“Hipi në ambulancë dhe u zbrit, kush e dha urdhrin?” / Mjeku “ρΙas bo mbën” për Erjon Vishkullin që rrezikon shikimin

Mjeku Ermal Pasha ka bërë një denoncim të fortë lidhur me momentet pas plagosjes së rëndë të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë dhe rrezikon të humbasë shikimin.

Në një intervistë televizive, Pasha deklaroi se kishte tentuar t’i jepte ndihmën e parë të riut, por ishte penguar të afrohej, pavarësisht se ishte prezantuar si mjek.Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si u transportua i plagosuri, duke pretenduar se Vishkulli ishte futur fillimisht në një ambulancë të policisë, por më pas ishte zbritur prej saj.

“Ishte një moment kur pashë një person në anën tjetër të Lanës, që ishte shtrirë dhe rreth tij ishin mbledhur disa persona. Mendova se ishte një moment asfiksie nga gazi.

Kur pashë që situata po zgjaste, tentova të vrapoja drejt tij, por nuk më lejuan. Isha vetëm. Hoqa maskën, syzet dhe u prezantova që të më njihnin. Doja ta ndihmoja, por u pengova”, deklaroi ai.Mjeku ngriti më pas një pyetje për autoritetet, duke kërkuar të sqarohet se përse i plagosuri, sipas tij, u zbrit nga automjeti ku ishte vendosur fillimisht.

“Si ka mundësi që hipi në ambulancën e policisë dhe më pas u zbrit? Kush e dha urdhrin? E mori një ambulancë që rrinte te radhët e policisë, një fuoristradë e transformuar në ambulancë, një nga ato që transportonin edhe gaz lotsjellës”, u shpreh mjeku.

Kush është kardioIogu që rrëzoi Vuçiç pas 14 vitesh në pushtet

Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është figura që udhëhoqi drejt fitores “Listën e Studentëve” në Serbi, duke i dhënë fund dominimit politik 14 vjeçar të Aleksandar Vuçiç

Po kush është Ilija Srdanoviç?

Angazhimi i tij politik mori një drejtim të ri pas mbështetjes publike për protestat studentore kundër korrupsionit. Në shtator të vitit 2026, ai u prezantua si drejtues i listës së pavarur studentore, duke përfaqësuar një lëvizje që kërkon ndryshime në mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe në drejtimin e vendit.

Platforma e tij politike vë theksin te decentralizimi i sistemit shëndetësor dhe te përparësia e interesave kombëtare, përpara një integrimi të menjëhershëm në Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi të fundit me studentët në Novi Sad, ku u prezantua si kandidat, Srdanoviç u ndal te tragjedia e stacionit hekurudhor të qytetit, ku shembja e një strehe betoni shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ai theksoi se, gati dy vjet pas ngjarjes, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.

Sipas tij, një pjesë e shpresës për ndryshim lidhet me brezin e ri dhe angazhimin e tij për një të ardhme më të mirë të Serbisë. Ai e sheh rininë si një forcë që mund të ndikojë në transformimin e vendit dhe në përmirësimin e institucioneve.

Srdanoviç ka lindur në vitin 1970 në Novi Sad, ku ka ndërtuar edhe karrierën e tij akademike dhe profesionale. Pas përfundimit të studimeve të mjekësisë dhe specializimeve përkatëse, ai mbrojti doktoraturën në vitin 2012.

Prej vitit 2018, ai është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad, ku jep mësim në departamentin e mjekësisë së emergjencave.

Përfshirja e tij në lëvizjen studentore erdhi në kuadër të protestave kundër korrupsionit, të cilat ai i mbështeti që në fazat e para. Ai doli për herë të parë për të folur në tubimet e zhvilluara në Beograd në maj të këtij viti, duke e forcuar gradualisht profilin e tij publik.

Me përvojën në fushën e mjekësisë dhe angazhimin në lëvizjen studentore, Srdanoviç është shndërruar në një nga figurat përfaqësuese të përpjekjeve për ndryshim politik në Serbi.

“Nëse kam korrùptuar, kam korruptuar shtetin!” Ermal Beqiri flet nga gjykata franceze, hedh akuza për proces politik

Biznesmeni Ermal Beqiri, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për çështjen e tenderëve të AKSHI-t, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë. Gjykata e Apelit në Amiens ka refuzuar kërkesën e tij për lirim, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Gjatë seancës së zhvilluar të premten, më 23 tetor, Beqiri ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se hetimi i autoriteteve shqiptare ka motive politike.

Sipas gazetës franceze Le Courrier Picard, biznesmeni ka vënë në pikëpyetje faktin që, ndërsa ai akuzohet për korrupsion, sipas pretendimit të tij, zyrtarët që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari nuk ndodhen pas hekurave.

“Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, është shprehur Beqiri përpara trupit gjykues.

Në qendër të procesit gjyqësor në Francë është kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij, në kuadër të hetimeve të SPAK për dyshime mbi manipulimin e tenderëve publikë në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Hetimi përfshin 19 procedura prokurimi, me një vlerë totale të përllogaritur prej rreth 59 milionë eurosh. Prokuroria e Posaçme dyshon se biznesmeni ka pasur rol në një skemë që synonte sigurimin e kontratave publike përmes kufizimit të konkurrencës dhe përdorimit të presionit.

Ndërkohë, mbrojtja ligjore e Beqirit ka kundërshtuar dokumentacionin e paraqitur nga institucionet shqiptare për të mbështetur kërkesën e ekstradimit.

Avokati Nicolas Paganelli ka ngritur pikëpyetje mbi garancitë e ofruara nga Shqipëria, duke i cilësuar dokumentet të paplota dhe të pamjaftueshme.

