Mesfushori kuqezi, Klaus Gjasula, ishte padyshim protagonisti i sfidës Kroaci-Shqipëri. Gjasula ishte duke realizuar dy gola, në të dyja portat, që fillimisht devijoi në mënyrë të gabuar në portën tonë, por në fund të sfidës me një të majtë të kalibruar, gjeti cepin e portës kundërshtare, për t’i dhënë një pikë kombëtares tonë.
I futur në fushën e lojës vetëm në minutën e 72-të të sfidës, Gjasula do të hyjë në histori, si i pari futbollist që i hedhur në fushën e lojës nga stoli, të realizojë gol dhe autogol brenda të njëjtës sfidë. Askush më parë nuk kishte arritur diçka të tillë.
Klaus Gjasula do ta mbajë mend gjatë këtë sfidë. Kujtojmë se Shqipëria realizoi edhe golin më të shpejtë të Europianit, atë të Bajramit ndaj Italisë për 23 sekonda.