Për shkak të dështimit të një radari në qendrën e kontrollit të zonës së Milanos, fluturimet në qiellin e Italisë veri-perëndimore do të pësojnë devijime të paktën deri në orën 20:00 të ditës së sotme, të dielën e 20 tetorit.
Kjo u njoftua nëpërmjet një buletini zyrtar nga “Sea”, kompania operative e aeroportit që administron aeroportin Malpensa. Kjo do të çojë në vonesa serioze, ose në disa raste edhe anulime, të fluturimeve direkte jo vetëm për në aeroportin e provincës së Varese, por edhe në Torino, Bergamo dhe Genoa.
Në njoftimin zyrtar thuhet se “qiejt e qendrës së kontrollit të zonës së Milanos nuk janë në dispozicion deri në orën 18:00 të koordinuar të kohës universale për shkak të një dështimi të radarit”. Ky është një problem softuerik që ka çuar në bllokimin e sistemeve kryesore të qendrës së kontrollit. Siç raporton Corriere della Sera, Eurocontrol, agjencia evropiane që mbikëqyr lëvizjet në hapësirën ajrore të kontinentit, shpjegoi se dështimi do të ketë pasoja në fluturimet në të gjithë Italinë veri-perëndimore.
Rinisja e lëvizjeve pritet nga 24:00 sot, por vonesat mund të regjistrohen edhe në fluturimet e planifikuara për nesër, të hënën më 21 tetor. Disa nga avionët që tashmë janë nisur do të devijojnë dhe do të zbarkojnë sërish në Rome Fiumicino. Për të tjerë, mund të ndodhin edhe anullime.