Sezoni i ri në ekranin më të dashur të shqiptarëve, Top Channel, nis plot surpriza dhe të papritura. Moderimi i emisionit investigativ “Fiks Fare” këtë sezon i është besuar dy figurave shumë të dashura të publikut shqiptar, Julian Deda dhe Xhemi Shehu. Ata kanë qenë mëngjesin e sotëm të ftuar në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për emocionet e kësaj eksperience të re.
Keni patur shumë komente pozitive që kur doli lajmi se do të ishit ju moderatorët e “Fiks Fare”. Si i keni pritur?
Xhemi: Që nga momenti që fituam audicionet, ka filluar puna për të njohur njëri-tjetrin. Po regjistrojmë puntata 0 që nuk dalin në transmetim. Deri tani po shkon mirë. Sa i përket mesazheve, nuk kam marrë kurrë kaq shumë, nuk i prisja këto komente kaq të mira.
Juli: Audiocioni që bëra me Xhemin ishte më i miri dhe unë u ndjeva shumë mirë. Me Xhemin u ndjeva shumë rehat. “Fiks Fare” ka 23 vjet në transmetim, është emision legjendë i Top Channel dhe korniza është e qartë, nuk kemi çfarë të shpikim. Ne jemi ndryshe, as më të mirë se ata që kanë kaluar apo ata që do vijnë. Do jemi ndryshe. I përshëndesim Dorin dhe Devin dhe çdo njeri tjetër që e ka bërë “Fiksin” ndër vite.
“Fiks Fare” është një emision serioz që i dedikohet problemeve të qytetarëve, si ndiheni për këtë?
Xhemi: Kur fitova audicionin kuptova se në çfarë valle kam hyrë. (qesh) Kur mora telefonatën isha në makinë dhe nuk e prisja që do më thërrisnin për audicion me Jul Dedën. U gëzova, nuk e prisja që do më vinte një ofertë për moderimin e “Fiks Fare”. U ndjeva shumë e vlerësuar. Nuk shkova në audicion me idenë që do fitoj. Duhet të përçosh mesazhin, të bësh batuta, por duhet qenë serioz në fund.
Juli: Ti nuk e prisje madje që do ishe në moderim me dikë me flokë (qesh)
Si është marrëdhënia mes jush dhe stafit të “Fiks Fare”?
Juli: Janë një staf që kanë prej vitesh bashkë, bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Dy moderatorët nuk kanë asnjë punë në raport me atë që bëjnë ata. Kemi marrëdhënie shumë të mirë. Puna është e ndarë, është shumë e kopsitur. Çdo gjë është e menduar, e verifikuar… Dhe pastaj moderatorët i japin zë në darkë./TAR