Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ndodhet aktualisht në burg, ka reaguar përmes një statusi publik pas intervistës së fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Në reagimin e tij, Meta thotë se intervista e Ahmetajt është një dëshmi e seriozitetit dhe integritetit të tij politik e profesional, duke theksuar se deklarimet e ish-zëvendëskryeministrit, sipas tij, po shërbejnë për “çmontimin e organizatës kriminale që ka marrë peng Shqipërinë”.
Në statusin e tij, Meta flet edhe për një përpjekje për sekuestrim apo rrëmbim të paligjshëm të Ahmetajt, të cilën e cilëson si pjesë të një “manuali rrëmbimesh” të përdorur nga ajo që ai e quan organizatë kriminale, duke përmendur edhe raste të tjera të mëparshme.
Meta vlerëson Ahmetajn dhe madje e bën atë “lider të të gjithë socialistëve të mashtruar, të tradhëtuar”.
Postimi i Ilir Metës
Intervista e fundit e Z. Arben Ahmetaj, dëshmoi seriozitetin dhe integritetin e tij politik, profesional dhe atdhetar për çmontimin e Organizatës Kriminale që ka marrë peng Shqipërinë.
Të gjithë ata që ngrinin dyshime mbi të vërtetat e tij një vit më parë, ka kohë që kanë mbyllur gojën, sepse gjithçka është provuar besnikërisht.
Të gjithë ata që vunë në diskutim çmimin 33.600 euro të shishes së verës që pinte Kreu i Organizatës, besoj se e kanë të qartë se zhdukja e kantinës provë të gjetur padashje, ishte një operacion shtetëror brenda natës dhe jo vepër e një kushëriri.
Përpjekja për sekuestrimin e tij (rrëmbimin) ilegal, është pjesë e manualit të rrëmbimeve që bën organizata, siç është provuar prej saj edhe nga rasti i Gerond Meçes dhe Daniel Shimës (dhe shumë raste të tjera).
Por ata gabojnë rëndë.
Duket qartë se Arben Ahmetaj nuk ka vendosur të jetë thjesht një dëshmitar e denoncues për çmontimin e organizatës kriminale.
Duket se ai ka bërë një hap të madh e cilësor përpara.
Ai ka vendosur të bëhet një lider i të gjithë socialistëve të mashtruar, të tradhëtuar dhe të shantazhuar nga organizata kriminale.
Ndaj dhe gjithmonë flet në emër të socialistëve, ndaj i ndan ata nga Organizata Kriminale dhe bashkia, depozita e parë dhe 26 vjeçare e Kreut të Organizatës.
Ahmetaj po flet si një socialist patriot, që e ndjen se regjimi që bazohet mbi trafikun e drogës po shkatërron shoqërinë në çdo aspekt ekonomik, social e politik.
Ai është i bindur se droga është nëna e të gjithë të këqijave (pasojave) për shoqërinë e çdo familje shqiptare.
Me 7 denoncimet e faktuara, Ahmetaj ka rimarrë lidershipin e luftës kundër korrupsionit dhe organizatës kriminale, por edhe ka fituar besimin e shumë njerëzve të ndershëm brenda PS e administratës se ai e ka seriozisht përmirësimin e qëndrueshëm të kujtesës.
Në veçanti, tronditëse janë dëshmitë e tij për kapacitetet e gjymtuara portuale të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, që duhet të kthehet në një çështje madhore për të gjithë.
Këtë rradhë me koherencën, kthjelltësinë, vërtetësinë e tij, ai mua më kujtoi shumë politikanë të shquar grekë, të cilët në pamundësi për aktivitet politik në Greqi gjatë juntës ushtarake, u zhvendosën në Perëndim për të luftuar që andej për të ardhmen demokratike të Greqisë .
Dhe ata u bënë protagonistë të fuqishëm në Greqinë e re.
Ilir Meta dhe Arben Ahmetaj kanë luajtur për vite me radhë rolet e kundërshtarëve politikë, por gjithmonë me një përpikëri të tillë që të mos e lëndonin kurrë njëri-tjetrin aty ku dhemb vërtet: tek pushteti, tek pazaret dhe tek mbrojtja e ndërsjellë.
Konfliktet e tyre kanë qenë më shumë për konsum televiziv sesa për ndarje reale, një teatër i mirëinskenuar ku të dy palët e dinin se pas perdes ishin në të njëjtën anë të skenës.
Sot, kur Meta del të shenjtërojë Ahmetajn si “luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë”, nuk po ndodh ndonjë kthesë e papritur morale, por thjesht po bëhet publike një aleancë që ka ekzistuar gjithmonë.
©Copyright Vox News