Nipi organizoi grabìtjen në banesën e xhaxhait, flet një nga autorët: Leonardi na bëri skicën e shtëpisë, na tha do fitojmë 50 mln për kokë

Njëri nga tre personat e arrestuar për vjedhjen e 27 milion lekëve dhe bizhuterive me vlerë 5 mijë euro në shtëpinë e një kasapi mishi në Tiranë, ka vendosur të bashkëpunojë me policinë e kryeqytetit duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ngjarja është regjistruar në 14 Gusht, ku tashmë të arrestuar janë Leonardo Sinani, i cili është nipi i pronarit të shtëpisë së vjedhur, Durim Sinanit, Mark Hila dhe Kleand Tomja. Ndërsa në kërkim për këtë ngjarje është shpallur Antonio Budini.

Sipas gazetarit Elton Qyno, Kleand Tomja, njëri nga të arrestuarit, ka treguar gjithçka në polici, duke pohuar se organizatori dhe ideatori i vjedhjes së shtëpisë së kasapit Durim Sinani, ka qënë pikërisht nipi i tij, Leonardo Sinani.

Sinani u ka treguar 3 shokëve të tij se do të fitonin 50 milion lekë për kokë, pasi xhaxhai i tij kishte të mbledhura një sasi të konsiderueshme lekësh në shtëpi. Sipas tij Sinani ia ka shpjeguar planimetrinë e shtëpisë përmes një skice të bërë me stilolaps në një letër të bardhë, ku orientimi ishte për të hyrë nga një dritare e vogël e garazhit që ndodhej në katin e parë dhe që ishte e hapur. Ndërsa një ditë më parë në 13 Gusht 2026, Kleand Tomja, së bashku me të dashurën e Leonardo Sinanit, Sarën, kishin shkuar në zonë duke bërë fotografi dhe filmuar shtëpinë.

Kleand Tomja ka treguar se vajza me emrin “Sara”, ka dalë duke kontrolluar rrugën për të verifikuar se ku ishin të vendosura kamerat në atë zonë, dhe ajo ka dalë deri nga shtëpia e tij lart. Ai thotë se këtë shtetase e njeh me emrin “Sara”, por mesa di ajo quhet “Marsela”.

“…në datë 14 Gusht 2026 jam zgjuar nga gjumi dhe rreth orës 14:00 me makinën time me targë AB415YF, kam shkuar për të takuar Mark Hilan dhe kemi pirë kafe rreth dy orë në ‘Astir’ dhe më pas së bashku me Markun kemi shkuar tek servisi i tij, i cili quhet ‘ProExhaust’, ku kemi qëndruar për rreth 1 orë e gjysmë deri në 2 orë…”-, ka pohuar Kleand Tomja.

Më tej ky i fundit, deklaron se gjatë kësaj kohe ka komunikuar në telefon me Antonio Bodini, i cili po vinte nga Lezha dhe më pas ka ardhur dhe Leonardo Sinani, i cili është nipi i pronarit të banesës që kishin planifikuar që të vidhnin. Pasi ka ardhur Antonio Bodini, Kleand Tomja, Leonardi dhe Mark Hila, kanë biseduar në lidhje vjedhjen e banesës, ku Leonardi, i ka dhënë orientime në lidhje me banesën, se ku do hynin dhe ia ka përshkruar me skicë.

Gjithashtu, Leonardi i ka thënë se të gjithë njerëzit e banesës do të ishin në një festë, ku ai vetë do ishte i pranishëm dhe do i lajmëronte për çdo lëvizje të pronarëve të banesës. Më pas deklaron se kanë planifikuar se çfarë rroba do të vishnin, ku Antonio i ka thënë që të merrnin rroba të zeza, çorape të gjata, dorashka dhe bluzë me kapuç dhe makinën që do përdornin për të shkuar për të bërë vjedhjen do e gjente Antonio.

Më pas janë shpërndarë për të marrë rrobat dhe e kanë lënë për tu takuar sërish tek servisi dhe do niseshin për të kryer vjedhjen. Sipas tij rreth orës 19:30-20:00 janë nisur nga servisi më një automjet “Mercedez Benz”, ngjyrë të bardhë, modeli GT tipi i ri, ku drejtues mjeti ka qënë Antonio, në vendin e parë të pasagjerit është ulur deklaruesi Kleand Tomja, ndërsa në sediljen e pasme ka qenë ulur Marku.

