IShowSpeed takon Ramën dhe Dukën në Munich: Më mungon Shqipëria, do kthehem këtë verë (Video)

Youtuberi i famshëm IShowSpeed, i njohur edhe si Darren Jason Watkins ose Speed, u takua përsëri me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili ishte në praninë e presidentit të FSHF, Armando Duka në Festivalin e Kampionëve të UEFA-s, në Parkun Olimpik të Munich-ut.

“Hej, më mungon Shqipëria, duhet të kthehem. Pra, këtë verë do të kthehem. Je gati për këtë?”, pyeti Speed-i – Ramën i cili iu përgjigj se ky ishte një lajm fantastik.

Pas takimit të përzemërt, youtuber-i u kthye nga kamera dhe përshëndeti shqiptarët duke bërë shqiponjën dykrenare me duar.

Speed ​​do të stërvitet me të dyja ekipet, Paris Saint-Germain (PSG) dhe Inter Milan, ndërsa do të drejtojë transmetimin në kohë reale.

Ai e nisi rrugëtimin e tij në YouTube me përmbajtje lojërash në vitin 2016, dhe në vitin 2022, ai u përqendrua në përmbajtje që lidhet me futbollin.

Ai është i njohur midis tifozëve të tij si një tifoz dhe mbështetës i madh i futbollistit Cristiano Ronaldo.

Më herët në mars, IShowSpeed ​​u shfaq në mbulimin e Ligës së Kampionëve të UEFA-s nga CBS Sports Golazo dhe disa ditë më vonë, ai mori pjesë në Ndeshjen Bamirëse të Sidemen 2025, e cila u mbajt në stadiumin Wembley në Londër.

Speed ​​ka mbi 39 milionë subscribers në YouTube dhe në vitin 2024, fitoi çmimin “Krijuesi më me ndikim i futbollit” nga GOAL Champions Awards.

Ai gjithashtu fitoi çmimin “Breakout Streamer” dhe “Variety Streamer” në vitet 2022 dhe 2023 nga Streamy Awards.