Adelina Ismaili ka folur së fundmi për rrugëtimin e jetës së saj, që e ka cilësuar si tejet “të vështirë” për të.
E ftuar në podcast-in “ZëmeMirën”, e pyetur nga Mira Kazhani për momentin më të vështirë të karrierës, asokohe në kulmin e saj, Adelina zbuloi: “Në një anë unë isha në kulmin e famës sime, në anën tjetër, kisha aq shumë sulme. Ishin kapërcyer edhe kufijtë e njerëzores.”
Ismaili rrëfeu ngjarjen e parë dhe më të rëndë që arriti të ndikonte qetësinë dhe mirëqenien e saj, duke e izoluar brenda shtëpisë për muaj me radhë:
“Ishte një moment kur përgjoheshin bisedat e mia dhe të mamit nga posta, në mënyrë të paligjshme. U publikua në faqen e parë të gazetës një bisedë shumë intime mes nesh. Nuk dola tre muaj nga shtëpia sepse ishte shumë vulgare, banale. Unë dhe mami po flisnim për ciklin femëror dhe titulli u bë: ‘A po përgjaket kjo parti nga Adelina Ismaili?’”
Ndër vajzat e para që zgjeroi horizontin e shumë njerëzve të tjerë përsa i përkiste lirisë dhe shprehjes së një gruaje në Shqipëri dhe Kosovë, Adelina nuk hezitoi të pranonte se e gjithë kjo vëmendje, e shndërronte herë pas here në shënjestër ndaj sulmeve të pakursyera dhe dashakeqe, të cilat ishin të tepërta për një “fëmijë plot ëndrra dhe të pavetëdijshëm”, siç e cilësoi ajo veten.
Në intervistë, artistja foli dhe për marrëdhënien e ngushtë që ka pasur me nënën e cila nuk jeton më dhe njohjen me bashkëshortin me të cilin ka dhe një djalë, Uliksin.
E pyetur dhe për babanë të cilin nuk e ka përmendur pothuajse kurrë, Ismaili u përgjigj me humor se ‘nuk e kanë pyetur kurrë’ për të, duke shpjeguar më tej raportin e mirë që ndan si me babanë, ashtu dhe me njerkën e saj. Babai i saj ishte inxhinier dhe emigroi në Austri, ndërsa Adelina dhe motrat e saj qëndruan me nënën.
Sidoqoftë, ajo theksoi se ka një raport të mirë me babain, por e cilësoi fantastik marrëdhënien me njerkën, Myrveten.
“Kam një raport të mirë me të, i bazuar në shumë respekt, por nëse duhet të përmend një raport të mirë, është gruaja e tij me të cilën kam një raport fantastik, Myrvetja. Edhe sa ishte mami gjallë, unë e Ema e ngacmonin pse mami po e dua njerkën më shumë se nënën? Ajo është shumë e butë, është shumë e dashur, është shumë engjëllore”.
Për të parë intervistën e plotë, mund të klikoni më poshtë: