Autoritetet greke kanë lëshuar një urdhër arresti europian për 37-vjeçarin shqiptar që plagosi tre të rinj grekë në Gazi të Athinës.
Shqiptari me precedentë të rëndë kriminal vazhdon të fshihet dhe tenton të shmangë policinë, e cila vazhdon të kontrollojë vendet dhe zonat ku ai shkonte muajt e fundit. Mediat greke bëjnë me dije se Nardi Ismet Idrizi po përpiqet të gjejë një mënyrë për të shpëtuar nga Greqia, për të shkuar ose në Turqi ose në Maltë.
Shqiptari thuhet se ka kërkuar ndihmë nga bandat shqiptare por deri më tani duket se nuk ia ka dalë, pasi policia mendon se shumë shpejt do ta arrestojē dhe do ta nxjerrë para drejtësisë.
Autori 37-vjeçar i të shtënave në Gazi ka qenë kreu i një bande në Shqipëri, e përfshirë në grabitje me armë të pikave të karburantit, kazinove dhe bankave.
Në vitin 2012, ai u arrestua pas një grabitjeje me armë, gjatë së cilës hapi zjarr me kallashnikov në drejtim të policisë. Një vit më vonë, ai u dënua me 13 vjet burg. Ai u mbajt në burgun e Fierit dhe në vitin 2020 u lirua para kohe, ku lirimi shkaktoi bujë të madhe në Shqipëri, pasi 18 zyrtarë të burgjeve u akuzuan se i paguanin rrogën dhe e ndihmonin gjatë lirimit.
Muajt e fundit kishte mbërritur në Greqi, ku ishte bashkuar me një grup ku ishte edhe një i afërm i tij, në zonën e Agios Pavlos. Ai frekuentonte një dyqan atje. I afërmi i autorit, i cili i përkiste këtij grupi, ishte akuzuar më parë për vjedhje dhe të shtëna me armë zjarri.
Bëhet e ditur se në vitin 1998, vëllai i Idrizir u ekzekutua nga një bandë rivale dhe që prej asaj kohe 37-vjeçari qarkullonte me identitetin e vëllait të tij të vdekur.