E rëndë/ 18-vjeçari humb ndjenjat brenda në klasë dhe transportohet me urgjencë në spitaI

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur këtë të martë në një gjimnaz në qytetin e Librazhdit, ku një nxënës 18-vjeçar ka humbur ndjenjat papritur gjatë orës së mësimit.

Menjëherë pas incidentit, i riu është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Librazhdit, ku gjatë qëndrimit atje ka humbur sërish ndjenjat, duke alarmuar stafin mjekësor të cilët e kanë nisur për mjekim më të specializuar drejt Spitalit të Elbasanit.

Pritet që mjekët të japin më shumë detaje rreth kësaj situate nëse i riu është helmuar nga diçka ose nëse vuan nga ndonjë sëmundje.

Kryetarja e bashkisë qëIIohet 13 herë me t. hikë para shtëpisë/ Ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësòre

Në ngjarje e rëndë ka ndodhur në Herdecke, në rajonin e Westfali. Kryebashkiakja e Herdecke Iris Stalzer, e cila sapo ishte zgjedhur, është goditur disa herë me thikë nga disa persona të panjohur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Sipas gazetës Bild, politikania 57-vjeçare është gjetur e gjakosur në shtëpi nga djali i saj, ajo u ka treguar personave që i dhanë ndihmën e parë, se ishte goditur nga disa persona përpara hyrjes së banesës.

Iris Stalzer është goditur plot 13 herë në stomak dhe në shpinë, ku 57-vjeçarja iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent.

Politikania socialdemokrate më 28 shtator kishte fituar balotazhin me 52,2% të votave.

Sipas faqes së saj zyrtare, Stalzer është avokate, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve adoleshentë.

Motive personale, pronari grek i kampingut ia kishte Iënë trashëgiminë kujdestarit shqiptar! U vranë të dy, nipi i biznesmenit…

Motive personale dhe pronësie. Këto janë dy pistat ku po heton policia greke për krimin e rëndë të fundjavës së kaluar të ndodhur në një kamping në Finikounda të Korinthit.

Të vrarë mbetën të dielën pronari grek i një kampingu dhe punëtori i tij shqiptar (kujdestari). Autori u arratis dhe u shpall në kërkim, por nuk është arrestuar ende dhe besohet se është një i mitur që e njihte viktimën grek.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se kujdestari shqiptar i kampingut kishte trashëguar një pasuri të konsiderueshme nga pronari i tij. Ky i fundit, që gjithashtu u vra, mësohet se pasurinë e tij ia kishte lënë si trashëgimi shqiptarit dhe një të afërmi tjetër.

Dyshimet bien mbi të afërm të biznesmenit. Nipi gjithashtu ka qenë në vendngjarje, por nuk u prek nga plumbat dhe motiv besohen konfliktet e pronësisë, pasi pasurinë do e merrte kujdestari i kampingut, që nuk kishte lidhje familjare me të.

Sipas informacioneve nga “Protothema”, hetuesit e Policisë Helenike që po merren me çështjen kanë përjashtuar tashmë grabitjen si motiv dhe duken të bindur se pas sulmit fshihen arsye të tjera, më personale.

Duke marrë parasysh dy sulmet që pronari i kampingut dyshohet se kishte marrë në të kaluarën e afërt nga një person i panjohur (ai nuk përmendi askënd specifik për autoritetet), policia po shqyrton mundësinë që të jetë i njëjti autor.

“Pyetjet kryesore që u kërkohet të përgjigjen janë dy: E para është nëse autori dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin dhe në çfarë mënyre? E dyta është nëse ka dikush që do të përfitonte nga vdekja e pronarit të kampingut dhe që mund të “urdhëronte” vrasjen e tij. Kjo për shkak se viktima kishte pronë të konsiderueshme, me informacione që tregojnë se ai kishte caktuar kujdestarin e vrarë dhe një të afërm si trashëgimtarë të tij të vetëm. Kjo është arsyeja pse policia po analizon të gjitha kontaktet e viktimës për të përcaktuar nëse ai mbante kontakte me njerëz që mund t’i dëshironin të keqen”, shkruan media greke në fjalë.

