Tυfa eurosh dhe αrmë në TikTok, si i ndihmonte e dashυra ρolice e krahut të djathtë të “Eskos” (VIDEO)

Shpenzime të çmendura dhe xhiro në rrugët e Athinës me “Mercedesin” luksoz, por edhe demonstrim force e përshëndetje me armë dhe tufa eurosh nëpër duar në rrjetet sociale Instagram dhe Tik Tok.

Kjo ishte pasqyra e jetës së 30 vjeçarit shqiptar Esmin Ferhati, i cili u arrestua ditën e djeshme teksa sulmoi me kaçavidë një oficere greke dhe u plagos me armën e shërbimit nga kjo e fundit në tentativën për t’u vetëmbrojtur.

I njohur me pseudonimin “Esko”, shqiptari kishte “pushtuar” godinën e vjetër të konviktit të Universitetit Politeknik të Athinës “Zografou” dhe terrorizonin kryeqytetin helene me grabitje, rrëmbime, ndërsa kontrollonin edhe një pjesë të tregut të narkotikëve.

Jeta e tyre e luksit kishte për burim grabitjet e shpeshta nëpër supermarkete, karburante dhe banka të nivelit të dytë, ndërsa goditja më e madhe ishte plaçkitja e Universitetit, ku grupi mori pajisje me vlerë totale 300 mijë euro.

Por duket se “Esko” dhe banda e tij vepronin të qetë në Athinë për shkak edhe të lidhjeve me policinë greke, ndërsa lëvizte i lirë dhe s’kishte shkuar kurrë në burg pavarësisht se akuzohet për 5 çështje penale, ku përfshihet edhe rrëmbimi i djalit të një gazetari në maj të 2019-ës.

Hetuesit e çështjes, po ndjekin me interes të madh rastin e përfshirjes së një oficere policie në provë vetëm 22vjeçe, e cila shërben në një departament lokal dhe që dyshohet se ka pasur një rol specifik në organizatën kriminale me mbi 10 anëtarë të krijuar nga “Esko”.

Protothema raporton se e reja kishte krijuar një lidhje dashurie me nënkryetarin shqiptar të bandës, të cilin e njihte para se të bëhej pjesë e uniformave blu të Athinës. Ajo dyshohet se ka dhënë informacion për lëvizjet e kolegëve të saj dhe numrin e forcave të policisë që shkonin në aksione për të goditur bandën e shqiptarëve.

22-vjeçarja kishte lajmëruar pak ditë më parë organizatën kriminale shqiptare, në një operacion të ngjashëm nga NënDrejtoria e Sigurisë së Atikës Verilindore, por edhe për operacionin e djeshëm të Nëndrejtorit të Sigurisë së Athinës dhe OPKE, ishte kujdesur që të linte gjurmë të lëvizjeve të policisë.

Çështja thellohet edhe më tej pasi vajza greke vjen nga një familje me traditë në policinë e Athinës, pasi babai i saj ishte polic dhe ka ndërruar jetë, ndërsa vetë 22-vjeçarja do të kryente betimin final në ditët në vijim.

Sipas informacioneve, 22-vjeçari ka qenë e dashur për publikun në zonën ku jetonte dhe madje kandidoi edhe në zgjedhjet për këshilltarët bashkiakë.

Ndërkohë, në fotot e publikuar nga mediat greke oficerja e policisë shihet jashtë orarit zyrtar duke shijuar jetën e luksit me “Eskon” dhe grupin e tij, ndërsa në dorë mban edhe një armë.

Demonstrimi në rrjetet sociale

Një nga gabimet e bëra nga banda e kriminelëve të “Zografou”, është se ata ngarkonin video të jetës së tyre luksoze në rrjetet sociale, kryesisht në Tik-Tok.

Në llogaritë e tyre hetuesit grekë kanë gjetur materiale të bollshme me armë, pistoleta, makina të shtrenjta, ora dhe shumë para.

Grabitjet, sidomos në orët e para të mëngjesit, por edhe trafiku i drogës, kanë qenë burimet e “parave të zeza” të bandës, ndërsa në dosjen voluminoze të çështjes, e cila u krijua nga Nëndrejtoria e Sigurimit të Athinës, përfshihen ngjarje që përshkruajnë në detaje veprimtarinë e tyre kriminale.

Ndërkohë, fakti që 30-vjeçari shqiptar ka plagosur një efektive greke me kaçavidë, ka ndezur polemikat mes Demokracisë së Re në pushet dhe KKE-së.

Kjo pasi deputeti i KKE-së, Kristos Katsotis në deklaratat e tij tha: “Meqë u përballën me një bandit të tillë, plani duhej të ishte ndryshe dhe jo vetëm një oficer policie. Pra, kur thuhet se kishte një kaçavidë siç thoni ju, janë të justifikuara pesë të shtënat?”.

Deputetit iu përgjigj Ioanna Gelestathi, kryetarja e Departamentit të Mbrojtjes së Qytetarëve në forcën politike të drejtuar nga kryeministri Mitsotakis.

“Christos Katsotis i KKE-së pyet nëse janë të justifikuara pesë të shtëna që nga momenti kur banditi sulmoi oficeren e policisë me kaçavidë. Unë sugjeroj që ta nxjerrim në pension policen, të dërgojmë vajzën e saj në vend të saj dhe pastaj t’i përgjigjemi pyetjes së tij”, tha ajo.

Nga kontrollet e kryera në Politeknioupoli dhe në banesat ku banonin (disa nga familjarët) e bandave, policia gjeti dhe sekuestroi:

4 automjete

2 pistoleta dhe 56 fishekë

Thikë

Laborator hidroponik

2700 pako me hashash

40 gram kokainë

7500 euro.

SHIKO VIDEON KËTU