Zyrtari i Trump që “shkriu” zyrën kundër propagandës së Kremlinit, i martuar me mbesën e oligarkut rus të lidhur me Putin

Një zyrtar i lartë që çmontoi njësinë të dezinformimit rus të qeverisë amerikane është i martuar me një grua ruse me lidhje me Kremlinin, zbulon gazeta The Telegraph.

Darren Beattie ka shkaktuar alarm brenda Departamentit të Shtetit që kur u emërua në shkurt për pikëpamjet e tij të zjarrta pro-ruse.

Ai është njohur për përqendrimin e tij në shkatërrimin e agjencisë së ngarkuar me përballjen me propagandën e Kremlinit.

Beattie, nënsekretari në detyrë për diplomacinë publike dhe çështjet publike, është i martuar me një grua, xhaxhai i së cilës ka marrë disa role në politikën ruse dhe dikur ka marrë një mesazh personal “falënderimi” nga Vladimir Putin.

Në vitet para se t’i bashkohej qeverisë, Beattie bënte postime në mediat sociale duke sugjeruar që institucionet perëndimore duhet të “infiltrohen” nga Putini, ndërsa sulmonte atë që e përshkruante si “perandoria globale amerikane”.

Donald Trump është nën presion nga shumë në partinë e tij, veçanërisht senatorët, për të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj udhëheqësit rus, ndërsa ai vazhdon të refuzojë të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, raporton Telegraph.

Shumë nga postimet e Beattie në mediat sociale kanë të bëjnë edhe me Kinën, duke i bërë thirrje vazhdimisht SHBA-së t’ia dorëzojë Tajvanin- Pekinit dhe duke e etiketuar Britaninë si një “mbretëri të varfër dhe patetike” që do të ishte “shumë më mirë nën dominimin kinez”.

Beattie ishte anëtar i administratës së parë Trump, por pasi u shkarkua në vitin 2018 për pjesëmarrje të dyshuar në një konferencë të nacionalistëve të bardhë, ai e rishpiku veten si një figurë mediatike e “të djathtës alternative”. Burime të Departamentit të Shtetit shprehën skepticizëm nëse ai i ishte nënshtruar verifikimit të sigurisë, një proces që është zbutur nën drejtimin e zotit Trump.

Në maj të vitit 2021, të dhënat publike tregojnë se ai u martua me një grua ruse të quajtur Yulia Kirillova në një ceremoni në Qarkun Broëard, Florida.

Zonja Kirillova, e cila sipas faqes së saj në Facebook është arsimuar në Moskë përpara se të studionte jashtë vendit në Kanada dhe Uashington DC, është mbesa e Sergei Chernikov, një manjati rus i pijeve i cili zotëron një apartament bashkë me nënën e saj, Natalia.

Chernikov, pasuria neto e të cilit vlerësohej të ishte 150 milionë dollarë në vitin 2005, thuhet se mori një letër falënderimi nga Putin për ndihmën e tij në fushatën zgjedhore që e solli për herë të parë udhëheqësin rus në pushtet.

Po atë vit, Chernikov bëri hapin e tij të parë në politikë, duke marrë një rol në ministrinë e burimeve natyrore, përpara se të bëhej zëvendësguvernator i rajonit Nenets në Siberi.

Nga viti 2008 deri në vitin 2010, ai ishte anëtar i dhomës qytetare të Rusisë, e cila u themelua pas një propozimi nga Putini dhe që supozohet të ketë për qëllim të shqyrtojë aktivitetet e qeverisë ruse.

Kur u krijua dhoma, kritikët pretenduan se ajo do të kishte staf nga aleatë të Kremlinit dhe do të përdorej për të zvogëluar një bazë pushteti rivale në Dumën Shtetërore Ruse.

Si para ashtu edhe pas martesës së tij me mbesën e Chernikov, Beattie ka sulmuar vazhdimisht atë që e quajti “perandoria globale amerikane”, ndërsa vlerësoi si Rusinë ashtu edhe Kinën si kundërpesha ndaj ideologjisë së tij “woke”.

“Ngritja e konkurrentëve gjeopolitikë jo-woke (Kina) dhe anti-të woke (Rusia) ndaj Perandorisë Globaliste Amerikane nuk është një gjë e keqe”, shkroi ai në tetor të vitit 2021.

Ai tha gjithashtu se mezi priste që “prestigji dhe fuqia” e saj të shembet në skenën botërore dhe pretendoi se “pozicioni i saj (SHBA-së) në rendin global [po] përkeqësohet me shpejtësi”.

Beattie dhe “Revolver”, media që ai themeloi pasi u largua nga administrata e parë Trump, argumentojnë se SHBA-të janë përpjekur të organizojnë “revolucione me ngjyra” në të gjithë botën, një klishe e zakonshme në Rusi dhe Kinë për të shpërfillur lëvizjet pro-demokraci si përpjekje për grusht shteti të mbështetura nga Perëndimi.

Ai ka pretenduar se SHBA-të po kryejnë “operacione revolucionare me ngjyra” në Ukrainë, Hong Kong, Xinjiang dhe Myanmar, dhe se një “brigadë amerikane e revolucionit me ngjyra” po shtyn për një “luftë të përjetshme në Ukrainë”.

Dy muaj para pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, ai tha: “Imagjinoni ankesat e Perandorisë Globaliste Amerikane nëse Putini ‘pushton’ Ukrainën… Më pëlqen kur burokratët tanë të sigurisë kombëtare dështojnë!”

Ai e ka lavdëruar gjithashtu Putinin si “të guximshëm dhe të fortë” dhe ka pretenduar se udhëheqësi rus kishte “bërë më shumë për të avancuar pozicionet konservatore në SHBA sesa çdo republikan”. Ai gjithashtu deklaroi: “NATO është një kërcënim shumë më i madh për lirinë amerikane sesa ka qenë ndonjëherë Putini”.

“Gjëja qesharake është se pothuajse çdo institucion perëndimor do të përmirësohej në cilësi nëse do të infiltrohej dhe kontrollohej drejtpërdrejt nga Putini”, shkroi ai në shtator të vitit 2021.

Artikulli i The Telegraph