23-vjeçari Kevin Zeneli i njohur dhe me mbiemrin Suçi rezulton të jetë një person kyç në ekzekutimet dhe tentativat e vrasjeve që u zbardhën nga policia e Durrësit.
I riu rezulton të jetë qitës vetë por edhe ‘kontraktor’, duke porositur vëllezërit Gentian e Indrit Beqiraj për vrasje.
Kevin Zeneli alias Suçi rezulton të jetë autori i vrasjes së kamarierit Erion Çela në zonën e “Don Bosko-s” më 4 janar të këtij viti.
Vrasja ndodhi gabimisht pasi në të vërtetë 23-vjeçari kishte si synim të ekzekutonte Geron Hysenbelliun për llogari të Kasandër Nogës, i cili është në hasmëri prej vitit 2000 me Erion Hysenbelliun, të cilin e plagosi në Belgjikë.
Kevin Zeneli alias Suçi nga hetimet del edhe në rolin e ekzekutorit në vrasjen e Arben Merkurit, i njohur ndryshe si ‘Maneci’.
Në këtë vrasje ku financues rezulton Kasandër Noga, Kevin Zeneli u ndihmua nga vëllezërit Beqiraj.
Një emër tjetër që bie në sy në zbardhjen e ngjarjeve është Ilirjan Feçi i arrestuar gjatë operacionit ‘Plumbi i Artë’.
Ai rezulton lidhje e ngushtë e Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës me të cilët ka kryer grabitje në vitet 2011-2012 në Kavajë.