Problemi kryesor është që Berisha po sulmon Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë se Beogradi, Pekini, Moska….
Sot në Europë kishte tre lajme për Shqipërinë:
1. Mediat britanike por edhe ZDF gjermane i bënin thirrje shtetasve britanikë apo gjermanë të dynden në parajsën shqiptare, e cila sipas tyre po “pushtohet” nga 30 milionë turistë si vendi më i lirë dhe i sigurt për të pushuar.
2.Në Bruksel, Komisionerja e BE-së, Marta Kos, tha: “Brenda mandatit tim do të kemi anëtarësime të reja në BE! Kemi rënë dakord për të realizuar më në fund ‘martesën’ e Shqipërisë me Evropën, sepse Tirana po ecën më shpejt se çdo shtet në Ballkan dhe ka plotësuar detyrat.”
3. Berisha deklaroi zyrtarisht në PPE:
-Shqipëria porta kryesore e trafikut njerëzor;
-Shqipëria autostrada e kokainës dhe heroinës;
-Kartelet shqiptare të drogës më të fortat në botë;
-Shqipëria vend i pushtuar nga droga;
Qartazi kemi dy lajme historike për Shqipërinë dhe një lajm antishqiptar.
Por cili është misioni i Sali Berishës në moshën 81-vjeçare pas 55 vitesh në politikë (20 vite si sekretar komunist dhe 35 si antikomunist)?
Pse Berisha duhet të ankohet në Bruksel për shqiptarët nga Kukësi apo Shkodra që hapin shtëpi “bari” në Londër? Sipas Berishës, ai është me mision nga Zoti.
Në këtë mision ai ka marrë përsipër të fundosë imazhin e shqiptarëve në botë.
Duke deklaruar se shqiptarët janë të parët në botë si terroristë apo si trafikantë, Berisha nuk dëmton qeverinë por qartazi Shqipërinë.
Duke thënë që kartelet shqiptare janë më të rrezikshmet në botë, ai nuk dëmton qeveritarët por shqiptarët.
Sipas çdo statistike juridike dhe policore:
-Shqipëria s’ka kartele droge, por organizata trafikantësh dhe këto të dyja ndryshojnë 100% në konceptin ligjor.
-Shqipëria zyrtarisht dhe faktikisht nuk ka organizata terroriste sipas përkufizimeve të Kodit Penal, siç ka Afganistani, Irani, Siria etj.
Deklaratat e Berishës s’kanë asnjë lidhje me qeverinë Rama, sepse trafikantët shqiptarë në 80% të tyre veprojnë në Angli, Itali, Gjermani, Holandë, Spanjë, Ekuador etj., dhe përgjegjësi ligjore kanë shtetet e huaja ku ata shqiptarë jetojnë dhe punojnë. Fakti që janë shqiptarë nuk e bën përgjegjëse qeverinë shqiptare.
-Për trafikantët turq në Gjermani s’ka përgjegjësi Erdogani, por policia gjermane.
-Për trafikantët italianë në Amerikë s’ka përgjegjësi Meloni, por policia amerikane.
-Për trafikantët kinezë në Francë s’ka përgjegjësi Xi Jinping, por policia franceze.
Problemi kryesor është që Berisha po sulmon Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë se Beogradi, Pekini, Moska. Sulmet e Berishës vijnë në të njëjtën ditë kur e gjithë Europa, Amerika dhe Britania bëjnë thirrje që shtetasit e tyre të fluturojnë në Tiranë, Vlorë, Sarandë, Durrës, Shëngjin – si qytete të sigurta, të qeta, të lira, të bukura, të mira dhe historike.
Qartazi, Berisha e ka një mision.
Kush ka sy ta shohë dhe kush ka vesh ta dëgjojë misionin e tij antishqiptar.
Gjithsesi, misioni i tij është i pamundur.
Një faqezi nuk mund ta nxijë Shqipërinë kuqezi.