Përshëndetje të dashur lexues! Historia që do u shkruaj daton shumë kohë më parë. Bëhet fjalë për vitin 2002. Unë në atë kohë isha adoleshente.
Njëri nga djemtë e shkollës më ngacmonte dhe unë nuk arrita t’u rezistoj gjatë ngacmimeve të tij dhe pranova të lidhem me të…
Nga ana ime kjo lidhje nisi si lojë, por, në fakt, për të nuk ishte njësoj. Аi nga fjalët që thoshte kishte, vërtet, konsideratë shumë të lartë për mua.
Pa dëshirën time ai arriti t’më distanconte nga shoqëria dhe unë pothuajse të gjithë kohën e lirë që kisha e kaloja me të. Kaluam së bashku vitet më të bukura të gjimnazit.
Çdo ekskursion rrinim bashkë, çdo orë që kishim pushim, madje dhe pasditet i kalonim bashkë, aq sa për pak rrezikuam të mbeteshim pa shkollë.
Kur po afronte fundi i shkollës ai më kërkoi të fejoheshim. Mua më dukej shumë e çuditshme që ai, në fakt, po e mbante premtimin që kishte bërë. Si rregull unë duhet të isha e lumtur, por nuk isha.
Unë mendoja se ishim shumë të rinj për t’u fejuar, dëshirat e mia ishin më shumë se aq. Ai mendonte që ne të dy të fejoheshim dhe çdo gjë do ishte në rregull.
Si pranova të fejohem; Edhe pse kisha shumë ëndrra të tjera, përfundimi me të ishte një ndër to dhe pranova. Pasi u njoftuam me familjet tona u fejuam. Isha e lumtur, por njëkohësisht diçka më bluante për brenda. Thellë-thellë brenda meje e ndjeja që po gaboja.
Pasi kaloi një vit situata midis nesh u rëndua shumë deri në një moment që arriti në pikë kritike. Unë zbulova se ai më kishte tradhtuar. Ishte shumë e rëndë për mua në atë kohë, sepse tani e kuptoj që ka qenë krejt normale, meqë ishim të rinj dhe normalisht do gabonim.
Edhe pse e fala më dukej sikur më kishte ofenduar rëndë dhe kërkoja të hakmerresha. Doja të merrja hak, por zgjodha mënyrën e gabuar. Nuk duhej të kisha vepruar në atë mënyrë. Unë ia ktheva me të njëjtën monedhë, ai më tradhtoi dhe unë bëra të njëjtën gjë… U njoha me një djalë nëpërmjet telefonit dhe dola me të.
Ai zbuloi telefonatat dhe disa sms të harruar dhe u ndje shumë i ofenduar. Më thoshte se një femre nuk i shkon të tradhtojë, sipas tij meshkujt ishin ndryshe. Në fakt, edhe unë u pendova për veprimin që bëra, por gjithsesi në atë moshë aq logjikoja.
Ai nuk arriti të bënte të njëjtë gjë si unë, nëse unë arrita ta falja ai nuk e fali dot tradhtinë time. Nga njëra anë më mirë ashtu, sepse në atë mënyrë si po shkonin gjërat ne nuk kishim asgjë në rregull dhe situata do rëndohej gjithnjë e më shumë. Vendimi ynë për t’u fejuar ishte shumë i nxituar.
Dashuria jonë nuk arriti të piqet: Pas ndarjes jemi takuar disa herë, por asgjë nuk ndryshoi. E kuptuam se të dy ishim nxituar dhe, në fakt, dashuria jonë kishte qenë veç një ndjenjë adoleshente, e cila nuk arriti të piqet.
Tani, e që kanë kaluar shumë vite, të dy vazhdojmë të jemi ende vetëm.
Edhe pse kemi kaluar ndonjë histori dashurie të shkurtër, asnjëri prej nesh nuk është fejuar. Të dy zgjodhëm t’i përkushtohemi zanateve tona, duke qenë se universitetin nuk arritëm ta fillonim.
Shpesh më duket si një ironi e fatit, i cili kërkon të na ribashkojë sërish, sepse na rastis shpesh të shihemi dhe të takohemi në vende të ndryshme. Ndoshta mendoj shpesh për të, sepse ende nuk kam arritur të dashurohem me dikë tjetër. Ndoshta të dy e kemi dënuar njëri-tjetrin pa vetëdije.