Me makinë kanë përshkruar itinerarin nga servisi në drejtim të kompleksit “River Residence”, pastaj tek kryqëzimi që të nxjerr tek rruga e Kasharit, ku është një fidanishte, nga kryqëzimi janë kthyer majtas, pastaj tek kryqëzimi që të nxjerr tek “Top Chanel”, më pas tek rrethrrotullimi i Yzberishtit, dhe nga aty kanë marrë rrugën “e Qelqit”, më pas kanë dalë në rrugën “Llazi Miho” dhe kanë ikur në drejtim të Sharrës, ku e kanë parkuar makinën tek “Landfilli” në hyrje dhe kanë lënë çelësin në makinë.

Më pas Kleand Tomja, deklaron se Antonio dhe Marku, kanë patur me vetë në dorë kaçavida dhe Antonio gjithashtu, ka patur telefonin e Kleand Tomja, pasi i ka kërkuar që ta mbajë ai. Më tej, Tomja shprehet se kanë përshkruar rrugën përmes varrezave në drejtim të banesës që do hynin. Kur kanë shkuar tek banesa kanë tentuar që të hyjnë nga dera kryesore, por aty ka qenë babai i Leonardit, që e ka njohur Antonio dhe në një moment janë tërhequr.

Kleand Tomja, ka pohuar se i ka thënë që të tërhiqeshin dhe të mos hynin, por Antonio i ka thënë që nëse tërhiqet do ketë probleme më pas. Kanë hyrë nga avllia e banesës, i pari ka hyrë Marku, më pas ai dhe i treti ka hyrë Antonio. Tomja thotë se kanë hyrë në banesë nëpërmjet një dritareje, e cila ishte e hapur dhe për këtë dritare i ka informar, Leonard Sinani.

Nga dritarja kanë hyrë në pjesën e garazhit, ku më pas kanë dalë tek pjesa e hyrjes kryesore brenda shtëpisë dhe më pas janë ngjitur me shkallë në katin e dytë. Kur janë ngjitur në katin e dytë, kanë kërkuar për DVR dhe i ka njoftuar edhe të tjerët që ka kamera dhe më pas DVR-në, e ka gjetur Marko në një dhomë në katin e dytë dhe sipas njoftimit që i kishte dhënë Leonardi, lekët do ishin në një dhomë që dera ishte prej xhami me shinë.

Pasi janë ngjitur, Antonio, e ka hapur derën me një kaçavidë dhe janë futur brenda asaj dhome ku pasi hynë, në dhomë ka qenë e vendosur një tavolinë dhe dy divane me një veshje si me pelush të bardhë, ku tavolina ishte në mesin e dy divaneve dhe dhoma kishte dhe një dritare përballë me derën.

Sipër tavolinës ishte një kuti si ato të këpucëve, me ngjyrë gri. Kutinë e hapi Antonio dhe brenda saj ka shikuar lekët. Më pas Antonio ka marrë një qese të bardhë në mes të divanave dhe brenda qeses ka pasur dy qese me llastiqe lekësh ku njëra ishte e hapur dhe tjetra e pahapur.

Antonio, i ka hedhur në tokë qeset e llastiqeve që ishin në qesen e bardhë dhe në qesen e bardhë ka futur lekët. Më pas Antonio ka kontrolluar përsëri nepër divanë dhe poshtë tyre, dhe Markoja ka kontrolluar gjithashtu tek një makinë lodër të bardhë si ato të fëmijëve dhe një sobë, e cila kishte disa sende sipër saj. Më pas deklaron se janë larguar nga dritarja e garazhit nga ku kishin hyrë, ku Antonio ka patur në dorë qesen me lek, kurse ai DVR-në.

Më pas kanë shkuar tek vendi ku kishin lënë makinën dhe tek makina në timon ishte një person të cilin unë nuk e njihja, por të cilit Antonio i thoshte kusho. Kanë shkuar tek servisi dhe kanë hapur DVR, kur Antonio ka hequr harddiskun, ku e ka vendosur në pjesën e sipërme të tualetit, kurse pjesën e kapakut e ka hedhur Marku në kosh.

