Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të nënshkruajnë një traktat të ri bashkëpunimi më 17 korrik, i cili përfshin për herë të parë një klauzolë për ndihmë të ndërsjellë në rast të ndonjë kërcënimi ose agresioni ndaj njërës prej palëve, raportoi “Politico” duke cituar pesë burime të njohura me zhvillimet.
Sipas dy zyrtarëve britanikë, teksti i traktatit është thuajse finalizuar dhe nënshkrimi synohet të ndodhë përpara se parlamentet e të dy vendeve të shpërndahen për pushimet verore.
Ndërsa traktati do të riafirmojë angazhimin e Berlinit dhe Londrës ndaj NATO-s si bazë e sigurisë kolektive, përfshirja e një klauzole për mbrojtje të ndërsjellë thekson një qasje të re dhe më të ngushtë të aleatëve evropianë në fushën e sigurisë, në një kohë kur roli i SHBA-ve në NATO shihet gjithnjë e më shumë si i luhatshëm.
Traktati pritet të ketë gjithashtu një shtrirje të gjerë, duke përfshirë fusha si:
Lufta ndaj emigracionit të paligjshëm
Bashkëpunimi në transport, kërkim dhe inovacion
Nxitja e tregtisë ndërkufitare
“Traktati do të mbulojë të gjithë spektrin e marrëdhënieve tona,” deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane për “Politico”.
Ky traktat pritet të shënojë një etapë të re në marrëdhëniet strategjike mes dy fuqive kryesore evropiane, në një kontekst ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike dhe nevoja për ripozicionim të aleancave të sigurisë në Evropë.