Në dosjen e dërguar autoriteteve franceze përfshihen shkresa nga Ministria e Drejtësisë, SPAK dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilat synojnë të ofrojnë garanci për procedurat ligjore dhe trajtimin e biznesmenit në rast ekstradimi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e prokurorisë franceze është shprehur në favor të dorëzimit të Beqirit tek autoritetet shqiptare, duke argumentuar se gjykata në Amiens nuk ka për detyrë të gjykojë funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ermal Beqiri u arrestua në Francë në fund të muajit korrik, pas një incidenti me avionin e tij privat, me të cilin fluturoi mbi centralin bërthamor të Penly-t.

Pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes për të siguruar lirimin e tij, gjykata franceze ka vendosur vijimin e paraburgimit.

Tashmë, biznesmeni mbetet në pritje të vendimit që do të përcaktojë nëse do të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë për çështjen e tenderëve të AKSHI-t.

Horoskopi për ditën e sotme, e Hënë 26 Tetor 2026

Dashi

Ngjarjet e reja dhe stimuluese, si edhe ndryshimet e papritura, nuk ju trembin. Përkundrazi, ato ju nxisin të bëni edhe më shumë, të kaloni konkurrentët dhe ata që synojnë të njëjtat objektiva si ju. Ka shumë fenomene astrologjike në qiellin e kësaj vere vërtet të zjarrtë, por zjarri më i bukur jeni ju vetë: të dashur dhe të dëshiruar.

Nesër do të lindë një Hënë e rëndësishme, në fazën e çerekut të fundit, e cila prek familjen dhe pozicionin tuaj në punë. Përgatituni, sepse ju e dini mirë se çfarë duhet ndryshuar.

Demi

Shprehni veten dhe idetë tuaja në çdo mënyrë të mundshme. Merkuri ju ndihmon në diskutime, në biseda të drejtpërdrejta dhe në çështje të shkruara. Kujdes me aspektet ligjore. Ky është një paralajmërim që do ta gjeni shpesh në horoskopin tuaj për aq kohë sa Jupiteri qëndron në Luan.

Megjithatë, duhet të dini t’i dalloni njerëzit. Duhet t’i kuptoni menjëherë ata që nuk kanë qëllime të mira dhe që ju drejtojnë kritika të pasinqerta. Fakti që mund të mbështeteni te Urani, planeti që sjell fitime, është shumë i rëndësishëm për ju. Ndërkohë, të afërmit mund të bëhen një pushtim i vërtetë në jetën tuaj.

Binjakët

Vijnë mundësi të tjera të menjëhershme për rikthime, fitime nga puna juaj dhe një intuitë të veçantë. Mund të ketë edhe një goditje fati. Duhet të kujtojmë se çereku i fundit i Hënës që po lind nuk është një fazë shumë sentimentale.

Megjithatë, sot keni ende Venusin që digjet nga dashuria, së bashku me Jupiterin në Luan, shenjë që lidhet me të afërmit tuaj, por edhe me takime të reja, të shkurtra dhe pasionante. Përballë ndikimeve kaq të fuqishme astrologjike dhe pa asnjë aspekt negativ, jeni ju ata që mbani kontrollin.

Gaforrja

Pas një jave, Hëna do të jetë në shenjën tuaj dhe do të bëhet Hëna juaj e re personale. Ajo do të nisë një vit me ndryshime themelore për të tashmen dhe të ardhmen e jetës suaj.

Sot dhe nesër, megjithatë, Hëna nuk mund të ketë të njëjtën forcë pozitive, sepse kalon në çerekun e fundit në një shenjë të vështirë. Por, në të njëjtën kohë, kjo është një fazë e rëndësishme për suksesin tuaj. Kushtojini shumë kohë vetes, familjes dhe shëndetit. Mos e humbni nga sytë dashurinë. Dashuri të pamundura? Lërini aty ku janë.

Luani

Janë diskutimet e zakonshme të fillimit të javës, por besimi te vetja ju shtyn pothuajse me fanatizëm drejt objektivit që dëshironi të arrini. Hëna në çerekun e fundit është një ndihmë e jashtëzakonshme për pasuritë e paluajtshme, sepse lind në bashkim me Saturnin në Dash.

Ky kalim mund të lidhet edhe me punën, marrëveshjet ose bizneset në vende të huaja, madje edhe në ndonjë ishull ekzotik. Burrat mbrohen nga Venusi, ndërsa gratë nga Jupiteri, Marsi, Urani, Saturni dhe Neptuni. A do ta kishit menduar këtë një vit më parë? Ne po.

Virgjëresha

Merkuri është pozitiv në Gaforre dhe do të bëhet edhe më pozitiv gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, tani mund të jetë i ndryshueshëm dhe paksa «me humor», ndaj nuk është gjithmonë i besueshëm për transaksione të mëdha.

Zgjeroni rrethin e njohjeve dhe të miqësive, kjo është e këshillueshme. Por, mbi të gjitha, hapini krahët dashurisë. Çereku i fundit i Hënës lind në Dash, një shenjë që nxit edhe transformime të thella. Por, në këtë moment, ajo prek më shumë sferën personale, bashkëshortore dhe familjare.

Një udhëtim i shkurtër pranë liqenit do të ishte ideal. Është një klasik i periudhës së Gaforres.

Peshorja

Ruani diskrecionin. Fati nuk ju braktis. Tani keni Jupiterin dhe Venusin në një aspekt shumë të bukur, ndërsa Marsi drejton të gjitha takimet tuaja të biznesit. Kjo Hënë në çerekun e fundit nuk mund ta ndërpresë rrjedhën e gjërave.

Megjithatë, ajo ndërhyn në bashkëpunimet e vjetra, sepse lind pranë Saturnit. Ju detyron të bëni një analizë që nuk e keni bërë prej kohësh: të mendimeve, qëllimeve, projekteve dhe ndjenjave tuaja.

Te burrat e Peshores vihet re një fuqi e madhe pasionale, ndërsa gratë mund të ndihen më të penguara nga ndikimi i Hënës.

Akrepi

Yje të nxehta për jetën profesionale. Po afrohet një mundësi e rëndësishme biznesi. Parashikimi mbështetet te Hëna në rënie në Dash, në fazën e çerekut të fundit. Kjo fazë mund të trembë disa shenja të tjera, por ju jep aftësinë për ta vlerësuar mirë çdo mundësi.