Më tej deklaron se i kanë numëruar lekët, ku kanë qenë në total 16 milion lek, disa Euro dhe disa 1 Dollarëshe. Antonio i ka dhënë 1.000 Euro shoferit që ka shkuar për ti marrë Pasi kanë shkuar tek servisi, Tomja thotë se ka marrë 375.000 lekë ai vetë, Antonio dhe Marku nga 375.000, ku lekët i ka ndarë Leo dhe pjesën tjetër të lekëve e ka marrë Leonardo Sinani.

Merkato me fund të Iumtur për Armando Brojën, vendimi që u mor për futbollistin shqiptar

Mbyllja e merkatos së verës ka sjellë një situatë të favorshme për Armando Brojën, i cili pritet të ketë më shumë hapësira në repartin ofensiv të Bërnlit gjatë muajve të ardhshëm.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vazhdon aventurën në Championship, por zhvillimet e orëve të fundit të merkatos kanë ndryshuar ndjeshëm konkurrencën në sulmin e skuadrës së tij.

Bërnli vendosi të largonte Zian Fleming, një prej alternativave kryesore të repartit ofensiv, duke e transferuar te Ipsuiç. Drejtuesit e klubit nuk ndërhynë më pas në merkato për të sjellë një tjetër qendërsulmues, duke zgjedhur të vazhdojnë pjesën e parë të sezonit me Brojën dhe Zeki Amdunin si opsionet kryesore për rolin e numrit 9.

Ky vendim mund të shndërrohet në një mundësi të rëndësishme për 24-vjeçarin shqiptar. Me më pak konkurrencë në repart, Broja pritet të ketë më shumë shanse për të luajtur dhe për të fituar vazhdimësi, diçka që i ka munguar gjatë sezoneve të fundit.

Gjithçka do të varet edhe nga gjendja e tij fizike. Dëmtimet dhe mungesa e ritmit kanë ndikuar ndjeshëm në ecurinë e sulmuesit në vitet e fundit, duke e penguar të shfaqë potencialin që tregoi në fillimet e karrierës në futbollin anglez.

Nëse arrin të qëndrojë larg problemeve fizike, muajt deri në hapjen e merkatos së janarit mund të jenë një mundësi e artë për Brojën. Minutat e rregullta dhe një rol më i rëndësishëm te Bërnli mund ta ndihmojnë sulmuesin kuqezi të rigjejë formën dhe besimin që i kanë munguar në sezonet e fundit.

Harrojeni vjeshtën! Shtatori nis me temperatura përvëluese. Ekspertët paralajmërojnë rikthimin e “kupoIës së nxehtësisë”

Nisja e shtatorit nuk pritet të sjellë menjëherë një ndryshim të ndjeshëm të motit në Itali dhe pjesë të Europës. Pas disa ditëve me reshje dhe stuhi të izoluara, veçanërisht në zonat malore, meteorologët paralajmërojnë rikthimin e temperaturave të larta dhe të masave të nxehta ajrore nga Afrika.

Sipas La Repubblica, Italia mund të përballet me një tjetër valë të nxehti afrikan gjatë ditëve në vijim. Temperaturat pritet të qëndrojnë mbi mesataret sezonale, ndërsa në Romë mund të arrijnë sërish në 36-37 gradë Celsius.

Situata mund të përkeqësohet nga e enjtja, kur një anticiklon i fuqishëm afrikan pritet të zgjerohet mbi Itali dhe pjesë të tjera të Europës. Skenari i parashikuar nga meteorologët përfshin mundësinë e krijimit të një “Heat Dome”, ose “kupole nxehtësie”, që mund të prekë edhe Gjermaninë, Zvicrën, Francën dhe Austrinë.

Edhe veriu i Italisë pritet të përjetojë temperatura të pazakonta për këtë periudhë të vitit. Në Milano, temperaturat mund të ngjiten deri në 36°C, një nivel i konsiderueshëm për muajin shtator dhe që, nëse konfirmohet, mund të afrohet me vlerat rekord të regjistruara në këtë muaj.

