifozat KuqeZi” pretendojnë se federata nuk iu rezervon më bileta, sepse ata kanë dalë publikisht kundër zhvillimit të Evropianit U-21 me Serbinë.