Mbani parasysh se situata profesionale, ekonomike, studimet dhe kërkimi për punë të reja pranë kompanive të mëdha ndikohen vazhdimisht nga faktorë që mund të përmbysin shumë realitete nga një moment në tjetrin.

Shigjetari

Ekonomia tradicionale përfiton nga ky çerek i fundit i Hënës në Dash, sot dhe nesër, sepse gjatë këtij kalimi Saturni ndikon në mënyrë shumë pozitive. Saturni është planeti që lëviz kapitalet.

Optimizmi është i madh, sepse tani mbështeteni edhe nga Jupiteri në Luan, i cili nuk mungon të dërgojë sinjale fati. Megjithatë, fizikisht nuk mund të jeni në formën tuaj më të mirë. Marsi në opozitë është shumë agresiv, ndaj herë pas here duhet të relaksoheni. Ka nisje drejt diçkaje të re, edhe në dashuri.

Bricjapi

Dashuria dhe trupi kërkojnë kujdes të veçantë. Nis çereku i fundit i Hënës në Dash, një fazë shumë e rëndësishme dhe e ngarkuar për familjen dhe marrëdhënien prind-fëmijë.

Megjithatë, keni edhe katër ndikime të jashtëzakonshme që ju ndihmojnë të zgjidhni gjithçka, përfshirë edhe çështjet ekonomike. Këto janë Venusi, Jupiteri, Marsi dhe Urani.

Me këto forca kozmike, që janë mbi të gjitha burim guximi dhe vetëdijeje, mund të rifilloni gjithçka që nuk ju ka ecur më parë.

Ujori

Lëvizjet në punë nuk janë aspak të këqija. Merkuri është në vendin e duhur, por mbi të gjitha është Hëna, në çerekun e fundit në Dash, në shtëpinë tuaj të tretë astrologjike, e lidhur me paratë, që sjell mundësi të reja dhe të papritura.

Jupiteri në opozitë mund të shkaktojë ndonjë krizë me bashkëpunëtorët ose ortakët, por nuk e pengon lindjen e marrëveshjeve të reja. Me Marsin dhe Uranin në shenjën e Binjakëve, mund të ndodhë gjithçka, madje edhe një dashuri e çmendur.

Peshqit

Parashikimet janë optimiste për nismat tuaja në fushën praktike. Hëna hyn në çerekun e fundit pranë Saturnit dhe Neptunit, planetit tuaj, të cilët tani kalojnë në sektorin e pasurisë personale dhe familjare.

Prisni diçka nga të afërmit tuaj? Duket sikur jeni gjithmonë në gjykatë. Edhe çështjen më të vogël e ktheni në një debat që zgjat pafund. Bëni një pauzë.

Neptuni duket si një varkë me vela, e shtyrë nga një erë e lehtë pasioni.

Lajm i mirë për çiftet e reja: 4 mënyrat si mund të përfịtohet banesë e përballueshme nga shteti

Çmimet e larta të apartamenteve dhe qirave në tregun e lirë e kanë kthyer blerjen e një shtëpie në një mision pothuajse të pamundur për mijëra familje të thjeshta në Shqipëri. Përballë kësaj situate, qeveria ka propozuar një projektligj të ri, i cili prezanton konceptin e “Strehimit të Përballueshëm”.

Kjo reformë nuk synon shtresat në varfëri ekstreme, por targeton drejtpërdrejt shtresën e mesme: çiftet e reja deri në 45 vjeç, të rinjtë deri në 29 vjeç në fillimet e karrierës, studentët dhe punonjësit e shërbimeve publike (mjekë, mësues, policë).

Sipas projektligjit të ri, administrimi i skemës do të kalojë në dorën e Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social. Për qytetarët që plotësojnë kriteret ekonomike, ligji hap 4 rrugë zyrtare për të siguruar një shtëpi të lirë ose mbështetje financiare.

Reforma e Strehimit / Ja 4 mënyrat si mund të përfitohet

1. Programi “Qira me të Drejtë Blerjeje” (QDB)

Kjo është një nga risitë e ligjit të ri për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë menjëherë një vlerë të madhe kapitale.

• Si funksionon: Qytetari futet të jetojë në një banesë në pronësi të shtetit (të administruar nga AKTSS) dhe paguan një tarifë periodike mujore (qira).

• Përfitimi: Ndryshe nga qiratë normale ku paratë shkojnë vetëm për qiranë, në këtë program një pjesë e mirë e pagesës mujore llogaritet automatikisht si këst për blerjen e shtëpisë. Pas kalimit të afatit të kontratës, apartamenti kalon përfundimisht në pronësinë tuaj.

2. Blerje me “Financim të Kombinuar” (Formula 30-40-30)
Ky mekanizëm është projektuar për familjet që duan të blejnë një shtëpi menjëherë, por çmimet e tregut janë jashtë mundësive të rrogës së tyre.

• Si funksionon: Barra financiare e blerjes së shtëpisë ndahet në tre pjesë:
• 30% e vlerës paguhet nga vetë qytetari (përmes kursimeve).
• 40% e vlerës sigurohet përmes një kredie standarde bankare.
• 30% e vlerës dhurohet falas nga shteti në formën e një granti të menjëhershëm ose subvencioni nga Fondi për Strehim.

Këtë pjesë qytetari nuk ka asnjë detyrim ligjor ta kthejë mbrapsht, pasi ajo jepet si grant.

3. Kredi me Interes 0% dhe Garanci Financiare
Për qytetarët që aplikojnë në programin e Banesave me Kosto të Ulët (BKU), shteti ka hequr barrierat kryesore që vendosin bankat private.

• Interesi 0%: Shteti merr përsipër të paguajë të gjitha interesat bankare përmes Fondit për Strehim. Qytetari do të kthejë në bankë vetëm vlerën neto të kredisë që ka marrë (principalin), pa asnjë lek shtesë.

