Zgjedhjet e 11 majit ‘shkundin’ PS/Të besuarit e Veliajt pa mandat, ‘veteranët’ në pritje të ‘shpërblimit’ në ekzekutiv

Pas zgjedhjeve të 11 majit, një numër figurash të njohura të Partisë Socialiste dhe politikës shqiptare nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit.

Ripërtëritja e PS-së dhe strategjia e re e Edi Ramës për të hedhur në betejë emra të rinj ka lënë jashtë një sërë veteranësh të politikës.

Figura më e spikatur që nuk arriti të sigurojë mandat është Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe deputet për plot 8 legjislatura. Majko, i renditur i 20-ti në listë, siguroi 6736 vota – të pamjaftueshme për një ulëse parlamentare.

Po ashtu, Mimi Kodheli dhe Ermonela Felaj, emra të lidhur prej vitesh me jetën parlamentare dhe qeverisëse të PS-së, nuk morën mbështetjen e nevojshme për të vijuar mandatin.

Një goditje për linjën e Erion Veliajt në parti u dha edhe përmes përjashtimit të gjithë ish-funksionarëve të Bashkisë së Tiranës, si Toni Gogu, Andi Seferi, Etjen Xhafaj, Julinda Dhame, Florian Pullazi, Plarent Ndreca dhe Klotilda Bushka.

Jashtë mbeti edhe ish-sekretari i grupit parlamentar, Arben Pëllumbi, si dhe Blerina Gjylameti, e cila humbi me një diferencë të ngushtë ndaj Olta Xhaçkës – që fitoi mandatin me rreth 100 vota më shumë.

Ndërkohë, votuesit socialistë refuzuan edhe disa figura që ishin afruar kohët e fundit nga partitë e tjera, si Halit Valteri, Blendi Sulaj dhe Endrit Brahimllari, të cilët nuk arritën të kalojnë kuotën prej 2500 votash.

Tashmë, për shumë prej këtyre figurave që nuk siguruan mandat, mbetet të shihet nëse do të përfshihen në ekzekutiv. Vendimet për qeverinë e re pritet të merren në korrik, ku në lojë janë pozicionet e niveleve të treta si një formë shpërblimi për “besnikërinë e vonuar” ndaj lidershipit aktual të PS-së.