Fakti që motivet janë personale është i dukshëm edhe nga mënyra se si vepronte autori i ri. Ai e la motorin e tij në hyrje të objektit, hyri në zonë duke ecur pa mbuluar tiparet e fytyrës (ai ndoshta e dinte se nuk kishte kamera në zonë), qëndroi para pronarit të kampingut dhe kujdestarit (punëtorit shqiptar) dhe i ekzekutoi ata me gjakftohtësi. Pastaj, pa hequr asnjë send nga zona, ai u kthye në automjetin e tij dhe iku me vrap.

Policia nuk gjeti asnjë gëzhojë në vendngjarje, gjë që përforcon vlerësimin se arma e vrasësit ishte një revolver. Burri i parë u vra në vend, brenda zyrës së biznesit, ndërsa viktima e dytë, kujdestari, u përpoq të arratisej, por autori e qëlloi pas shpine dhe e vrau.

Nipi i pronarit, i cili ishte në vendngjarje në kohën e krimit, shpëtoi mrekullisht. Siç i tha burri policisë, autori qëlloi drejt tij, por nuk arriti ta qëllonte. Dëshmitari nuk e ka identifikuar autorin.

‘Avni Rustem, të Iumtë dora!’/ Mijëra komente pro autorit të vrasjes barbare të gjyqtarit Astrit Kalaja, çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare?

Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, përbën një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Vrasja brenda mureve të tempullit të drejtësisë, ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik. Ndërsa, siguria dhe autoriteti i institucioneve të drejtësisë është vënë tashmë në pikëpyetje.

Reagime të shumta janë publikuar menjëherë pas ngjarjes nga zyrtarë, politikanë dhe institucione të drejtësisë, ndërsa rrjeti ‘vendi ku mblidhen’ qytetarët, ka shpërthyer nga komentet. Nëse keni ndalur të lexoni komentet në rrjetet sociale, me siguri iu ka rënë në sy një prirje e fortë e njerëzve për të komentuar negatisht. Për autorin që kreu krimin? Jo, shumë të rralla. Në fakt, figura e autorit po trajtohet mes komentuesve ‘si një hero’, diku si dikush që vuri drejtësi, ndërsa komentet negative i adresoheshin drejtësisë, sistemit, tek i cili aq pak duket se besojnë.

Ky është një rast, por jo i vetmi! Komentet pas çdo ngjarje të rëndë, të tilla që mbeshtesin ‘autorët’ e krimit (çfarëdo qoftë) është kthyer në një fenomen. Por çfarë fshihet pas këtij fenomeni? A janë vërtet njerëzit kaq kritikë ndaj të tjerëve, apo pas çdo fjalie të hidhur fshihet një plagë personale? Mesa duket, punët me drejtësinë, të gjithë i shikojnë nga i njëjti këndvështrim.

Le të kthehemi sërish te ngjarja e momentit, për të cilën po zien rrjeti. Komentet e kapura nën ‘lupën’ e ZËRI, tregojnë qartë që opinioni i qytetarëve për rastin, jo vetëm që nuk është i ndarë në dysh, por anojnë të gjithë në një anë. Një çështje pronësie që shërbeu si ‘mollë e sherrit’, nga komentuesit interpretohet si padrejtësi nga ana e institucioneve që kanë vërdallisur prej vitesh familjet e përfshira.

“Ky duhet të deklarohet i pafajshëm, si Avni Rustemi që deklaroi në Paris, e vrava në emër të popullit”, shkruan një komentues.

Komentet vijojnë edhe me ‘duartrokitje’, ka nga ato që i thonë ‘të lumtë’. I tillë është ky komenti: “Zoti gjykatës në emër të popullit, je i pushkatuar, rroft Shqipëria, rroft populli shqiptar, të bekoftë zoti mor djal”.

