Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se ai gëzon më shumë respekt në Evropë sesa çdo lider tjetër në rajon. Sipas tij, ai respektohet më shumë edhe se ata liderë që pretendojnë se kanë përparuar më shumë në rrugën drejt integrimit evropian.
Vlen të theksohet se Shqipëria është përmendur për përparimin e madh në këtë aspekt teksa kryeministri Edi Rama synon anëtarësimin në 2030-ën.
Vuçiçi tha më tej se ndryshe nga vendet e tjera, Serbia nuk e ka problem çështjen e Kosovës dhe qasjen që mban ndaj Rusisë. Ai ka shtuar se respektohet nga evropianët edhe pse, siç tha, “nganjëherë nuk e ka të qartë se çka bëjnë”.
“Ata më respektojnë shumë dhe prandaj po shtyjmë përpara agjendën evropiane dhe po bëjmë gjithçka që është e mundshme. Por e di se ka kufizime të caktuara, i di vështirësitë me të cilat përballemi, që janë të natyrës shumë objektive, dhe këto lidhen me pavarësinë e Kosovës, të cilën unë nuk dua ta njoh, dhe për prishjen e raporteve tradicionale me Republikën Popullore të Kinës dhe Federatën Ruse, në të cilën unë s’dua të jem pjesë”, ka thënë Vuçiç për “TV Pink”.
Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiç ka pohuar se populli serb në Kosovë “e di se sa shumë i mbështet”.
Ai është zotuar se “edhe nëse mbyllen të gjitha dyqanet, edhe institucionet, prapë do të gjenden rrugë për t’u dhënë paga e përfitime të tjera”.