• Garancia shtetërore: Nëse një qytetar ka rrogë të mjaftueshme për të paguar këstin, por banka e refuzon sepse nuk ka kolateral (pronë tjetër për ta lënë peng), AKTSS futet si garant zyrtar përpara bankës duke mbuluar rrezikun e kredisë.

4. Apartamente “Me Kosto të Ulët” në Komplekse Shtetërore

Reforma sjell shkrirjen e Entit Kombëtar të Banesave dhe zëvendësimin e tij me një shoqëri aksionere shtetërore të quajtur “Shoqëria Shqiptare e Strehimit Social” (SHSHSS, sh.a.).

• Si funksionon: Kjo kompani shtetërore do të ndërtojë blloqe banimi me destinacion të kombinuar. Brenda të njëjtit bllok do të ketë banesa sociale me qira të lirë, banesa që shiten në treg të lirë për të nxjerrë fitim, dhe banesa me kosto të ulët.

• Përfitimi: Qytetarët e shtresës së mesme kanë të drejtë të aplikojnë për të blerë apartamentet e kategorisë “me kosto të ulët” brenda këtyre komplekseve publike, të cilat do të ofrohen me çmime shumë më të lira se sa çmimet e tregut privat.

Shtëpitë nuk mund të shiten apo jepen me qira

Për të bllokuar spekulantët që kërkojnë të përfitojnë nga fondet publike, ligji i ri ka vendosur një kusht të hekurt: shtëpia e përfituar përmes këtyre 4 mënyrave duhet të përdoret ekskluzivisht si vendbanimi kryesor i familjes. Ndalohet rreptësisht shitja e saj apo dhënia me qira tek të tretët për një periudhë të caktuar vitesh.

Nëse një qytetar tenton ta kthejë shtëpinë në biznes, shteti do të aktivizojë ligjin për t’i marrë mbrapsht të gjithë vlerën e financimit ose grantit të dhuruar.

Nga vijnë paratë? Një fond me burime të kombinuara

Për të financuar këto programe, shteti ka krijuar Fondin për Strehim dhe Kohezion Social. Ndryshe nga sa mund të mendohet, ky fond nuk varet vetëm nga një burim, por mbështetet në një arkitekturë të tërë financiare publike dhe private:

• Kontributi 3% i ndërtuesve privatë: Çdo kompani që ndërton pallate banimi me sipërfaqe mbi 2,000 m², detyrohet të paguajë në fond një vlerë monetare të barasvlershme me 3% të sipërfaqes së ndërtimit me çmim tregu. Pa këtë, nuk merr leje ndërtimi apo përdorimi.

• Paratë e alokuara nga Buxheti i Shtetit: Çdo fillim viti, ministria kalon transfertë buxhetore për AKTSS-në, të cilat përdoren posaçërisht për subvencionimin e qirave në treg, interesat e kredive dhe grantet për rikonstruksion banesash.

• Fitimet nga tregu i lirë: Agjencia ka të drejtë të shesë apartamente me çmim të plotë tregu brenda projekteve të saj të kombinuara dhe të gjitha këto të ardhura i kalon direkt te fondi i strehimit social.

• Donacionet dhe Grantet Ndërkombëtare: Financime nga institucione financiare ndërkombëtare (si Banka Botërore apo Banka e Këshillit të Evropës), organizata jofitimprurëse dhe donatorë të tjerë.

• Pasuritë e konfiskuara nga krimi: Ndërtesat ose pronat e sekuestruara nga shteti në kuadër të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, me vendim qeverie, kalojnë në kuadër të këtij Fondi. /kapitali.al

Etiketat: apartament

Zgjedhjet e jashtëzakonshme/ Vuçiç pranon humbjen: Studentët fituan zgjedhjet, marrin deri në 140 mandate!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvilluara këtë të diel, më 25 tetor, duke deklaruar se lista e studentëve ka siguruar shumicën në Parlamentin e ri.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç bëri të ditur se rezultatet nuk janë ende përfundimtare, por sipas të dhënave paraprake të bazuara në një mostër statistikore, Lista studentore pritet të marrë nga 135 deri në 140 mandate në Parlamentin me 250 vende.

“Nuk kemi rezultate përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t’ju informoj se, bazuar në mostrën e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb tha se lista e studentëve ka fituar zgjedhjet, ndërsa forca e tij politike ka siguruar rreth 105 mandate.

“Lista e studentëve-bllokues fitoi. Ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105”, u shpreh ai.

Sipas Vuçiçit, në Parlament pritet të përfaqësohen edhe pakicat kombëtare. Ai përmendi tre mandate për përfaqësuesit e hungarezëve të Vojvodinës dhe një mandat për shqiptarët.

Duke iu referuar numrit të votave, presidenti serb deklaroi se lista studentore ka marrë rreth 2.2 milionë vota, ndërsa forca e tij politike rreth 1.72 milionë.

Vuçiç theksoi se këto shifra bazohen në vlerësime paraprake dhe se rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur.

Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë kishin të drejtë vote 6,451,292 qytetarë. Procesi u zhvillua në 8,392 qendra votimi, të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00.

Në garë morën pjesë 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2,418 kandidatë për 250 vendet e Parlamentit.

Pas mbylljes së qendrave të votimit ka nisur numërimi i votave, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar i rezultateve nga Komisioni Republikan Zgjedhor.

Shenja rrugore me gjysmërreth dhe vija të zeza, ja se çfarë do të thotë

Një tabelë rrethore me rreth të kuq, një gjysmërreth dhe disa vija të zeza: për shumë shoferë që Ievizin në Europë mund të jetë e vështirë ta interpretojnë menjëherë. Megjithatë, njohja e këtij simboli është e rëndësishme për të respektuar rregullat e qarkullimit dhe për të udhëtuar të sigurt.

Kjo shenjë përdoret në Argjentinë për të tërhequr vëmendjen mbi detyrimin për të qarkulluar me dritat e shkurtra (anaballuese) të ndezura, një rregull veçanërisht i rëndësishëm përgjatë rrugëve jashtëqytetëse.