Megjithatë, parashikimet afatshkurtra mbeten të lidhura me zhvillimin e masave ajrore dhe lëvizjen e anticiklonit. Në disa zona, hyrja e shtatorit mund të shoqërohet fillimisht me reshje dhe episode të izoluara atmosferike, përpara rikthimit të motit të nxehtë.

Ndërsa vera meteorologjike ka përfunduar, vjeshta astronomike nis më 23 shtator. Deri atëherë, temperaturat mbi mesataren mund ta zgjasin ndjesinë e një vere që duket se nuk po dorëzohet lehtë.

Pas suImit në Leipzig, Evropa dhe NATO përgatiten për përgjigje të ashpër ndaj Rusisë! Çfarë do të bëjë SHBA?

Tensionet mes Gjermanisë dhe Rusisë po përshkallëzohen pas incidentit me dron në aeroportin e Leipzigut. Berlini akuzon Moskën për një sulm hibrid, ndërsa Rusia i mohon kategorikisht këto akuza.

Në këtë situatë, Bashkimi Evropian dhe NATO po diskutojnë një përgjigje të përbashkët. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të zhvillojnë një takim ku në fokus do të jetë forcimi i bashkëpunimit kundër kërcënimeve hibride.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s po shqyrtojnë masa të reja ndaj Rusisë. Gjermania ka kërkuar që në nivel evropian të merren masa ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” ruse dhe të vendosen sanksione të tjera.

Berlini: Nuk është një incident i izoluar

Ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, deklaroi se autoritetet gjermane kanë gjetur elemente që, sipas tyre, lidhin Rusinë me incidentin në Leipzig.

Bëhet fjalë për karakteristikat e dronit, pjesët e përdorura, eksplozivët dhe ngjashmëritë me mënyrën e veprimit të operacioneve të mëparshme ruse në Evropë.

Dobrindt tha se incidenti nuk duhet parë si një ngjarje e veçuar, por si pjesë e një fushate më të gjerë të operacioneve hibride.

“Ne nuk jemi në luftë, por jemi çdo ditë objektiv i luftës hibride”, deklaroi ministri gjerman.

Sipas autoriteteve gjermane, një dron i pajisur me eksploziv ishte zbuluar më 4 gusht pranë avionëve ukrainas të transportit. Pajisja shpërthyese nuk kishte funksionuar. Gjithashtu, dyshohet se një tjetër dron mund të jetë përplasur me një avion transporti mallrash që ndodhej aty pranë.

Si pjesë e reagimit ndaj situatës, Gjermania ka njoftuar se më 18 shtator do të mbyllë “Shtëpinë e Rusisë” në Berlin dhe Konsullatën Ruse në Bon.

Vendimi është mirëpritur nga institucionet evropiane, partnerët e Berlinit dhe NATO.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se sulmet hibride nuk mund të mbeten pa një përgjigje të qartë.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se sulmet e tilla po shtohen në Evropë dhe nuk mund të mbeten pa reagim.

Moska paralajmëron kundërpërgjigje

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat gjermane.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Berlini po përdor një “justifikim të pabazuar” për të përshkallëzuar marrëdhëniet dypalëshe.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të japë një përgjigje ndaj masave të Gjermanisë.

NATO dhe BE kërkojnë një qëndrim të përbashkët

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përpjekjet e Rusisë për të frikësuar vendet evropiane dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën do të dështojnë.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili deklaroi solidaritetin e Greqisë me Gjermaninë.

Mbështetje për Berlinin kanë shprehur edhe Britania e Madhe, Italia, Suedia, Finlanda, Irlanda dhe Ukraina.

Përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, konfirmoi se po përgatitet një takim i ministrave të Jashtëm, me fokus te forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s kundër kërcënimeve hibride.

Sytë nga Uashingtoni

Një nga pikëpyetjet kryesore mbetet qëndrimi i Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa vendet evropiane dhe NATO po shprehin mbështetje për Gjermaninë dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët ndaj Rusisë, Uashingtoni deri tani nuk ka dhënë një reagim të qartë publik.

Pyetja kryesore është nëse administrata amerikane do të mbështesë publikisht Gjermaninë dhe aleatët evropianë, apo do të përpiqet të ulë tensionet me Moskën.

Një përgjigje për këtë çështje mund të vijë pas takimit mes von der Leyen dhe Rutte dhe diskutimeve të ministrave të Jashtëm.

