‘Siberia e Greqisë’, njihuni me fshatin grek ku dimri zgjat 7 muaj dhe ku borë bie edhe në fund të qershorit (FOTO+VIDEO)
Në Greqi, edhe zonat më veriore rrallë përjetojnë dimra vërtet të ashpër. Por ka një përjashtim: Kato Nevrokopi. Temperatura aq të ulëta regjistrohen aty çdo vit, sa prej kohësh fshati është pagëzuar “Siberia e Greqisë”. Madje në vitin 2021 këtë emër e përdori zyrtarisht edhe kryetari i bashkisë në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, shkruan Protothema.
Temperatura që të ngrijnë fytyrën
Fshati e ka fituar me meritë këtë nofkë. Në Krishtlindjet e vitit 2021, termometri tregonte -11°C. Në natën e ndërrimit të viteve 2019, temperatura zbriti edhe më poshtë, në -21°C. E njëjta shifër u regjistrua edhe në dhjetor 2005. Në janar 2017, banorët e mbyllën muajin me -18°C.

Shpesh përmendet pretendimi se temperatura ka shkuar në -28°C, por kjo nuk është verifikuar kurrë zyrtarisht. Rekordi historik për Greqinë mbetet -27.8°C në Ptolemaidë, në vitin 1963.
Fshati ku dëbora bie edhe në qershor
Ajo që e veçon Kato Nevrokopin nuk është vetëm i ftohti, por sa gjatë zgjat ai. Dimri mund të zgjasë deri në shtatë muaj. Në vitin 1996, p.sh., në zonë ra dëborë në fund të qershorit. Ngjarja ishte aq e pazakontë, sa u përfshi si pyetje edhe në emisionin “Kush do të bëhet milioner”.

Pse është kaq ftohtë? Meteorologët japin shpjegimin
Rrafshnalta e Nevrokopit ndodhet në 559 metra lartësi dhe është e rrethuar nga male. Kjo formë gjeografike krijon një “kupolë” natyrore që pengon ajrin e ngrohtë të hyjë. Si pasojë, i ftohti ngelet i bllokuar për shumë ditë, madje për shumë muaj. Kjo mikroklimë e veçantë i jep zonës kushte që, proporcionalisht, i ngjajnë stepave siberiane.

Jeta e përditshme në acarin ekstrem
Rreth 2,157 banorët e Kato Nevrokopit janë të mësuar me dimër të gjatë. I ftohti fillon që në tetor dhe zgjat deri në prill, ndonjëherë edhe në maj. Dëbora mund të arrijë deri në dy metra. Sipas banorëve, problemi më i madh nuk është shiu apo bora, por faturat e kripura të ngrohjes.

Patatja që e bëri Nevrokopin të famshëm
Klima e ashpër u ka sjellë edhe diçka të mirë. Patatet e Kato Nevrokopit janë të njohura në të gjithë Greqinë dhe Europën, të certifikuara si produkt PGI (me origjinë të mbrojtur) që nga viti 2002.
Dëbora e gjatë nuk lejon mbjellje të dyfishta, gjë që i jep tokës kohë të rigjenerohet. Nga ana tjetër, i ftohti i bën patatet më të forta, më të pasura me amidon dhe me shije më të veçantë. Kjo është arsyeja pse varietetet Spunta, Agria dhe Lizeta janë bërë simbol i zonës.
Galeria fotografike (
1 / 4
)






