Në reagimin e tij të parë pas sulmeve ajrore dhe raketore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan theksoi se Turqia nuk i miraton sulmet ndaj sovranitetit të Iranit dhe sigurisë së rajonit, “pavarësisht se nga vijnë”, pa bërë ndonjë referencë specifike për Shtetet e Bashkuara dhe Donald Trump .
Duke folur në një aktivitet të sindikatës së nëpunësve civilë në Ankara, presidenti turk tha: “Ne jemi vendi që ka demonstruar qëndrimin më të qartë që nga 7 tetori. Ndërsa opozita zyrtare njollos rezistencën palestineze, duke e karakterizuar atë si terrorizëm, ne qëndrojmë të palëkundur në krah të vëllezërve tanë në Gaza. Po bëjmë përpjekje të forta që sulmet e Izraelit dhe mbështetësve të tij kundër vendit tonë fqinj, Iranit, të mos çojnë në një katastrofë edhe më të madhe. Ne kurrë nuk i miratojmë sulmet ndaj sovranitetit të rajonit tonë dhe shprehim kundërshtimin tonë.”
Presidenti turk iu referua 7 tetorit 2023, ditës së sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit, i cili shkaktoi luftën në Rripin e Gazës.
Duke iu referuar iniciativave që ai dhe Turqia po ndërmarrin në këtë drejtim, Tajip Erdogan tha se nesër, të martën, më 24 qershor, do të jetë në Hagë për Samitin e NATO-s dhe theksoi mobilizimin e tij “për të shmangur fatkeqësitë e pariparueshme”.
“Ne po përpiqemi ta çojmë vendin tonë nga ujërat e trazuara në ujërat e qeta. Ne nuk veprojmë bazuar në politika të përkohshme, por duke parashikuar rreziqet e fshehura. Ne e bëmë dhe do ta bëjmë në mënyrë që asnjë nga 86 milionë qytetarët tanë të mos dëmtohet”, tha Erdogan.