U rrit pa të atin dhe la pas nënën me kàncer/ Tragjedia pas aksìdentit ku humbi jetën 26-vjeçari Xhesjon Zogu

Një udhëtim i zakonshëm drejt punës është shndërruar në një fatalitet të rëndë mëngjesin e së mërkurës për gazetarin 26-vjeçar Xhesjon Zogu. I riu, i cili udhëtonte nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur mbi Urën e Gjolës, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë. Ngjarja … Continue reading “U rrit pa të atin dhe la pas nënën me kancer/ Tragjedia pas aksìdentit ku humbi jetën 26-vjeçari Xhesjon Zogu”

Një udhëtim i zakonshëm drejt punës është shndërruar në një fatalitet të rëndë mëngjesin e së mërkurës për gazetarin 26-vjeçar Xhesjon Zogu.

I riu, i cili udhëtonte nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur mbi Urën e Gjolës, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi një automjet tip “Benz”, i cili udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar.

Mjeti është përplasur kokë më kokë me automjetin tip “Land Rover” që drejtohej nga gazetari Xhesjon Zogu, i cili vinte në drejtim të kundërt. Përplasja ka qenë tejet e fortë, duke u shkaktuar dëme të shumta materiale të dyja mjeteve.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëhirë shërbimet e urgjencës, por gazetari 26-vjeçar nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur edhe shoferi i mjetit tjetër, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Humbja e 26-vjeçarit ka tronditur opinionin publik, ndërsa pas figurës së tij fshihej një histori e trishtë familjare. Xhesjon Zogu u rrit jetim, pasi babai i tij u vra 20 vite më parë. I riu jetonte vetëm me nënën e tij që vuan nga një sëmundje e rëndë kancerogjene, ndërsa i vëllai ndodhet i arrestuar.

Pavarësisht këtyre sprovave të mëdha jetësore, Xhesjoni zgjodhi të ecte përpara dhe të ndiqte pasionin e tij për median, ku punoi me përkushtim në disa uebsajte dhe televizione në vend.

VIDEO/ Dalin pamjet e konfIiktit, momentì kur Jozi g¤det Edin me miqtë e tij

Pas disa ditësh raportimesh dhe pretendimesh në rrjet, tashmë po qarkullon edhe një video nga përplasja mes Joz Markut dhe Edi Kuçit.

Në pamjet e publikuara pretendohet se Jozi ndodhet së bashku me disa persona të tjerë, ndërsa Edi përfshihet në një konflikt fizik me grupin. Situata duket e tensionuar dhe gjatë përplasjes shihen edhe goditje.

Videoja vjen pas raportimeve të ditëve të fundit se mes dy ish-banorëve kishte ndodhur një sherr. Më herët, Edi ishte parë në Tiranë me një fashë në kokë, por në atë moment nuk dihej nëse dëmtimi kishte lidhje me konfliktin e përfolur.Pamjet e reja konfirmojnë se ka pasur një përplasje fizike, por nga fragmenti që po qarkullon nuk mund të përcaktohet e gjithë dinamika e ngjarjes. Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur përpara nisjes së konfliktit, kush e ka provokuar përplasjen dhe si ka përfunduar ajo.

Po ashtu, vetëm nga pamjet e publikuara nuk mund të përcaktohet nëse dëmtimi për të cilin Edi u shfaq më vonë me fashë është shkaktuar pikërisht gjatë këtij episodi.

Videoja është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa pritet që palët e përfshira të japin versionin e tyre për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit.

VIDEO

Aksidenti i mori jetën, 49-vjeçari në Kavajë ishte djali i trajnerit të njohur dhe ish-kryebashkiakes së Shijakut

49-vjeçari që humbi jetën në aksidentin e mëngjesit të së hënës në Gosë-Vilëbashtovë të Kavajës është djali i dy personave publikë.

Prindërit e viktimës Laurel Alite që humbi jetën nga përplasja e motorit të tij me një makinë, janë ish-lojtari dhe ish-trajneri i ekipit të volejbollit “Erzeni”, Lulzim Alite dhe ish-kryebashkiakja e Shijakut dhe mësuesja, Afërdita Alite.