“Gjyqtarët janë kanë sjellë shpirtin në majë të hundës këtij populli, bravo”, është një tjetër koment që mbështet haptas veprimin e autorit.

“Qoftë halla gjini nanës ty respect”, shkruan një tjetër.

Komentet poshtë një video ku shfaqet xhaxhai i autorit, i cili një vit më parë fliste se prona ‘e konfliktit’ i përkiste atij me dokumeneta, janë akoma dhe më të habitshme. Në mbështetje të plotë të deklaratës së tij, komentuesit madje, ofrohen ta ndihmojnë. “Bravo i qoftë e i lumtë dora ooo zotri hap një numër llogarie dhe ta ndihmojmë të gjithë me sa kemi mundësi.”

“Filloj saga edhe për gjyqtarët, uroj që shumë shpejt të ndodhë edhe në zyrën e kryeministrit”, shprehet një tjetër komentues.

Një mbështetje e tillë popullore është e habitshme por është tregues i qartë se shoqëria shqiptare po e mbështet dhunën dhe përhapjen e saj. Një padrejtësi e sistemit, nuk mund të jetë arsye për të marrë jetë!

Si ndodhi ngjarja?

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t’i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI

Çmendet çmimi i arit në bursë, kaIon edhe kriptomonedhën Bitcoin

Çmimi i arit nuk po njeh kufij dhe aktualisht po tejkalon edhe fuqinë e kriptomonedhës Bitcoin.

Për herë të parë bursa ka regjistruar një çmim me 4 mijë dollarë për ons (një ons ka rreth 29 gramë ar), ose mbi 125 dollarë për gramë.

Ari arriti një nivel të ri rekord të martën, ndërsa kontratat me afat kaluan 4,000 dollarë për ons për herë të parë (çmimi lëviz sipas ditëve dhe orëve).

Luhatshmëria në tregjet globale dhe shqetësimet gjeopolitike në rritje po i shtyjnë investitorët drejt parajsave më të sigurta.

Çmimet e arit janë rritur më shumë se 50% këtë vit, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka përmbysur sistemin global të tregtimit dhe ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e Rezervës Federale.

Trajektorja rritëse e metalit të çmuar bazohet në blerje të forta nga bankat qendrore, si dhe nga investitorët privatë, të cilët po rrisin pozicionet e tyre mes shqetësimeve rreth rritjes globale dhe inflacionit.

Goldman Sachs, e cila ka qenë prej kohësh optimiste për arin, tha se ka hapësirë ​​që metali i çmuar të rritet edhe më lart se sa kishte parashikuar, duke përmendur interesin e investitorëve me pakicë.

Hyrjet çuditërisht të forta në ETF-të e mbështetura nga lingotat kanë tejkaluar pritjet, thanë analistët, përfshirë Dan Striven, në një shënim kërkimor të kohëve të fundit.

Aftësia e investitorëve me pakicë për të diversifikuar ndjeshëm zotërimet e tyre të arit paraqet një “rrezik të konsiderueshëm rritjeje” për parashikimin e saj prej 4,000 dollarësh për ons deri në mesin e vitit 2026 dhe 4,300 dollarësh për ons deri në fund të vitit të ardhshëm.

Siç raporton Bloomberg, banka kohët e fundit tha se ari mund t’i afrohet 5,000 dollarëve për ons nëse sheh hyrje nga vetëm 1% e tregut privat të thesarit të SHBA-së.

SHUHET këngëtari i njohur, RRËQETHËSE se çfàrë bëri pak para se të ndërronte jetë…

Ndërron jetë në moshën 71-vjeçare, këngëtari i njohur boshnjak, Halid Beslic. Ai kishte probleme serioze me mëlçinë dhe kaloi javët e fundit në Qendrën Klinike të Universitetit të Sarajevës, ku fillimisht u trajtua në Departamentin e Nefrologjisë dhe më pas në atë të Onkologjisë.

