Dosja “Aruba” dhe zhdukja e emrave nga SPAK, avokati Llangozi pIas “bombën”, ja kush janë dy zyrtarët e lartë që kanë marrë pjesë në takime

Një amendament i paraqitur nga kongresmeni amerikan, Joe Wilson në Komisionin e Rregullave të Kongresit të SHBA-së disa ditë më parë parashikon hartimin e dy raporteve nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare lidhur me zhvillimet në Ballkan, konkretisht në Shqipëri dhe Serbi. Sipas propozimit, brenda 180 ditëve nga miratimi i ligjit, institucionet amerikane do të duhet të përgatisin një raport të klasifikuar për Shqipërinë, i cili do të analizojë shkallën e narkotrafikut në vend dhe rolin e mundshëm të qeverisë shqiptare në lehtësimin e tij.

I pyetur nga “NTV Televizion” për këtë nismë amerikane, avokati Arben Llangozi deklaroi se amendamenti mund të miratohet dhe se, sipas tij, autoritetet amerikane disponojnë prova dhe informacione të mjaftueshme për situatën në Shqipëri. Ai solli në vëmendje atë që e cilësoi si një element të rëndësishëm të dosjes “Aruba”, duke pretenduar se SPAK ka mbajtur të fshehur emrat e dy zyrtarëve të lartë shqiptarë që, sipas tij, kanë marrë pjesë në takime me përfaqësues të krimit të organizuar.

Llangozi ka deklaruar se ata, janë Damian Gjiknuri dhe Engjëll Agaçi. Avokati pretendon gjithashtu se në atë takim ka qenë i infiltruar një agjent i DEA-s amerikane, i cili, sipas tij, ka dokumentuar të gjitha diskutimet. Ai thotë se informacionet i ka siguruar nga persona që kanë qenë të pranishëm në mbledhje dhe që aktualisht ndodhen në kërkim.

Informacionet e forta të Llangozit:

“Patjetër që mund të miratohet sepse kemi të bëjmë me një shtet demokratik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet dhe me deputetë si Zegjine apo Sara Mila që mund t’i komandojë kryeministri. Nuk diskutohet që do marrin fakte dhe prova dhe kohën e mjaftueshme, por unë mendoj që faktet dhe provat janë të dukshme tashmë. Të mos harrojmë, marrim rastin e Zvërnecit. A ka provë më të madhe për mënyrën se si ka bashkëpunuar qeveria shqiptare me krimin e organizuar? Unë po i zbuloj dy emra të politikës dhe të qeverisë shqiptare që kanë marrë pjesë në Aruba.

Bëhet fjalë për Damian Gjiknurin dhe për Engjëll Agaçin, të cilët kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të krimit për mënyrën si do investohet në Shqipëri. Është informacion i saktë, SPAK-u e ka por nuk e heton. Pra këtu kemi të bëjmë me dy anëtarë të qeverisë të shkuar me porosi të kryeministrit për mënyrën se si do financohej krimi i organizuar. Dhe nga informacioni që unë kam, bëhet fjalë që një ndër personat që kanë qenë në mbledhje ka qenë agjenti i DEA-s amerikane që e ka përgjuar komplet këtë mbledhje, mënyrën se si do investohet në Shqipëri, dhe sot ne kemi një hetim edhe në Prokurorinë e Posaçme që janë zhdukur fare këto emra. Unë informacionin e kam të saktë sepse e kam marrë nga persona që kanë qenë atje, pra që ndodhen në kërkim tashmë.

Agjenti i DEA-s ka qenë i infiltruar në takim. Ka qenë në takim se është ftuar si pjesë e një grupi kriminal. Dhe dihet komplet, është përgjuar komplet se çfarë është folur, çfarë është diskutuar dhe një ndër personat që ndodhet tashmë në kërkim më ka kontaktuar dhe më ka dhënë dy emrat të cilët janë fshehur nga Prokuroria e Posaçme. Në qoftë se ne do kontrollojmë vendimet e masave, janë hequr dhe ndoshta mos është kjo ajo lloj marrëveshjeje që është duke u bërë që prokurorëve të posaçëm t’u zgjatet mandati?

Kjo do parë sepse këtu nuk mund të bëhet shkëmbim me fatet e një vendi dhe nuk mundet të jenë padronë disa prokurorë të një institucioni i cili mund të kthehet në abuzim më pas. Edhe unë kur të dalin informacionet e sakta jam përgjegjës dhe nuk e flas kot se po jap emra. Kështu që informacionin e kam shumë të saktë për këtë pjesë dhe a ka vend të rrijë që Shqipëria të ketë përfaqësues në një organizim që bën krimin e organizuar në një vend tjetër? Dhe normalisht për këtë mendoj dhe shumë prova të tjera janë dokumentuar nga Shtetet e Bashkuara se kemi të bëjmë me shërbime.

Nuk kemi të bëjmë si shërbim ynë informativ që s’di ku ka anëtarët e vet. Kështu që ne kemi një organizim të cilin shikojmë në ditët në vijim që do kemi rezultate pozitive në krijimin e atij propozimi që ka bërë kongresmeni. Kështu ju vlerësojmë që të bëhet diçka edhe për vendin tonë me këtë reagim që është bërë në Shtetet e Bashkuara. Sepse nuk kemi më një qeveri e cila ka favorizuar krimin e organizuar, por kemi një qeveri e cila merr pjesë në mbledhje me krimin e organizuar që ka kaluar stadet dhe kjo është e rëndë.