Lulzim Alite ka veshur fanellën shijakase, për të cilën edhe i biri duket se ndante të njëjtin pasion. E shoqja, Afërdita, ka shërbyer edhe si drejtuese e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Shijak. Komuniteti i Shijakut e përshkruan Laurelin si një njeri “të mrekullueshëm” dhe “të gatshëm për të ndihmuar.”

“Kushdo që ka punuar me Lelin e di se sa njeri i mrekullueshëm, pozitiv dhe i gatshëm për të ndihmuar ka qenë. Do të na mungojë shumë të gjithëve. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen e tij në këto momente të rënda”, thuhet në një postim të ndarë në rrjete sociale.

Nga postimet e tij në rrjetet sociale, kuptohet se Laurel Alite ka lënë pas bashkëshorten dhe dy vajzat

Horoskopi për ditën e sotme, e Enjte 3 Shtator  2026

DASHI

Hëna hyn te Binjakët dhe mendja hapet ndaj ideve të reja dhe lidhjeve të papritura. Ne mund të kapim njohuri të dobishme pa i shndërruar ato menjëherë në vendime. Është një kohë e mirë për të vëzhguar, dëgjuar dhe mbledhur informacion. Disa njohuri thjesht duhet të shkruhen.

DEMI

Hëna largohet nga shenja e saj në pasdite, duke sjellë pak shqetësim. Le t’i përdorim orët paraprake për të përfunduar çështje praktike urgjente. Ndërsa mëngjesi kalon, mendjet tona bëhen më të gjalla. Le t’i pranojmë disa ngjarje të papritura me një frymë pozitive dhe krijuese.

BINJAKËT

Disa surpriza pas drekës, falë Hënës sonë. Një telefonatë e papritur, një propozim interesant, lajme që i trondisin gjërat. Intuitat e sotme meritojnë më shumë vëmendje. Ajo ndjesi e brendshme na tregon të vërtetën.

GAFORRJA

Ndihemi të gjallë dhe kuriozë, por Hëna largohet nga Demi. Në mëngjes, do ta përfundojmë atë që kemi filluar me vendosmëri. Ndjejmë energji të mira për të mësuar diçka të re. Le të lexojmë, të mësojmë dhe të zgjerojmë horizontet tona me kuriozitet.

LUANI

Kur zgjohemi, gjithçka na duket e ngadaltë, por pastaj energjia ndryshon. Një mesazh i papritur na ngjall kuriozitetin për diçka të re. Kontaktet e rëndësishme hapin dyer që kanë qenë të mbyllura për një kohë shumë të gjatë dhe sjellin një gllënjkë ajri të freskët.

VIRGJËRESHA

Në punë shfaqet një tension i caktuar midis nevojave praktike dhe marrëdhënieve. Është më mirë të mos bëheni të paepur për një detaj që mund të negociohet me qetësi. Hëna inkurajon ndërmjetësimin. Një diskutim i qetë shmang fërkimet e panevojshme dhe mban marrëdhënie të forta profesionale.

PESHORJA

Sapo zgjohesh, atmosfera është monotone, por më pas vijnë stimuj të ndryshëm, lidhje të papritura, një bisedë që ia vlen të ndiqet. Barbanera rekomandon kultivimin e asaj njohjeje të re. Lidhje më të frytshme formohen pa i detyruar ato.

AKREPI

Në pasdite, Hëna largohet nga Demi dhe diçka bëhet më e lehtë. Njohuritë vijnë tinëzisht, sikur të mos i kërkonim. Një takim i kohëve të fundit hap një dritare shumë interesante. Le të mos e lëmë të venitet për shkak të inercisë.

SHIGJETARI

Hëna hyn te Binjakët, ku takohet me Uranin, i cili është tashmë në opozitë. Falënderojmë Neptunin dhe Plutonin për hapjen e horizonteve të reja dhe lehtësimin e tensionit. Mërkuri në kuadraturë ngadalëson të gjitha negociatat. Marrëveshjet kanë nevojë për më shumë kohë për t’u pjekur.

BRICJAPI

Ne dimë si ta vlerësojmë me kujdes çdo hap dhe kjo na lejon të përfundojmë një detyrë me saktësi dhe besueshmëri. Në jetën tonë private, ne shmangim ngurtësinë. Me një dozë bindjeje, dialogu bëhet më i lehtë.

