Shqipëria e gatshme të ofrojë garanci sigurie në Ukrainë

Pas Samitit të Aleatëve të Ukrainës, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se 26 vende kishin rënë dakord për të ofruar garanci sigurie pas përfundimit të luftës në Ukrainë, përfshirë mundësinë e vendosjes së një force ndërkombëtare në tokë, det dhe ajër.

Sipas Macron, këto vende janë të gatshme të dërgojnë trupa apo të mbështesin një mision të tillë.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke komentuar mbi vendosjen e mundshme të një kontingjenti të huaj në Ukrainë, vuri në dukje se do të përfshinte mijëra ushtarë.

Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Shqipëria, duke qenë pjesë e koalicionit të Aleatëve të Ukrainës, në koordinim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian po vlerëson kapacitetet që mund t’i ofrojë koalicionit si pjesë e garancive të sigurisë.

“Shqipëria është pjesë e koalicionit të Aleatëve të Ukrainës dhe në koordinim me NATO-n dhe BE-në po vlerëson kapacitetet që mund t’i ofrojë koalicionit si garanci sigurie pasi të jetë nënshkruar më parë marrëveshja e paqes apo një marrëveshje armëpushimi”, thuhet në përgjigjen zyrtare të autoriteteve shqiptare për Albanian Post.

Ukraina po bën përparim në negociatat për formalizimin e garancive të sigurisë ligjërisht të detyrueshme me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, deklaroi më parë zëvendës ministri i Parë i Jashtëm i Ukrainës, Serhiy Kyslytsya, në një intervistë me Reuters.

“Mendoj se po bëjmë përparim”, tha Kyslytsya. “Mendoj se kjo periudhë shumë intensive shkëmbimi pikëpamjesh na lejon të kemi një kuptim shumë më të mirë dhe konkret se kush është i gatshëm të bëjë çfarë dhe kush është i aftë të bëjë çfarë”.


Kyslytsya shtoi gjithashtu se ende duhet të merret një vendim nëse Ukraina do të ketë një sërë marrëveshjesh dypalëshe me aleatët e saj evropianë apo një marrëveshje shumëpalëshe midis disa vendeve.

Kohët e fundit, Zelensky raportoi se dokumenti bazë mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën është praktikisht gati, me detaje që po përpunohen me të gjithë partnerët.