Çështja u përket edhe shoferëve evropianë, sepse përdorimi i saktë i ndriçimit nuk shërben vetëm për të parë më mirë rrugën. Ai u lejon mbi të gjitha përdoruesve të tjerë të rrugës të dallojnë me kohë një mjet që po afrohet, edhe kur drita natyrale duket e mjaftueshme.

Çfarë tregon shenja me rreth të kuq

Simboli lidhet me përdorimin e dritave të shkurtra. Funksioni i tij është t’i kujtojë shoferit nevojën për të mbajtur aktiv sistemin e ndriçimit të parashikuar nga normat vendore. Në Argjentinë kjo fushë rregullohet nga Ligji Kombëtar mbi Qarkullimin 24.449, neni 47 i të cilit është ndryshuar nga ligji 27.425.

Dispozita përcakton se në rrugët kombëtare mjetet duhet të qarkullojnë me dritat e shkurtra ose me dritat e ditës (DRL) të ndezura, pavarësisht orarit dhe kushteve të pamjes. Prandaj, nuk duhet pritur perëndimi i diellit apo ardhja e motit të keq për të përdorur pajisjet e parashikuara.

Është e rëndësishme të dallohen dritat e shkurtra nga dritat e gjata: këto të fundit prodhojnë një rreze drite më intensive, e dobishme në rrethana të caktuara, por mund të pengojnë ata që lëvizin në drejtim të kundërt. Legjislacioni argjentinas rregullon veçmas edhe dritat e pozicionit, ato të targës dhe dritat e mjergullës, duke parashikuar mënyra përdorimi të lidhura me pamjen dhe funksionin specifik të secilës pajisje.

Dritat e ndezura ditën: çfarë parashikon Kodi Rrugor Europian

Edhe në Europë ekzistojnë detyrime të sakta për ndriçimin gjatë orëve të ditës, ndonëse sinjalistika dhe kuadri normativ janë të ndryshëm. Neni 152 i Kodit Rrugor përcakton se, jashtë qendrave të banuara, automjetet duhet të përdorin dritat e shkurtra ose, kur lejohet, dritat e ditës.

Për motocikletat, ciklomotorët dhe mjetet e tjera të përcaktuara nga legjislacioni, vlejnë dispozita specifike edhe gjatë qarkullimit urban. Dritat e ditës (DRL), të pranishme në shumë makina moderne, përmirësojnë dallueshmërinë nga përpara të mjetit, por nuk duhet të ngatërrohen me dritat e destinuara për ngarjen e makinës natën.

Veçanërisht, në modele, aktivizimi i dritave të ditës nuk sjell automatikisht ndezjen e dritave të pasme. Kur arrin errësira, reshjet e dendura apo kushtet e pamjes së pakët, është e nevojshme të përdoret ndriçimi i përshtatshëm, pa u mbështetur ekskluzivisht te automatizmat e makinës.

Mjegulla dhe shiu: gabimet që duhen shmangur gjatë ngarjes së makinës

Menaxhimi i saktë i dritave bëhet veçanërisht i rëndësishëm kur moti përkeqësohet. Në prani të mjergullës, shiut të dendur apo stuhive, shoferi duhet në radhë të parë të përshtatë shpejtësinë dhe të rritë distancën e sigurisë.

Dritat e shkurtra ndihmojnë për ta bërë mjetin të dallueshëm, ndërsa dritat e mjergullës mund të përdoren në kushtet e parashikuara nga legjislacioni. Dritat e gjata, nga ana tjetër, mund të dalin kundërproduktive në mjergull, sepse drita e pasqyruar nga pikat e ujit të pezulluara në ajër ul më tej perceptimin e rrugës.

Duhet t’u kushtohet vëmendje edhe sistemeve automatike: disa sensorë reagojnë ndaj ndriçimit të mjedisit, por mund të mos interpretojnë saktë të gjitha situatat meteorologjike. Parimi që duhet ndjekur është i thjeshtë: të verifikohet gjithmonë se dritat faktikisht të ndezura janë të përshtatshme për kushtet e qarkullimit, në vend që të supozohet se elektronika ka menduar tashmë për këtë.

“Prehu në paqe!”, Alban Skënderaj prek me dedikimin për Rinesancën: E jetove jetën me guxìm, si një Lea e vërtetë (FOTO)

Pas një beteje të gjatë me tumorin në tru, artistja e njohur kosovare, Rinesa Qeriqi, e njohur në skenën muzikore me emrin Rinesancë, u nda nga jeta ditën e sotme.

Ndarja e parakohshme nga jeta e 25-vjeçares ka prekur botën e artit, ndërsa shumë emra të njohur të muzikës kanë shprehur ngushëllimet e tyre.Mes tyre është edhe këngëtari Alban Skënderaj, i cili solli në kujtesë se Rinesa kishte interpretuar personazhin e “Leas” në një prej videoklipeve të tij.

“Prehu në paqe Rinesa. Dhe pse tepër shkurt, e jetove jetën me guxim, si një ‘Lea’ e vërtetë”, shkruan Skënderaj në mesazhin e tij prekës.

Rinesa po përballej me një sëmundje të rëndë që prej vitit 2025, kur u diagnostikua me tumor në tru dhe iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjatë kësaj periudhe, ajo kaloi edhe trajtime me rrezatim, ndërsa për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, familjarët kërkuan mbështetje financiare për të përballuar kostot e trajtimit.

Rinesa ishte këngëtare, tekstshkruese dhe kompozitore nga Prishtina, e cila jetonte dhe krijonte në Kanada.

Zbulohen 22 emra për BIG BROTHER VIP, Fero dhe Vjollca Haxhiu mes të përfoIurve

Një listë me 22 emra të mundshëm të banorëve të “Big Brother VIP Kosova 5” po qarkullon në rrjetet sociale, duke rritur kuriozitetin për sezonin e ri.

