“DOGE me gjasë ka shkelur Kushtetutën”, Gjykatësi ndalon shpërbërjen e mëtejme të USAID-it

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara vendosi që Departamenti për Efikasitet Qeveritar (DOGE) me gjasë e ka shkelur Kushtetutën kur tentoi ta mbyllë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dhe e urdhëroi DOGE-n të mos e ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm kundër kësaj agjencie.

Gjykatësi i Qarkut në Mariland, Theodore Chuang, përmes një vendimi fillestar, e urdhëroi këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump, Elon Musk, dhe agjencinë që ai e udhëheqë që t’ia kthejë qasjen në sistemin kompjuterit të USAID-it punonjësve me kontratë të agjencisë – përfshirë mijëra punonjësve që u pezulluan nga puna në fund të shkurtit.

Ky vendim vjen pas padisë së ushtruar nga punonjësit dhe ish-punonjësit e USAID-it, të cilët pretendojnë se Musku dhe DOGE nuk kishin autoritet për ta mbyllur agjencinë e mandatuar nga Kongresi amerikan.

“Vendimi i sotëm është fitore e rëndësishme kundër Elon Muskut dhe sulmit të tij përmes DOGE-it ndaj USAID-it, Qeverisë amerikane dhe Kushtetutës”, tha Norm Eisen, kreu i Fondit për Mbrojtjen e Demokracisë Shtetërore dhe avokat i 26 paditësve anonimë në këtë çështje.

Vendimi i gjykatës u kritikua nga Shtëpia e Bardhë.

“Gjyqtarë të pabindur po minojnë vullnetin e popullit amerikan në përpjekjet e tyre për ta penguar presidentin Trump ta zbatojë agjendën e tij”, tha zëdhënësja Anna Kelly.

“Administrata Trump do të dorëzojë ankesë ndaj kësaj padrejtësie dhe do të luftojë kundër të gjithë gjyqtarëve aktivistë që ndërhyjnë në ndarjen e pushteteve”, shtoi ajo.

Duke folur për Fox News, Trump konfirmoi se synon ta ankohet ndaj vendimit.

Gjykatësi Chuang tha se ka prova që Musk ushtroi autoritet të madh që ligjërisht i rezervohet një zyrtari të organizatës, derisa po shërbente në një pozicion të vazhdueshëm qeveritar.