Rritja e pensioneve, jo të gjithë e përfitojnë! Kategoritë që do marrin nga 50-100 mijë lekë të vjetra më shumë nga muaji tetor

Nga 1 Tetori i këtij viti pritet rritja e pensioneve. Çfarë do të ndodhë? Cilat kategori përfitojnë? Shtimi i numrit të pensionisteve, por jo shtim buxheti për masën e indeksimit në ndryshimet e fundit.

Në fillim të muajit tjetër Qeveria pritet të rrisë masën e pensionit. Akoma nuk ka një vendim final për këtë çështje, por prej muajsh ekzekutivi ka nisur një proces vlerësimi për skemën aktuale të pensioneve. Ajo që thuhet nga ekspertët është që do të rishikohen pensionet e ulëta, nën 150 euro. A do të sjellë realisht ndikim rishikimi i skemës? Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë mbi 140 mijë persona, që aktualisht marrin një pension më pak se 150 euro në muaj. Këtu përfshihen pensionet në zonat rurale si edhe pensionet familjare në zonat urbane.

Konkretisht, deri në fund të vitit 2023 në skemën e pensioneve rezultonin rreth 705 mijë qytetarë, nga të cilët 608 581 pensione urbane dhe 96 418 pensione rurale.

Në mënyrë të detajuar, nga 608 581 pensione urbane: 503 747 janë pensione pleqërie duke përfshirë këtu pleqëri të plotë, të reduktuar dhe të pjesshme. Për këtë kategori masa e pensionit shkon mesatarisht 18 341 lekë dhe bashkë me kompensimet  që aplikohen, arrin në 19 922 lekë në muaj.

Ndërkohë, 60 956 janë pensione invaliditeti (nga sëmundje të përgjithshme, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë) të cilët përfitojnë mesatarisht 18 851 lekë në muaj duke përfshirë këtu edhe kompensimet dhe pjesa tjetër, pra 43 878 persona trajtohen me pensione familjare. Për këta të fundit, pra për pensionet familjare në zonat urbane masa e përfitimit shkon në 8 558 lekë bashkë me kompensimet arrin 10 139 lekë. Është pikërisht kjo kategori, që do të preket nga rritja e pensionit dhe me ndryshimet që do të finalizohen vitin e ardhshëm, pensionet familjare në zonat urbane nuk do të jenë nën 150 euro, duke nënkuptuar këtu një rritje mesatare me rreth 5 mijë lekë.

Kategoria tjetër që preket në tërësinë e saj janë pensionet në zonat rurale. Janë 96 418 persona në skemë, nga të cilët 86 902 trajtohen me pensione pleqërie (pleqëri e plotë dhe e pjesshme), 5 636 me pensione invaliditeti dhe 3 880 me pensione familjare.

Referuar ISSH-së, për pensionet e pleqërisë në fshat masa e përfitimit bashkë me kompensimet arrin në 11 576 lekë. Për pensionet e invaliditetit, 9 201 lekë ndërsa për pensionet familjare, 2 408 lekë.  Në këto kushte, shtesa për këtë kategori pritet të variojë nga 4 mijë deri në rreth 13 mijë lekë në muaj.

Në total janë 140.296 pensionistë që do të përfitojnë nga shtesa e re, në përmbushje të angazhimit për të mos pasur më pensione nën 150 euro deri në vitin 2030. Por ky është vetëm një prej aspekteve që do të rishikohet e që pa diskutim përbën thelbin e kësaj reformë të re që do ndërmerret. Ndër ndryshimet e projektuara janë edhe ato që kanë të bëjnë me periudhën kontributive, që duhet të plotësohet për të marrë pension të plotë, skemën e kontributeve për të vetëpunësuarit në zonat rurale si edhe trajtimet suplementare.

Ndryshimet e fundit buxhetore nuk shtuan fond për indeksimin e pensioneve

Në të vërtetë masa e rritjes së pensionit bëhet në bazë të indeksimit të pagave. Në fillim të muajit Korrik, qeveria miratoi indeksimin e pensioneve, ku më pas pritet të reflektohet edhe në rritjen e pensioneve në Tetor. Por sipas të dhënave të fundit numri i pensionistëve që përfitojnë trajtim financiarë nga skema e sigurimeve shoqërore është rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bëjnë me dije se deri në Qershor 2023, numri i pensionistëve përfitues ka arritur në 713.333 individë, me një rritje prej 8334 përfitues më shumë se fundviti që lamë pas.

Nga ana tjetër në ndryshimet e fundit në rishikimin e buxhetit nuk është riparë mundësia e rritjes së fondit për indeksimin e pensioneve. Kjo ose do të sjellë në thellim të skemës së borxhit, ose nuk do të ketë rritje reale të pensioneve.

Si bëhet përllogaritja?

Pas vendimit të korrikut për indeksimin e pensioneve për atë grup moshe që del në pension për herë të parë, pasi pjesa tjetër merr si masë shtese pensioni vetëm indeksimin, bëhet më e qartë skema sa mund të jetë masa e përfitimit të shtesës. Indeksimi bëhet mbi bazën e inflacionit dhe është e rregulluar që në buxhetin e shtetit, ky hyn në vlerën absolute se sa para do të marrë. Mesatarisht për vitin 2024, janë në buxhetin e shtetit 4.1 miliardë lekë të rinj, e përkthyer në vlerë absolute është 480 lekë të rinj në muaj, duke filluar që nga 1 Janari-31 Dhjetori. Sipas ekspertëve shtesa do të jetë 480 mijë lekë, por kjo nuk do të jetë e reflektuar në të gjithë pensionet, pasi indeksimi mbetet treguesi kryesor për rritjen e mundshme të masës së pensioneve./ VoxNews