Lista është publikuar nga opinionisti Olti Curri në Instagram dhe përfshin personazhe të njohur si Fero dhe Vjollca Haxhiu.

Në të përmenden edhe Fuego, Liki, Antoneta Kuçi dhe disa figura të tjera të rrjeteve sociale.

Deri tani, produksioni nuk ka konfirmuar zyrtarisht emrat. Mbetet e paqartë nëse lista pasqyron kastin e vërtetë apo thjesht personazhet që po përfliten.

Nga falja e pIotë te ulja e pagesës së truallit, Kadastra përcakton procedurat pronat e legalizuara

Qytetarët që kanë legalizuar një banesë, por që duhet të paguajnë për truallin mbi të cilin është ndërtuar ajo, mund të përfitojnë nga një sërë lehtësish financiare që shkojnë deri në faljen e plotë të detyrimit. Megjithatë, përfitimi varet nga statusi i qytetarit, dokumentacioni që paraqet dhe respektimi i procedurave të përcaktuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Një udhëzim i ri i këtij institucioni, i botuar në Fletoren Zyrtare të datës 22 tetor 2026, përcakton mënyrën se si do të zbatohen këto lehtësi, dokumentet që duhet të dorëzojnë qytetarët, mënyrën e llogaritjes së pagesave dhe procedurat që duhet të ndjekë Kadastra deri në shlyerjen e detyrimeve dhe regjistrimin përfundimtar të pasurisë.

Bëhet fjalë për udhëzimin nr. 811, datë 7 tetor 2026, i cili mbështetet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 446, datë 26 korrik 2023. Ky vendim rregullon kalimin e pronësisë mbi parcelat ndërtimore të objekteve të legalizuara, çmimet favorizuese, kategoritë që përfitojnë falje dhe mundësinë e përdorimit të bonove të privatizimit.

Pra, faljet dhe uljet nuk janë miratuar për herë të parë tani. Ato ekzistojnë që nga viti 2023, ndërsa udhëzimi i ri sqaron dokumentacionin dhe veprimet që duhet të kryhen për zbatimin e tyre.

Por për të kuptuar se kush përfiton dhe për çfarë paguhet, fillimisht duhet shpjeguar një dallim i rëndësishëm në procesin e legalizimeve.

Një qytetar mund të ketë ndërtuar një banesë pa leje mbi një sipërfaqe toke që nuk figuron në pronësinë e tij. Nëpërmjet legalizimit, ai mund të fitojë të drejtën e pronësisë mbi objektin, por duhet të rregullohet edhe marrëdhënia juridike me truallin mbi të cilin ndodhet ndërtesa.

Kjo sipërfaqe quhet parcelë ndërtimore. Kufijtë dhe sipërfaqja e saj përcaktohen nga Kadastra në bazë të verifikimeve në terren dhe kritereve ligjore. Për kalimin e pronësisë mbi këtë parcelë, poseduesi i ndërtimit mund të ketë një detyrim financiar.

Nuk bëhet fjalë për një taksë të re mbi banesën dhe as për një detyrim që u vendoset të gjithë pronarëve të shtëpive. Pagesa lidhet me truallin që kalon në pronësi në kuadër të procedurës së legalizimit.

Nëse toka është në pronësi të një personi tjetër, ligji parashikon edhe procedurën e kompensimit të pronarit të mëparshëm. Në këto raste, kalimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore bëhet efektiv pas hyrjes në fuqi të vendimit përkatës të qeverisë për kompensimin, ndërsa deri atëherë ndërtesa mund të regjistrohet pa marrëdhënien përfundimtare me truallin.

Sa kushton trualli i një banese të legalizuar?

VKM nr. 446/2023 parashikon çmime favorizuese për parcelat ndërtimore të objekteve pa leje me funksion banimi.

Si rregull, çmimi për metër katror llogaritet në masën 50% të vlerës së referencës së tokës truall në zonën përkatëse, por duke respektuar disa kufij minimalë dhe maksimalë.

Për ndërtimet në njësitë administrative fshat, çmimi i parcelës varion nga 400 deri në 1,500 lekë për metër katror.

Për ndërtimet në njësitë administrative qytet, çmimi varion nga 500 deri në 2,000 lekë për metër katror.

Ndërsa për shtesat pa leje në ndërtime me leje, që kanë funksion banimi, kufijtë e çmimit janë nga 1,000 deri në 3,000 lekë për metër katror, pavarësisht vendndodhjes.

Për shembull, nëse Kadastra përcakton një parcelë prej 300 metrash katrorë dhe çmimi i zbatueshëm është 1,000 lekë për metër katror, detyrimi fillestar për truallin do të ishte 300 mijë lekë.

Megjithatë, kjo nuk është domosdoshmërisht shuma përfundimtare që qytetari duhet të paguajë, pasi legjislacioni parashikon falje dhe ulje për disa kategori.

Kush nuk paguan fare për truallin?

Sipas udhëzimit të Kadastrës dhe VKM-së së vitit 2023, nga pagesa e parcelës ndërtimore përjashtohen plotësisht poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë statusin e invalidit paraplegjik, tetraplegjik ose statusin e të verbrit.

Për të përfituar nga kjo lehtësi, nuk mjafton vetëm deklarimi i gjendjes shëndetësore. Qytetari duhet të paraqesë dokumentin zyrtar që vërteton statusin.

Për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë kërkohet vendimi përkatës i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), rajonal ose epror.

Për personat me statusin e të verbrit kërkohet vendimi i Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Verbërisë ose i komisionit përkatës epror.

Nëse plotësohen kushtet ligjore, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore falet plotësisht.

Kush përfiton ulje 50% të pagesës?

Një kategori më e gjerë qytetarësh përfiton faljen e gjysmës së detyrimit të llogaritur nga Kadastra.

Këtu përfshihen familjet që kanë në përbërjen e tyre persona me statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, si dhe familjet me pjesëtarë që kanë statusin e të verbrit.

