Gazeta greke Kathimerini: 700 mijë grekë bënë pushimet në Shqipëri

“Ndonëse plazhet e tyre rankohen ndër më të bukurit në botë, grekët kanë nisur të kërkojnë destinacione të reja për të kaluar pushimet, e ku riviera shqiptare është në listën e më të preferuarve.”

Kështu shkruan gazeta greke “Kathimerini” në një artikull të saj, teksa flet për 700 mijë grekë që kaluan pushimet përgjatë vitit 2024 në vendin tonë.

Dikur, toka e panjohur, sot Shqipëria është kthyer në një atraksion të vërtetë turistik për fqinjët tanë jugorë.

Mikpritja, natyra e bukur, plazhet e mrekullueshme të Adriatikut e Jonit thonë se janë edhe arsyeja që i bënë të kthejnë sytë nga bregdeti shqiptar.

Mikonos, një ndër ishujt më të vizituar grekë, për ta ishte i papërballueshëm, por të ngjashmin e tij thonë se e kanë gjetur në Sarandë, ku janë mrekulluar teksa panë në vend të një fshati një qytet të mbipopulluar me turistë italianë, me plazhe të pastra e ujëra të kristaltë dhe çmime shumë të përballueshme.

Himara e Gjirokastra janë një tjetër destinacion që i ka bërë të mrekullohen.

Bregdetin e Durrësit për nga zhvillimi e krahasojnë me atë të Halkidhikisë, me plazhe të mbipopulluara nga turistët e huaj, kafene e ristorante të organizuara dhe pastërti e rregull si në plazhe, ashtu edhe në qytet.

Ajo që duket se u ka lënë më shumë mbresa janë rrokaqiejt në Tiranë dhe ndërtesat e larta.

Pas nuk qëndron edhe siguria dhe mikpritja që gjetën në vendin tonë, për të cilin thonë se i bëri të hedhin poshtë stereotipin se mes shqiptarëve e grekëve ka armiqësi.