UJORI

Mendjet tona janë të përqendruara në projekte afatgjata, dhe ndërsa Hëna lëviz në Binjakët, ndiejmë nevojën për të eksploruar zbatime të reja praktike. Le të mos i ndjekim thjesht mekanikisht urdhrat, por të shtojmë një dozë kurioziteti.

PESHQIT

Mëngjesi mblidhet, pastaj Hëna kalon në Binjakë dhe idetë shumohen, por ne e dimë se si funksionon: jo të gjitha meritojnë vëmendje. Urani në katror krijon pengesa të vogla teknike ose logjistike, dhe disa nga planet tona duhet të rishikohen. 

Moti merr kthesë në shtator, meteorologët paralajmërojnë reshje të fuqìshme

Pas një vere përvëluese dhe valëve të përsëritura të të nxehtit, Europa pritet të përballet gjatë shtatorit me një ndryshim të kushteve atmosferike dhe mot më të paqëndrueshëm.

Ekspertët thonë se ndryshimet do të vihen re më tepër në rajonin e Mesdheut, ku temperaturat e larta të ujit mund të ndikojnë në krijimin e sistemeve të fuqishme atmosferike.

Pas tre muajsh ngrohjeje, deti arrin temperaturat më të larta vjetore dhe nis të përballet me masat e para ajrore të ftohta. Kontrasti mes detit të ngrohtë dhe ajrit më të ftohtë mund të krijojë kushte për reshje shumë intensive.

Sipas meteorologëve, vera e nxehtë e ka “ngarkuar” Mesdheun me energji, duke rritur potencialin për fenomene ekstreme të motit gjatë periudhës së ardhshme.

Ndërkohë, El Niño po intensifikohet dhe pritet të ndikojë modelet klimatike globale gjatë muajve në vazhdim.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se temperaturat gjatë vjeshtës mund të mbeten mbi normalen.

Shkencëtarët ngrenë shqetësimin se, nëse këto tendenca vazhdojnë, viti 2027 mund të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

KARBURANTET ‘I VËNË FLAKËN’ ÇMIMEVE/ Shqipëria ndër vendet me nàftën më të shtrenjtë në botë

Nafta në Shqipëri po rezulton një nga karburantet më të shtrenjta në Europë dhe në botë. Sipas platformës Global Petrol Prices, në muajin gusht një litër naftë kushton rreth 2.5 dollarë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 13-të në botë.

Me këtë çmim, Shqipëria konkurron me vende si Monako, Zvicra, Finlanda dhe Singapori, ndërsa çmimi mesatar në Europë është rreth 2.2 dollarë për litër. Në rajon, diferenca është edhe më e dukshme. Maqedonia e Veriut, për shembull, e ka naftën rreth 1.49 euro për litër.

Por problemi nuk lidhet vetëm me çmimin në pompë. Një tjetër klasifikim, nga platforma FuelWide, e rendit Shqipërinë të dytën në Europë, pas Ukrainës, për koston e naftës në raport me pagat mesatare.

Sipas të dhënave të cituara nga Balkan View, me një pagë mesatare prej rreth 740 eurosh, në Shqipëri mund të blihen afërsisht 363 litra naftë. Në Kosovë, pavarësisht pagave më të ulëta, një pagë mesatare mund të blejë rreth 103 litra më shumë naftë.

Kjo diferencë e bën karburantin një barrë të drejtpërdrejtë për buxhetet familjare, por edhe për bizneset dhe transportin, pasi çdo rritje e kostos së naftës mund të reflektohet më pas në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Në krye të renditjes globale për çmimin më të lartë të karburantit qëndron Hong Kongu, me rreth 4.6 dollarë për litër.

Ndërkohë, pesha e karburantit në ekonominë shqiptare reflektohet edhe në të ardhurat e shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm gjatë vitit të kaluar arkëtimet nga taksat e shtuara mbi karburantin arritën në rreth 250 milionë euro.

Kështu, Shqipëria përballet njëkohësisht me një çmim të lartë të naftës, fuqi blerëse më të kufizuar dhe një barrë të konsiderueshme fiskale mbi karburantet.