Engjëll Agaçi, një nga figurat më të njohura të administratës shtetërore, është fotografuar në pushime në jug të vendit. Ai ka zgjedhur të bëjë pushime relaksuese, ku bie në sy qetësia dhe rutina e tij larg Tiranës zyrtare.
Në një nga ditët e pushimeve, Agaçi është shfaqur duke lexuar një libër buzë detit, i ulur nën hijen e një çadre plazhi, ndërsa në një tjetër rast është parë duke përdorur një ‘paddle board’ në ujërat e qeta të rivierës shqiptare.

Pamjet tregojnë një anë më private të tij, larg punës së ngarkuar në qeveri, ku prej vitesh mban detyra të rëndësishme pranë kryeministrit.

Ndryshe nga imazhi i tij si një njeri i afërt me vendimmarrjen politike, këto momente tregojnë një jetë të përditshme të thjeshtë, ku përfshihen leximi, sportet e lehta në ujë dhe qëndrimi pranë detit.
agaci logo 2Si një figurë e lartë publike, duhet thënë se kjo është hera e parë që e shohim të zhveshur nga kostumi zyrtarit, duke zbuluar edhe pasionet e tij në ditët e pushimit. E kush do ta mendonte se sportet ujore do të ishin të preferuarit e tij, duke na zbuluar pa dashje edhe natyrën e tij disi sportive.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Agaçi ka zgjedhur një plazh disi më privat, duke preferuar që të shoqërojë vetëm detin dhe diellin dhe jo plazhet e njohura, ku shpesh herë ka zhurmë, njerëz apo edhe muzikë të lartë.

Engjëll Agaçi ka një karrierë të gjatë në administratë dhe jurisprudencë, duke u njohur si një prej emrave më të besuar të Edi Ramës.
Ai ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe është përfshirë në disa prej proceseve më të rëndësishme ligjore e politike në vend. Profili i tij publik lidhet ngushtësisht me aspektin institucional dhe vendimet e qeverisë, ndërsa rrallë shihet në hapësira të tjera të jetës shoqërore apo private.
Në media, ka qenë pak prezent, duke preferuar që të mbajë një profil të ulët publik, ndaj edhe këto foto përbëjnë një kuriozitet të madh për publikun. Kjo krijon kontrast me imazhin e zakonshëm të një funksionari që zakonisht lidhet vetëm me proceset zyrtare dhe punën intensive në Tiranë.
Muaj më parë, Agaçi u përballë edhe me probleme serioze të shëndetit, ku edhe iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje në Itali, pas problemeve me zemrën. Në mars, ishte pikërisht Rama ai që dha lajmin, se Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, gjendej në një gjendje të rëndë, ku madje edhe ishte intubuar.
Megjithatë, kjo gjendje kaloi shpejt dhe ai u rikthye në Tiranë, si dhe në detyrën e tij. E pas një viti të vështirë që ka pasur, duket se Agaçi i ka mëse të merituara disa pushime, ku jemi të sigurt, me këshillën e mjekëve, zgjedhë edhe sportet ujore.