Përfitojnë gjithashtu familjet me persona me statusin e invalidit të punës, sipas kushteve të përcaktuara në vendimin e qeverisë, përfshirë rastet kur bashkëshorti ka këtë status.

Në këto raste kërkohet vendimi përkatës mjekësor që vërteton statusin e personit.

Nga ulja 50% përfitojnë edhe familjarët e dëshmorëve të atdheut, sipas përcaktimeve të legjislacionit. Për këtë kategori duhet të paraqitet vendimi zyrtar i dhënies së statusit “Dëshmor i atdheut”.

Një tjetër kategori janë familjet njëprindërore që kanë fëmijë në ngarkim, ku përfshihen edhe nënat e vetme.

Udhëzimi i Kadastrës sqaron se bëhet fjalë për familje ku vetëm njëri prind jeton dhe kujdeset për fëmijë të mitur ose fëmijë që varen ekonomikisht prej tij. Për të provuar këtë gjendje kërkohet certifikata familjare.

Gjithashtu, ulje prej 50% përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë mbushur moshën e pensionit. Për këtë kategori, Kadastra kërkon paraqitjen e vërtetimit të përfitimit të pensionit, të lëshuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Kjo do të thotë se një pensionist që plotëson kriteret dhe ka një detyrim fillestar prej 200 mijë lekësh për truallin e banesës së legalizuar mund të përfitojë uljen në 100 mijë lekë.

Familjet me ndihmë ekonomike përfitojnë ulje 30%

Një kategori e veçantë janë poseduesit e ndërtimeve pa leje që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Për këta qytetarë, vendimi i qeverisë parashikon ulje prej 30% të vlerës së parcelës ndërtimore.

Për të përfituar, qytetari duhet të paraqesë pranë Kadastrës vërtetimin nga njësia e vetëqeverisjes vendore ku ka vendbanimin, që provon se është përfitues i ndihmës ekonomike.

Për shembull, për një detyrim fillestar prej 100 mijë lekësh, ulja 30% do ta zbriste shumën në 70 mijë lekë.

Ndërkohë, vendimi parashikon edhe përjashtime nga pagesa për disa pasuri të bashkësive fetare që kanë marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Këto përjashtime përfshijnë objektet e kultit, institucionet arsimore dhe objektet e shërbimeve sociale ose shëndetësore, sipas kushteve ligjore. Për këtë qëllim kërkohen dokumentet që provojnë regjistrimin, statusin juridik dhe përkatësinë e subjektit në bashkësinë fetare përkatëse.

A përfiton ulje kushdo që e ka blerë një objekt të legalizuar?

Jo domosdoshmërisht.

VKM nr. 446/2023 përcakton se faljet për shkak të statusit të veçantë mund të përfitohen vetëm një herë dhe vetëm për parcela ndërtimore për të cilat detyrimi financiar nuk është shlyer ende.

Lehtësitë mund të përfitohen edhe nga persona që nuk kanë qenë aplikuesit fillestarë për legalizim, por që i kanë fituar të drejtat mbi ndërtimin nëpërmjet trashëgimisë ose vendimit gjyqësor të formës së prerë.

Nga ana tjetër, nuk përfitojnë automatikisht nga këto lehtësi personat që nuk kanë qenë aplikues për legalizim, por që i kanë marrë të drejtat mbi ndërtimin përmes një akti noterial për kalimin e së drejtës së legalizimit ose deklaratës noteriale të aplikuesit.

Pra, mënyra se si janë fituar të drejtat mbi objektin ka rëndësi për përfitimin e faljes.

Edhe qytetarët e tjerë mund të përfitojnë ulje 20%

Përveç kategorive që përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme, legjislacioni parashikon një tjetër lehtësi që lidhet me afatin e pagesës.

Nëse qytetari shlyen detyrimin për parcelën ndërtimore brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për njoftimin e Kadastrës, përfiton ulje prej 20% mbi vlerën e mbetur të detyrimit.

Kjo lehtësi nuk kufizohet vetëm te pensionistët, invalidët apo familjet në ndihmë ekonomike, por zbatohet sipas kushteve të VKM-së pavarësisht funksionit të objektit pa leje.

Për shembull, një qytetar që ka një detyrim prej 150 mijë lekësh dhe e paguan brenda afatit 30-ditor mund ta ulë shumën që duhet të shlyejë në 120 mijë lekë, në rast se nuk ka përdorur forma të tjera të pagesës apo lehtësive që ndikojnë në përllogaritje.

Ulja e pagesës brenda 30 ditëve vlen edhe për objektet e dyta pa leje, në rastet e parashikuara nga ligji.

Si mund të përdoren bonot e privatizimit?

Një tjetër mundësi është përdorimi i bonove të privatizimit për të shlyer një pjesë të vlerës së truallit.

Sipas VKM-së nr. 446/2023, deri në 50% të vlerës së parcelës ndërtimore mund të paguhet me bono privatizimi, ndërsa pjesa tjetër në lekë.

Kjo nuk është një falje prej 50%, por një mënyrë alternative pagese, ku bonot përdoren për të shlyer një pjesë të detyrimit.

Nëse qytetari i përdor bonot dhe synon të përfitojë edhe uljen për pagesën e shpejtë, vendimi përcakton se ulja prej 20% llogaritet mbi vlerën e mbetur të detyrimit pas pjesës së shlyer me bono.

Udhëzimi i ri sqaron edhe një problem teknik që mund të lindë gjatë llogaritjes së pagesave me bono.

Në raste përjashtimore, kur për shkak të diferencave në përllogaritje nuk mund të zbatohet saktësisht kufiri prej 50%, drejtoritë vendore të Kadastrës mund të kryejnë një rrumbullakim minimal të shumës, vetëm për të mundësuar lëshimin dhe shlyerjen e saktë të faturës.

Ky rregull nuk lejon ndryshimin arbitrar të detyrimit apo krijimin e përfitimeve të padrejta për qytetarët.

Si njoftohet qytetari për pagesën?

