Vazhdojnë ende aktive vatrat e gripit të shpendëve, e njohur si sëmundja e Influencës Aviare, tipi H5N1, të konstatuara nga shërbimi veterinar në Qarkun e Durrësit.
Më konkretisht bëhet fjalë për dy vatra në pularitë e kompanisë “Rea’s” sh.p.k., si dhe tek kompania “AIBA” në pronësi të Armand Dukës.
Ministria e Bujqësisë përmes një komunikate për mediat bën me dije se deri më tani në pularitë e këtyre dy kompanive janë konstatura të ngordhur 497 986 pula.
Autoritetet thonë se pulat e ngordhura janë asgjesuar përmes procesit të djegies, por pa dhënë më tepër detaje mbi vendin.
Situata me gripin e shpendëve është reflektuar menjëherë në treg, pasi është shtrenjtuar çmimi i vezëve, ku një vezë ka shkuar deri në 35 lekë.
Vatra e parë me gripin e shpendëve u njoftua nga Ministria e Bujqësisë më 3 mars tek ferma Rea’s në Rrashbull të Durrësit, dhe më 13 mars u infektua edhe ferma e AIBA-s në pronësi të Xhafzotaj.
Siguria ushqimore në alarm
Siguria ushqimore në vendin tonë është në pikën alarmante.
Megjithëse ka detyrë për të mbrojtur konsumatorin, AKU është kthyer në një “shoqatë taksidarësh” të cilët mbyllin sytë sa herë që mbushin “xhepat” me para korrupsioni nga kompanitë që janë kapur në shkelje.
Jo vetëm mishi i pulës me bakterin e rrezikshëm të salmonelës, por tashmë edhe vezët janë kthyer në një “makth” për qytetarët të cilët janë lënë në “mëshirë të fatit” pasi asnjë institucion nuk funksionon në interes të konsumatorit.
Të braktisur nga të gjithë, tashmë shqiptarët duhet të mbrojnë veten e tyre duke qëndruar vigjilent pasi këto vezë të infektuara të këtyre subjekteve (Rea’s dhe AIBA) mund të kenë futur në treg duke rrezikuar shëndetin publik. /Boldnews.al