Vijojnë lëkundjet në Shqipëri, sizmologu: Tërmeti i fortë u ‘paralajmërua’ nga 27 paragoditje

Tërmeti me magnitudë 4.2 të shkallës Rihter, që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës, është pasuar nga 12 paslëkundje të tjera, sipas të dhënave të Qendrës Europiane të Sizmologjisë.

Lëkundja më e fortë pas goditjes kryesore ka qenë me magnitudë 3.2 dhe ka ndodhur pranë epiqendrës së tërmetit fillestar.

Në një lidhje direkte Damiano Koxhaj nga Instituti Shqiptar i Sizmologjisë bëri me dije se përpara goditjes kryesore janë regjistruar gjithashtu 27 paragoditje me intensitet të ulët.

Ai theksoi se pasgoditjet janë një fenomen i zakonshëm pas një tërmeti të këtij lloji dhe nuk përbëjnë rrezik për banorët.

Sipas Koxhajt, këto lëkundje tregojnë se zona po i rikthehet normalitetit dhe nuk ka vend për panik.