Pavarësisht se menaxheri i tij kishte deklaruar në shtator se gjendja po përmirësohej, këngëtari nuk arriti të rikuperohej.

Para ndarjes nga jeta, Halidi botoi një poemë kushtuar gruas së tij, Sejda, të cilën e konsideronte mbështetjen e tij më të madhe. I lindur më 20 nëntor 1953 në fshatin Vrapci, ai u rrit në kushte modeste, por dashuria për muzikën e çoi drejt një karriere të jashtëzakonshme.

Pas shërbimit ushtarak u zhvendos në Sarajevë, ku nisi të performonte dhe më vonë u bë një nga emrat më të njohur të skenës muzikore jugosllave.

Me këngë si “Necu, necu dijamante”, “Budi budi uvijek srecna” dhe “Miljacka”, Beslic u bë simbol i muzikës popullore të rajonit. Gjatë luftës në Bosnjë, ai mbajti mbi 500 koncerte bamirësie për viktimat e luftës. Në vitin 2009 pësoi një aksident të rëndë rrugor ku humbi njërin sy, por u rikthye shpejt në skenë me forcë dhe përkushtim.

‘Ti nuk je vrasës!’ Miku i Elvis Shkambit ka dy fjalë për t’i thënë: Vrasëse ishte të kaIoje jetën …

Një ngjarje tragjike tronditi sistemin e drejtësisë në Shqipëri, kur gjyqtari i Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkëmbi, një 30-vjeçar që ishte palë në një çështje civile pronësie. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, gjithashtu të përfshirë në procesin gjyqësor.

Autori u vetëdorëzua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi, dhe roja i gjykatës u arrestuan si persona të tjerë nën hetim për ngjarjen.

Së fundmi, ka reaguar edhe shoku i autorit nga gjimnazi “At Pjetër Meshkalla” , i cili në një prononcim për mediat është shprehur i tronditur dhe ka theksuar se Elvisi nuk ishte njeri problematik.

“Elvis!

Ti nuk je vrasës!

Vrasëse ishte padrejtësia, vrasës ishin ata fashikujt e humbur nëpër gjykata të pronës tënde, aty ku duhet të ishin të sigurtë.

Vrasës ishin seancat gjyqësore pa mbarim nëpër gjykata, vrasës ishin institucionet përgjegjëse që ju futën në konflikt të pa kthyeshëm.

Vrasëse ishte ajo fëmijëria jote e palumtur tek shikoje familjen tane dyerve te gjykatave duke kërkuar drejtësi.

Ti Elvis linde “Pronar” por jetoje me qera sepse pronën tane e gëzonte dikush tjeter, madje disa prej tyre kishin ndertue shtëpin e tyre dhe pronen tane e jepnin me qera.

Ti skishe mundësi te paguaje as qeranë Elvis!

Ty Elvis të rriti gjyshi nga nëna së bashku me motren tane, të rriti me shume mune e sakrifica, por ty Elvis te çoi me studiu në shkollat më të mira të qytetit te Shkodrës.

Elvis, ti ishe ai student i gjimnazit më të mirë në Shkodër “At Pjetër Meshkalla” që rrije i ndrojtur ne bankën tënde sepse nuk visheshe me rroba firmato por, ato që vishje i kishe të PASTRA . Ti ishe një ndër nxënësit më të mirë të Gjimnazit “At Pjetër Meshkalla”

Ti u diplomove për drejtësi Elvis, por ajo ta mori peng rininë!

Edhe nje herë:

Ti nuk je vrasës Elvis!

Zoti qoftë me ty!

E paç jetën e gjatë o djalë!

Të duam dhe të mbështesim fort !

Shkruar nga nje shok I gjimnazit “At Pjeter Meshkalla

Shkodër, me 07/10/2025″, shkruan ai.

