Dy faqe letër në formën e një vendimi të Gjykatës së Vlorës, të firmosur nga Thoma Nika, më 29 dhjetor të vitit 2000, shpallën pronar të 220 hektarëve në gadishullin e Karaburunit varrmihësin e qytetit të Vlorës, Raimond Mëzin.
Në vendim argumentohet se në prill 1996 Agjencia e Kthimit të Pronave i ka refuzuar kthimin e pronës Raimond Mëzit, duke i mohuar kështu një të drejtë të tij, kushtetuese.
Ky vendim u konservua 12 vite. Në vitin 2012, sipërfaqja prej 220 hektarësh është regjistruar në emër të Raimond Mëzit.
Po në këtë periudhë në Zvërnec sërish në emër të varrmihësit, Hipoteka regjistron edhe 89 hektarë të tjerë. Këtë radhë si dokument për regjistrimin e pronës shërbente një vendim i gjyqtarit të ekzekutuar në mënyrë mafioze në Vlorë, Skerdilajd Konomi.
Për dy vite me radhë asnjë transaksion nuk është kryer në emër të Raimond Mëzit.
Edhe pse pothuajse njeriu më i pasur në Vlorë, me qindra hektarë tokë në zonën më të bukur të vendit, INA Media mësoi se Mëzi jetonte në një banesë të varfër, në lagjen Partizani, në Vlorë.
Më 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe. 90 hektarë dhe 130 hektarë.
Një javë më pas, më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima, iu ka shitur 90 hektarë kompanive House of Arts dhe Digitalnetworks për 180.000 euro.
House of Arts është kompania e ish-deputetit socialist, Fidel Ylli, që administrohet nga Elida Heba dhe merret me organizim eventesh; ndërsa Digitalnetworks zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi Konsull Nderi i El Salvadorit në Shqipëri.