Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme më 23 prill të këtij viti, pak javë para zgjedhjeve parlamentare.
Siç shihet në dokumentin e siguruar nga Dosja.al, Beci bashkë me 6 të pandehur të tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Të pandehurit e tjerë, janë Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti.
Në dokumentin e mëposhtëm thuhet se nga hetimet ka rezultuar se “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, me datë 18.12.2019, ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor) me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milion e pesëqind mijë) lekë.

VENDIM PËR ZGJATJEN E AFATIT TË HETIMEVE
Në Tiranë, më 23/04/2025, unë Dritan Prençi, Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi studiova aktet e fashikullit të procedimit penal nr.196, të vitit 2024,
KONSTATOVA
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 14.10.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.196, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Me datë 23.10.2024 është regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, emri i të pandehurve Benet Beci, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko, Premtim Dauti, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal (sipas ligjit favorizues nr.23/2012).
Nga aktet e administruara ka rezultuar se “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, me datë 18.12.2019, ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor). me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milion e pesëqind mijë) lekë.
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëpërmjet shkresës me nr.19301 prot., datë 15.10.2024, i ka kërkuar Autoritetit Kontraktor, “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, një kopje e praktikës së procedurës së prokurimit me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.
2. Autoriteti Kontraktor, “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, (në vijim KESH sh.a), me shkresën kthim-përgjigje me nr.5140/1 prot., datë 21.10.2024, ka përcjellë pranë Prokurorisë së e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kopjen e njësuar të praktikës së plotë të kësaj procedurë prokurimi.
Si Benet Beci ra në rrjetën e SPAK
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kanë zënë në grackë kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci për implikim në afera gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH.
Gjatë hetimeve për Berberin, prokurorët e SPAK mes të tjerash kanë sekuestruar edhe telefonin e bashkëshortes së tij A. Ruko.
Por ndonëse ishin nisur për të gjetur prova të mëtejshme në ngarkim të Berberit, në telefonin e zonjës Ruko, prokurorët kanë gjetur dhe disa komunikime mes ish-kreut të rrugëve dhe ish drejtorit të KESH. Njëri prej tyre, më flagranti lidhet me një tender me vlerë 832 mijë euro të zhvilluar nga KESH për kontraktimin e një studimi për strategjinë e sektorit energjetik. Bashkëshortja e zotit Berberi ishte caktuar kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të tenderit.
Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Harvardit duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 për qind të fondit.
Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”
Por SMS-ja kompromentuese e Berberit për Becin nuk është prova e vetme. Më vonë ka rezultuar se prokurimi është kryer pikërisht ashtu.
Tenderi
Tenderi me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik” u shpall nga KESH në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro.
Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit.
Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë.
Consulting & Management Albania është një kompani konsulence, e cila merr tendera publikë kryesisht në Albcontrol si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Kjo kompani nuk kishte asnjë eksperiencë për studime energjetike dhe tenderi i vetëm që ka marrë në KESH është pikërisht ai për Zhvillimin e Strategjisë së Sektorit Energjetik.
Pronari i kësaj kompanie, z. Myftari aktualisht zotëron dhe 8 kompani të tjera, të cilat janë të gjitha me status të pezulluar.
Në vitin 2022, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbërritën në zyrat e KESH për të audituar kompaninë. Mes gjetjeve që audituesit konstatuan në KESH ishte dhe ajo e tenderit 834 mijë euro për Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik.
Në raportin e auditimit, inspektorët e KLSH shkruajnë se tenderi ka një sërë parregullsish serioze, pasi së pari nuk ishte detyrë e KESH të bënte strategjinë e sektorit energjetik të vendit dhe së dyti, Shqipëria e kishte sakaq strategjinë e sektorit, e cila ishte kryer nga ministria e Energjisë në bashkëpunim me donatorët.
Për më tepër, audituesit e KLSH konstatojnë se studimi i kryer nga kompania CMA dhe profesorët e Harvardit kishte vetëm informacione publike, lehtësisht të aksesueshme.