Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në Dublin të Irlandës, përpara nisjes së punimeve të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC).
Takimi mes dy liderëve zhvillohet në kuadër të samitit, ku liderët europianë dhe përfaqësues të vendeve partnere janë mbledhur për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë në Europë.
Ndërkohë, përpara këtij takimi, Rama ka përsëritur thirrjen që Europa të marrë vetë iniciativën diplomatike dhe të hapë një kanal dialogu me Rusinë, krahas mbështetjes së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën.
Kryeministri kritikoi faktin që diplomacia europiane, sipas tij, u është lënë aktorëve të tjerë, duke përmendur në mënyrë të veçantë Donald Trumpin. Ai theksoi se negociatat me Moskën nuk duhet t’u lihen vetëm amerikanëve, kinezëve apo indianëve, por duhet të jenë edhe përgjegjësi e Europës.
“Duhet të shohim atë që duhet bërë në interesin më të mirë të komunitetit europian. Unë besoj se është bërë gabim që diplomacia u është lënë në dorë të të tjerëve. Ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi për Rusinë. Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë askund dhe do të qëndrojë aty dhe e ardhmja e kontinentit është e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet. Ndërkohë që mbështesim gjatë gjithë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë nënvizoi se nuk duhet t’u takojë vetëm fuqive të tjera ndërkombëtare të negociojnë me Moskën, duke kërkuar që Europa të kuptojë gabimin që, sipas tij, ka bërë në këtë drejtim.
“Nuk duhet t’u takojë amerikanëve, kinezëve apo indianëve të bisedojnë me Rusinë. I takon Europës të kuptojë gabimin që ka bërë. Unë ndihem i trazuar që Europa e ka mbështetur te armët dhe jo te diplomacia. Unë përfaqësoj një vend me peshë të caktuar, nuk mund t’u jap leksione të mëdhenjve”, deklaroi kryeministri.
Rama kritikoi gjithashtu delegimin e diplomacisë europiane te presidenti amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se kjo qasje mund të ketë një kosto në rritje për kontinentin nëse nuk ndryshon.
“Europa ia ka nënkontraktuar diplomacinë e saj Donald Trumpit. Ky është rezultati. Europa duhet të kuptojë se ky gabim ka një çmim dhe do të bëhet më i lartë nëse Europa nuk flet me rusët, ndërkohë që mbështet Ukrainën”, u shpreh ai.
Në përfundim, kryeministri vlerësoi se Europa ka arritur të pengojë Rusinë që të imponojë vullnetin e saj në Ukrainë, por sipas tij, mbështetja ushtarake duhet të shoqërohet edhe me përpjekje diplomatike