“Do ju hedh të gjithëve në erë”/ Si e paraIajmëroi në rubrikën “Shihemi në gjyq”, krimin e sotëm Gjon Shkambi (Video)

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e sotme, ku u ekzekutua në krye të detyrë gjyqtari Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm. Autori i krimit është Elvis Shkambi, i cili e kreu aktin, pasi humbi gjyqin për një çështje pronësie në Shkodër.

Bëhet fjalë për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të ndërtuar nga shteti dhe që në vitin 1992 ishin strehuar me vendim të Këshillit Bashkiak 31 familje, por truallin ku ishte ndërtuar godina e fitoi më vonë me vendim gjykate familja Shkambi.

Të dyja palët, fiks më 6 tetor të vitit të kaluar, janë përplasur edhe në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në emisionin “E diell”, ku një fragment është bërë virale në rrjet që tregon se si Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të sotëm, kërcënon publikisht palën tjetër.

Ai thotë se do i hedhë të gjithë në erë, duke e minosur godinën në të katërt qoshet e saj.

“E gjej unë formën si me e liru, se e minoj në të katërta qoshet, se është prona jeme, e kam me dokumente të rregullta, e kam me certifikatë. Të gjithëve në erë do t’iu hedh. Po ju paralajmëroj, të gjithëve në herë kam me ju hedh.” – shprehej Gjon Shkambi.

VIDEO

https://streamable.com/e/x3z0wd?quality=highest

“Martoj vajzën dhe jam i lumtur, mezi e pres atë ditë”- ZbuIohet biseda e fundit e gjyqtarit Astrit Kalaja

Shqipëri u trondit dje (6 tetor) nga një ngjarje tepër e rëndë, ku brenda sallës së gjyqit u vra me armë zjarri gjyqtarit, Astrit Kalaja.

Ai u qëllua nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjykatës së Apelit.

Ndërkohë një gjyqtar ka rrëfyer për gazetaren Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.

“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”, kanë qenë fjalët e gjyqtarit të ndjerë.

Ka diskutime që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të gjyqtarit që u vra në krye të detyrës të bëhet ceremoni shtetërore ditën e mërkurë.

Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit pasditen e së hënës pasi shpalli një vendim për një konflikt pronësie, në një ngjarje të paprecedentë që u shoqërua me tronditje dhe shqetësime për sigurinë e sistemit gjyqësor.

Sipas Policisë së Tiranës, autor i ngjarjes dyshohet se është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç dhe palë në procesin gjyqësor. Shkëmbi ka plagosur gjithashtu kundërshtarët e tij në proces, babë e bir.

Kalaja u shoqërua në spital, po pa mundur të mbijetojë. Dy të plagosurit, atë e bir, gjenden nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Hetimi për vrasjen e gjyqtarit Kalaja po kryhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila po verifikon arsyet e dështimit të masave të sigurisë në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Qeveria do nderojë Enver Hoxhën me titullin “Hero i Popullit”?! Dokumenti që po ngjall poIemika

Në një akt të paprecedentë, Kuvendi i Shqipërisë prodhoi të premten një dokument zyrtar ku nderon mes figurave kombëtare edhe diktatorin Enver Hoxha, i cili udhëhoqi regjimin totalitar komunist për gati gjysmë shekulli, duke izoluar shqiptarët, shtypur të drejtat e njeriut dhe shkaktuar mijëra viktima.

Në një dokument të cilësuar ‘informativ’ për deputetët me titullin “figurat kombëtare (tetor) dërguar nga zyra e Institutit Parlamentar në emailin e 140 deputetëve të Kuvendit, Hoxha përshkruhet si “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, ndërsa në biografi përmendet si udhëheqës i shtetit shqiptar, i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës. Emri i tij vendoset në radhë me personalitete të tjera të historisë shqiptare që kanë lindur apo vdekur në muajin tetor, të tillë si Sulejman Delvina, kryeministër i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, priftërinjtë françeskanë me kontribute në etnologji e letërsi, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, rilindasve Abdyl dhe Naim Frashëri, Mbretit Zogu i I-rë, shkrimtarit Dritëro Agolli, etj.

