FOTO: Altin Ndoci u arratis me “Audi” të 2005, shokët e prisnin jashtë spitalit me “A6”

Makina që shikoni në fotografinë e mësipërme, është “Audi” i pretenduar luksoz me të cilin “killeri” Altin Ndoci u arratis nga Spitali Rajonal i Durrësit. Ndryshe nga çfarë është deklaruar, bëhet fjalë për një mjet 20 vite të vjetër.

Nga një verifikim i newsbomb.al, rezulton se nuk bëhet fjalë për mjetin Audi A7 me targë “AA700RS” i cili është në pronësi të shtetasit SH.SH, por gërma e dytë ndryshon dhe mjeti i përdorur sot është “AB700RS”.

Altin Ndoci ndodhej prej dy ditësh i shtruar në repartin e Infektivit të Spitalit të Durrësit, ku po merrte ndihmë mjekësore për disa probleme shëndetësore të shfaqura ditët e fundit. Ai ka qëlluar efektivin që e shoqëronte dhe ka ikur me vrap.

Altin Ndoci mbahej në paraburgim që prej muajit maj 2020 me urdhër të SPAK, i akuzuar për një sërë vrasjesh të bujshme që tronditën Durrësin. Ai akuzohet si pjesë e grupit kriminal “Çopja” dhe njihet si organizator i atentateve mafioze.

Emri i tij lidhet me ekzekutimin e Anxhelo Avdisë dhe Dorjan Shkozës më 2 mars 2020, si dhe me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 prill të po atij viti.

Altin Ndoci nuk është i panjohur për drejtësinë. Që në vitin 2015 ai ishte arrestuar për një sërë veprash penale, përfshirë mbajtjen pa leje të armëve luftarake, mosbindjen ndaj policisë, sigurimin e mjeteve për vjedhje dhe vjedhjen, por kishte arritur të përfitonte lirinë përmes manovrave ligjore./ Newsbomb.al