Sipas VKM-së së vitit 2023, Kadastra duhet të njoftojë subjektin për pagesën e parcelës ndërtimore jo më vonë se 30 ditë nga evidentimi në terren i ndërtimit pa leje.

Njoftimi duhet të përmbajë vlerën e detyrimit, mundësinë e pagesës me pjesë dhe afatet për shlyerjen.

Udhëzimi i ri përcakton mënyrën e përgatitjes së faturës për arkëtim, e cila plotësohet nga punonjësi i autorizuar i drejtorisë vendore të Kadastrës dhe nënshkruhet elektronikisht.

Në faturë duhet të shënohen të dhënat e qytetarit, numri unik i faturës, përshkrimi i detyrimit, shuma që duhet paguar, ndarja mes lekëve dhe bonove të privatizimit kur përdoren këto të fundit, llogaria bankare e institucionit përfitues, data e lëshimit dhe afatet e pagesës.

Fatura duhet të tregojë edhe shumën që qytetari ka për të paguar nëse e shlyen detyrimin brenda 30 ditëve dhe atë që duhet të paguajë pas përfundimit të këtij afati.

Dokumenti përgatitet në tri kopje, ndërsa një kopje e faturës dhe formularit të pagesës i dërgohet qytetarit nëpërmjet e-Albania. Kur mungojnë të dhënat personale të nevojshme për identifikimin elektronik, njoftimi mund të bëhet në rrugë postare.

Në rastet kur njoftimi nuk mund të dërgohet për shkak të mungesës së adresës ose kur qytetari refuzon ta marrë, VKM-ja parashikon afishimin për 30 ditë në njësinë administrative, në ambientet e drejtorisë vendore të Kadastrës dhe publikimin në faqen zyrtare të institucionit.

Në këtë rast, afati i pagesës fillon të llogaritet nga dita pas përfundimit të afishimit.

Çfarë ndodh pasi qytetari kryen pagesën?

Pagesa e parcelës ndërtimore kryhet në llogarinë bankare të drejtorisë vendore të Kadastrës, sipas të dhënave që përmban fatura.

Gjatë pagesës duhet të përdoret referenca përkatëse, në mënyrë që shuma e paguar të lidhet me detyrimin e qytetarit.

Nëse është zgjedhur pagesa me bono privatizimi, duhet të respektohet ndarja mes vlerës në lekë dhe vlerës së mbuluar me bono, siç është përcaktuar në faturë.

Pas kryerjes së pagesës, banka i konfirmon Kadastrës informacionin financiar, ndërsa drejtoritë vendore duhet të rakordojnë periodikisht faturat e lëshuara me shumat e arkëtuara.

Rakordimi mund të kryhet në baza ditore, javore ose mujore, sipas nevojës.

Nëse një pagesë nuk identifikohet, rezulton e pjesshme ose ka të dhëna të pasakta, Kadastra duhet të kërkojë informacion shtesë nga banka ose qytetari, deri në sqarimin e plotë të detyrimit.

Në rastet kur pagesa është kryer gabim ose nuk mbulon shumën e kërkuar, qytetari njoftohet për plotësimin ose korrigjimin e saj.

Vetëm pasi pagesa të jetë verifikuar dhe rakorduar plotësisht, detyrimi financiar konsiderohet i shlyer dhe subjekti mund të vijojë procedurat e regjistrimit të pasurisë.

Po nëse qytetari nuk e paguan truallin?

Mosshlyerja e detyrimit nuk do të thotë automatikisht se banesa e legalizuar humbet statusin e saj ligjor.

VKM nr. 446/2023 parashikon që, kur detyrimi për parcelën ndërtimore nuk shlyhet brenda afatit, ndërtimi i legalizuar dhe parcela mund të regjistrohen me hipotekë ligjore.

Kjo do të thotë se mbi pasurinë regjistrohet një barrë që lidhet me detyrimin financiar të pashlyer ndaj shtetit.

Pas kryerjes së pagesës, qytetari mund të kërkojë fshirjen e hipotekës ligjore nga regjistri kadastral.

Udhëzimi i ri kërkon që ky veprim të kryhet vetëm mbi bazën e dokumentacionit të plotë që provon shlyerjen e detyrimit dhe verifikimin e tij nga Kadastra.

Drejtoritë vendore kanë detyrimin të administrojnë dhe arkivojnë dokumentacionin financiar, përfshirë mandatpagesat, në mënyrë që çdo pagesë të jetë e dokumentuar dhe e verifikueshme.

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët?

Qytetarët që janë në proces legalizimi ose kanë marrë vendimin e legalizimit, por ende nuk kanë shlyer detyrimin për parcelën ndërtimore, duhet të verifikojnë fillimisht nëse bëjnë pjesë në kategoritë që përfitojnë falje ose ulje.

Nëse kanë një status që u jep të drejtën e lehtësisë, duhet të sigurojnë dokumentin zyrtar përkatës dhe ta paraqesin pranë drejtorisë vendore të Kadastrës që trajton pasurinë e tyre.

Ata duhet gjithashtu të kontrollojnë njoftimin dhe faturën për arkëtim, pasi aty përcaktohet shuma konkrete që duhet shlyer dhe afati për të përfituar uljen e pagesës brenda 30 ditëve.

Nëse dëshirojnë të përdorin bono privatizimi, duhet të sigurohen që kjo mënyrë pagese të jetë pasqyruar në formularin dhe faturën e lëshuar nga Kadastra.

Udhëzimi nr. 811 hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, më 22 tetor 2026, dhe synon të standardizojë procedurat e përllogaritjes, dokumentimit, arkëtimit dhe verifikimit të pagesave të parcelave ndërtimore.

Në këtë mënyrë, përfitimet e parashikuara prej vitit 2023 për kategori të caktuara qytetarësh do të zbatohen nëpërmjet një procedure të detajuar, ku përcaktohet dokumentacioni që duhet të paraqesë përfituesi dhe përgjegjësia e Kadastrës për llogaritjen dhe administrimin e saktë të detyrimit. /skyweb.al