Emaili solli reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës, historianëve dhe organizatave të shoqërisë civile, që e cilësuan veprimin e shërbimeve të Kuvendit si një akt të paprecedent që krijonte përçarje dhe fyente viktimat e komunizmit. Deputeti Erald Kapri i Partisë Mundësia i kërkoi zyrtarisht Kuvendit që të tërheqë dokumentet dhe të kërkojë ndjesë, ndërsa e cilësoi aktin si “skandaloz” në një reagim publik.

“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, -shkruan Kapri në e-mailin dërguar zyrës përgjegjëse për prodhimin e dokumentit.

Edhe Belind Këlliçi nga Partia Demokratike e cilësoi dokumentin si përpjekje për të ‘ringjallur’ diktatorin.

“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”-, shkruan ndër të tjera Këlliçi në një status në Facebook.

Organizata “Qendresa Qytetare” gjithashtu mbajti qëndrim duke e cilësuar një “akt skandaloz” që “nxit përçarje dhe fyerje”.

“Futja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor në Kuvend është si të futet emri i Hitlerit në hollet e Bundestagut,”– thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Kuvendi i Shqipërisë nuk u tërhoq nga dokumenti dhe as nuk kërkoi falje për ngjarjen. Në një reagim të shkurtër për mediat, zyra e shtypit e cilësoi rastin si një “praktikë rutinë” të punës së sektorit të bibliotekës së Kuvendit, “që informon në mënyrë periodike deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, me qëllim informimin e përgjithshëm për ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik”. Më tej, Kuvendi u justifikua se materiali ishte i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008).

“Kuvendi i Shqipërisë nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në këtë material dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre,”– sugjerohet në reagim.

Niko Peleshi, kryetari i Kuvendit, nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se si institucioni që ai drejton, i cili ka dënuar krimet e Hoxhës me të paktën dy rezoluta të miratuara më parë (2006;2016) e përshkruan diktatorin me terma glorifikues. Ndërkohë, kabineti i Peleshit vuri në dispozicion disa faqe të Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave për të justifikuar atë që e quajtën si “gafë të një specialisti”.

Në Enciklopedi gjenden dy faqe kushtuar Hoxhës, ku ndër të tjera thuhet se sistemi i drejtuar prej tij ishte i modelit ‘stalinist’ me luftë të ashpër të klasave, që futi vendin në krizë ekonomike nëpërmjet zhdukjes së pronës private dhe izolimit total. Në fund të përshkrimit, autori kontribuues i enciklopedisë vë në dukje se Hoxha ka mbajtur titujt “hero”, por nuk përmend faktin se këto tituj janë hequr pas vitit “90 dhe as rezolutën e parlamentit (2006) që dënon krimet e kryera nga shteti komunist nën udhëheqjen e tij.

Për studiuesen dhe pedagogen e historisë, Enriketa Papa, ky akt nuk mund të kalohet me një larje duarsh.

“Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat, por një akt që rihap plagët dhe minon përpjekjet për një kulturë demokratike dhe pajtim social,”– shkruan Papa në një reagim në Facebook.

Shqipëria u drejtua nga Enver Hoxha nga viti 1944 derisa vdiq në vitin 1985, kohë gjatë së cilës shqiptarët u privuan nga të drejtat elementare të njeriut. Në burgjet, hetuesitë, kampet e internimit dhe kampet me punë të detyruar të ngritura nga ky regjim raportohen nga dokumentet arkivore mijëra vdekje nga uria, torturat, dëbimet, puna e detyruar, terrori fizik dhe psikologjik. Gjatë regjimit komunist u ndalua e drejta e besimit fetar dhe u ndërmor një represion i pashembullt ndaj klerikëve, kryesisht atyre katolikë, represion për të cilin Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë te veçantë në vitin 2016 që i parapriu ceremonisë së Lumturimit të disa klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë padrejtësisht nga regjimi komunist./Reporter.al