“Konsum rekord” – Kryeministri maqedonas: Fqinjët tanë nga Shqipëria vijnë dhe furnizohen tek ne me naftë, kemi çmime të ulëta

Shqiptarët po vërshojnë masivisht në Maqedoninë e Veriut për të blerë karburant me çmim më të lirë. Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se konsumi i naftës ka arritur rekordin e mbi 2 milionë litrave në ditë për shkak të blerjeve në kufi.

“Arsyeja për këtë është se disa qytetarë nga vendet fqinje vijnë në Maqedòni për të furnizuar me karburant, veçanërisht në zonat kufitare.

Presioni më i madh është në kufijtë veriorë, jugorë dhe perëndimorë, pasi çmimet e naftës dhe benzinës në vend janë më të ulëta krahasuar me disa nga vendet fqinje,” tha Mickoski.

Të dhënat zyrtare nga qeveria e Maqedonisë së Veriut tregojnë se konsumi ditor i naftës është rritur me mbi 40 për qind krahasuar me para krizën, pikërisht për shkak të blerjeve masive nga shqiptarët dhe grekët, dy vende të cilat kanë çmim naftë shumë më të lartë se sa Maqedonia e Veriut.

“Çmimi i benzinës me 95 oktanë në vend varion midis 1.27 dhe 1.31 euro për litër, ndërsa në Greqi dhe Shqipëri ky çmim është mbi dy euro,” shtoi Mickoski.

Përllogaritjet nga zyra e statistikave në Maqedoninë e Veriut tregojnë se shqiptarët dhe grekët janë duke blerë mesatarisht 200-300 mijë litra karburant në ditë në Maqedoninë e Veriut. I pyetur nëse qeveria do të të ndërhyjë për ta kufizuar këtë fenomen, Mickoski tha se nuk ka arsye.

“Situata e furnizimit me naftë është mëse e qëndrueshme dhe nuk ka asnjë sinjal për mungesa të mundshme,” tha Mickovski.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka qenë një nga më agresivet me masa për të përmbajtur rritjen e çmimit të naftës për qytetarët.

Kjo ka bërë që diferenciali i çmimit të karburanteve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të rritet në nivele rekord.

Aktualisht në M. e Veriut çmimi i një litër nafte luhatet në nivelin 1.3 euro, ndërsa në Shqipëri është mbi 2.1 euro duke e çuar diferencën në 80 cent të euros për litër, ose 80 lekë për litër.