Trump pezullon tarifat me gjithë botën për 90 ditë, por ia rrit Kinës me 125%

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një pauzë 90-ditore të tarifave që hyjnë menjëherë në fuqi.

Trump ka njoftuar se pauza do të prekë të gjitha vendet e botës me përjashtim të Kinës, shtet të cilit ia rriti edhe më tepër tarifat në vlerën 125%.

“Unë kam autorizuar një PAUZË 90 ditore dhe një tarifë reciproke të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%, gjithashtu në fuqi menjëherë.

Trump thotë gjithashtu se do të rrisë tarifat ndaj Kinës në 125%, vendim që gjithashtu hyn në fuqi menjëherë, duke përmendur “mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore”.

Deklarata e plotë e Donald Trump në platformën e tij Truth Social, në të cilën ai ka njoftuar një pauzë 90-ditore të tarifave, përveç Kinës:

“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, unë po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, në fuqi menjëherë. Në një moment, shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do të kuptojë se ditët e zhvatjes së SHBA-së dhe vendeve të tjera, nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme.

Anasjelltas, dhe bazuar në faktin se më shumë se 75 vende kanë thirrur Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Departamentet e Tregtisë, Thesarit dhe USTR, për të negociuar një zgjidhje për temat që po diskutohen në lidhje me Tregtinë, Barrierat Tregtare, Tarifat, Manipulimin e Valutave, dhe Tarifat Jomonetare që sugjerojnë që këto tarifa të jenë të forta në çdo mënyrë, formë kundër Shteteve të Bashkuara, unë kam autorizuar një PAUZË 90 ditore dhe një tarifë reciproke të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%, gjithashtu në fuqi menjëherë.

Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje!”

Menjëherë pas deklaratës së Trump, bursa në SHBA ka reaguar pozitivisht ku S&P 500 po rritet me 5.6%, ndërsa Nasdaq ka kërcyer mbi 8%. Si përgjigje ndaj tarifave të Trump kur ishin në vlerën 104%, Kina u përgjigj me tarifa 84% ndaj mallrave amerikane, teksa më herët Pekini zyrtar deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo “luftë”.