Në Angli “të dashuruar” me Roko Vatën, po vëzhgohet nga gjigandët e Premier League

Djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Rudi Vata është padyshim lojtari i momentit në Championship, teksa po shkëlqen me performancën e tij te Watford.

Roko Vata ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 3 asiste deri tani. Mbrëmjen e së martës, 19-vjeçari shënoi një supergol, që nuk ishte i pari nga jashtë zone për të me klubin anglez.

Dhe pse skuadra e tij humbi 1-2 përballë Preston, Vata tregoi aftësitë e tij. Roko ka luajtur gjithsej në 22 ndeshje dhe e ka fituar me meritë vendin e titullarit, pasi e nisi sezonin si zëvendësues.

Paraqitjet e tij kanë rënë në sy të klubeve të elitës angleze. Madje edhe skautët e Manchester United kanë nën vëzhgim Roko Vatën. Ata kanë ndjekur nga afër ndeshjen e Watford përballë Fulham, në të cilën Roko shënoi një supergol nga distanca.

Roko Vata përfaqëson kombëtaren e Irlandës, duke luajtur me grupmoshat U-15, 17, 19 dhe së fundmi 21.

Gjasat janë që talenti 19-vjeçar të marrë një ftesë nga kombëtarja A e Irlandës, por ai mund të zgjedhë edhe Skocinë e Shqipërinë si përfaqësuese.