Kam ardhur në atë bar-club–lounge, quajeni si të doni… Doja të shihja, të mësoja më shumë…
Tre femra të bukura, që binin shumë lehtë në sy i bashkohen atij ambjenti. Dukeshin të ishin mike me njëra-tjetrën. Mund të ishin tek të njëzetat apo më shumë. Afrohen drejt nesh, përshëndesin djaloshin, na përshëndesin edhe ne, ulen në një tavolinë më poshtë dhe fillojnë të flasin, të bisedojnë, të ngacmohen, të qeshin me njëra-tjetrën…
Dy miqtë e mi iu ngulin sytë ngultazi, pak gotat që kishin kthyer, pak këto zonjusha të ëmbla ua kishin turbulluar arsyetimin edhe gjykimin… Unë shihja me imtësi çdo lëvizje… Nuk ishin të rëndomta, ashtu siç i percepton ndonjëherë mendja e ftohtë maskiIiste e jona. Jo, përkundrazi, ishin shumë tërheqëse… të bukura…
Këmbehen disa vështrime me tavolinën e meshkujve përballë, diçka flasin, diçka shohin… ata iu ofrojnë pije, i qerasin… ato pranojnë… diçka po kurdiset… ata kuptohen me njëri-tjetrin edhe pa folur… Çuditem! Shkëmbejnë një komunikim të shkurtër, qëndrojnë me njëri-tjetrin dhe duket sikur kanë kimi mes tyre… qeshin, hargalisen…
Kaq mjafton dhe ikin… zhduken, “avullojnë brenda minutit” nga lokali.
Ai e merr me makinën luksoze dhe e shpie s’di se ku… Kaq ishte njohja… këto janë njohjet, lidhjet e kohëve moderne brenda një bari aq të zakonshëm. Kjo rutinë përsëritët përherë, po të jesh një frekuentues i rregullt, por për mua që vija për herë të parë kjo më tronditi.
Sa naiv që isha, i shkreti unë… po mos të ishte ai djalosh që na shpjegoi çdo gjë, unë s’do kisha kuptuar një hiç. Unë një djalë ende me kokën mes reve, i mësuar me rutinën shtëpi-punë, punë-shtëpi, papritur aty po zbuloja një realitet të ri… po, po një realitet që po ndodhte aty, përpara meje. Nuk po e besoja dot, ose më mirë nuk doja ta besoja, sesi këto gjëra ndodhin në një mënyrë sa të hapur aq edhe të fshehur, sa legjitimë, aq edhe të ndaluar në atë bar natë për natë.
Djaloshi më sqaronte se kjo punë bëhej në çdo club të njohur të qytetit. Ky ishte kthyer në një stil jetese, në një stil nate. Mbeta i shtangur!
E mora kaq shumë neveri këtë vend, që po më rrethonte. Një inat i brendshëm më rrëmbeu aty për aty. Po e shihja me nervozizëm gjithë atë falsitet, argëtim, nën maskat e kamufluara të mbijetesës. Ato vajza të bukura ishin studente, të ardhura nga rrethinat e Shqipërisë, jetonin në një shtëpi me qera dhe studionin këtu në Tiranë.
Ky ishte stili i tyre i jetesës. Nuk doja të paragjykoja, por kur i mendoja me ata burra 40-vjeçarë, kokërruar, një inat më kaplonte rrëmbimthi. Një inat me gjithë njerëzit që ishin aty… mora inat qytetin, këtë katrahurë të madhe marrëdhëniesh kontraktuale, i cili na ka tjetërsuar. E përçmova këtë sistem, i cili na ka mësuar çmimin e çdo gjëje, por vlerën e asgjëje. Nuk arrija dot ta imagjinoja, sesi këto çupëza të njoma ditën ishin ëngjëj dhe pas orës 12 të mesnatës shndërroheshin në djaj.
Të gjithë e pësonin këtë transformim aty… Vendi ua diktonte… normat e pashkruara, të patreguara, qartas të dakordësuara. Marrëdhënie kontraktuale në punë, marrëdhënie kontraktuale në dashuri, marrëdhënie kontraktuakle në se.ks, marrëdhënie kontraktuale në miqësi.
Fillova të u.rreja këtë shoqëri, e cila me pafytyrësinë e një “ç’më duhet mua”, e një “nuk është puna ime” apo e një “le të bëjnë ç’të duan”, legjitimon në heshtje çdo veprim, madje e miraton atë, nuk flet për të dhe vjen një ditë, padashje e harron atë… Nesër një ditë e re do agoi dhe mbase gjërat do të vazhdojnë sërisht të njëjtën rrjedhë. Edhe unë nuk bëra ndonjë gjë të madhe: vetëm pashë, vrojtova dhe u “hëngra veten me dhëmbë nga inati”, por të paktën sot vendosa të shkruaja për të.
Bëra atë çka di të bëj më mirë… të dëftej, të rrëfej për gjërat që mbase nuk kam fuqi dot t’i ndryshoj…
Nga Kujtim Xhaja