Adil Tefa nga Korça është një prej tre viktimave në përplasjen e përgjakshme mes bandave rivale të drogës, me origjinë shqiptare, mbrëmjen e djeshme në Athinë.
Mediat kanë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë ku ka nisur përmbysja e fakteve në raport me atë që u raportua në fillim. Ajo që u duk se nisi më mënyrë aksidentale pas përplasjes së automjetit me motorin, në fakt ishte një sherr mes bandave që kishte nisur përpara episodit të djeshëm.
Palët kishin rënë dakord për një takim për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. Grupi i shqiptarit që hapi zjarr i pari udhëtonte me automjetin që drejtohej nga një grua ndërsa motoçiklisti shoqërohej edhe nga dy automjete të tjera mbrapa tij.
Ata kishin qenë pjesë e të njëjtit grup për trafikun e drogës por mes tyre kishin nisur mosmarrëveshjet për pazare. Të dy palët kanë nisur të debatojnë në rrugë. Sapo ka zbritur nga automjeti shqiptari ka nxjerrë armën duke qëlluar të riun që ndodhej në motor.
Menjëherë babai i këtij të fundit i cili ndodhej në automjet ka zbritur duke ecur drejt shqiptarit por ai e ka ekzekutuar nga afër pa u menduar.
Makina tjetër që shoqëronte të riun ka tentuar të largohej ndërsa personi që ndodhej brenda makinës së babait të tij ka vrapuar për të shpëtuar.
Por në atë çast gruaja që ndodhej në makinë me banditin shqiptar ka shkelur gazin duke e përplasur atë ndërsa në drejtim të tij është qëlluar edhe me armë zjarri.
Sipas mediave greke gruaja që ndodhej në timon është ish partnerja e personit që ajo goditi me automjet. Si pasojë e plagëve ky i fundit ndërroi jetë në spital në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Pas të shtënave, shqiptari që qëlloi motoçiklistin vodhi një automjet nën kërcënimin e armës dhe tentoi të grabiste një pikë karburanti.
Pas ndjekjes nga policia ai mbeti i vrarë në shkëmbim zjarri. Si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy efektivë policie.