Edhe në qoftë se ata e kanë thënë “zyrtarë të lartë”, a ka detyrimin moral kryeministri të dalë e të thotë kush kanë qenë këta si zyrtarët e lartë? A ka detyrimin moral SPAK-u të sqarojë publikun? E ka, po pse nuk del? Si gjithmonë favorizohet. Të mos harrojmë që edhe para disa kohësh u publikua në media që një nënë që kishte bërë kallëzim për vrasjen e djalit të vet në Durrës kërkonte herë pas here që të vijonin hetimet dhe kishte arritur prokurori — sipas dëshmitarëve prokurori Troplini kishte dalë edhe kishte spiunuar te grupet kriminale.

Pse nuk është pjesë e dosjes? Pra kështu i eliminojnë, si rasti konkret dhe rastet e tjera, dhe ky rast do eliminohet. Dhe pse i mbajnë të fshehura këto? Pse nuk ka hetim të gjithanshëm? Pse nuk është përpara përgjegjësisë Gjiknuri? Pse nuk është përpara përgjegjësisë Agaçi? Kështu që vlerësohet që kjo është e rëndë dhe mendoj që nuk i shpëton gjë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo atlete të veshin kryeministrit, por dhe çizme.”

“Kur t’ju vënë këmbën në fyt, mos bëni zë”/ Këngëtarja, Enxhi Nasufi reagon ashpër për koncertin e Kanye West

Lìdhur me debatin e madh rreth dhënies të katër milionë eurove nga buxheti i shtetit për koncertin e yllit ndërkombëtar Kanye West në Tiran, këngëtarja dhe moderatorja e njohur Enxhi Nasufi ka bërë një reagim tejet të fortë dhe pa doreza në rrjetet sociale.

Enxhi ka shpërthyer hapur ndaj asaj që ajo e konsideron si një hipokrizi të madhe shoqërore, ku nga njëra anë vendi përballet me vështirësi të shumta dhe nga ana tjetër ekziston një entuziazëm i madh për të marrë pjesë në një koncert luksoz të paguar me paratë e taksapaguesve, e madje nga fondet e emergjencave.Përmes një mesazhi në Instastory, ajo ka goditur drejtpërdrejt apatinë dhe mungesën e reagimit apo dinjitetit kolektiv nga ana e qytetarëve.

Ajo ka shkruar fjalë për fjalë në reagimin e saj:

“Po mire me falni e po pak respekt keni per veten ? 4 milion e ca euro nga leket e emergjences dhe ju hidheni per Kanye? Po jashte shtetit se shihnit dot e nje here te vetme ne jeten tuaj te tregonit pak dinjitet dhe vetedije kolektive? Jo eeee me siguri dy kenge i dinit Kanyes .
Mos u merzisni kur ju thone dele pastaj dhe pyesni pak se ndoshta disave aty akoma su kane dhene shtepite e termeteve! E kur tiu bjere zjarri ne vere e permbytjet ne vjeshte se mos beni gek mek! E kur te madherishmit e te plotfuqishmit tiu vene kemben ne fyt me fort se mos beni ze! Sust!”.

Me këtë deklaratë të fortë, Enxhi ka lënë të kuptohet se pranimi në heshtje i shpenzimeve të tilla marramendëse, ndërkohë që problemet jetike të popullit lihen pas dore, është një dorëzim përpara shtypjes.

Ajo ka kritikuar ashpër faktin se si njerëzit zgjedhin të qëndrojnë indiferentë ndaj situatës së vështirë në vend, por vrapojnë të bëhen pjesë e eventeve që shërbejnë si fasadë.

Performoi një natë më parë në Tiranë, reagon për herë të parë Kanye West

Në një natë të mbushur me spektakël, Kanye West performoi në “Eagle Stadium” në Tiranë përpara 60 mijë fansave.

Koncerti bëri bashkë në Tìranë fansa nga 80 kombësi të ndryshme. Entuziazmi i tyre ishte i jashtëzakonshëm, teksa ndan emocionet dhe pritshmëritë për natën që e kishin pritur prej kohësh.

Vetë artisti amerikan me famë botërore reagoi pas asaj nate, duke falënderuar Ramën dhe Shqipërinë për ndërtimin e stadiumit dhe për mikpritjen.

“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për ndërtimin e një stadiumi dhe për mikpritjen që më bëtë në vendin tuaj të bukur”, shkruan Kanye.

Koncerti i Kanye West u shndërrua në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në vendin tonë, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve që mirëpresin spektakle të mëdha.

“Do të paguajnë për vdekjen e Khameneit”/ Gazeta iraniane publikon ‘listën e hakmãrrjes’, në shënjestër Trump, Netanyahu e liderët europian

Një gazetë ultrakonservatore iraniane ka publikuar një listë me figura ndërkombëtare që, sipas saj, duhet të “paguajnë” për vdekjen e ish-Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

E përditshmja Hamshahri, e lidhur me bashkinë e Teheranit, publikoi një infografik ku shfaqen 13 figura politike, mes të cilave presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer.

Publikimi erdhi pasi Udhëheqësi Suprem i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi në një mesazh të shkruar se “hakmarrja është e pashmangshme” pas vdekjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, i cili sipas pretendimeve në tekst u vra në një sulm izraelito-amerikan më 28 shkurt.

“Kjo hakmarrje është vullneti i kombit tonë dhe duhet të kryhet. Këta kriminelë do ta humbasin shpresën për një vdekje të qetë në shtretërit e tyre”, thuhet në mesazhin që i atribuohet Mojtaba Khameneit.

Megjithëse infografiku u publikua në versionin online të gazetës të shtunën në mbrëmje, ai nuk u përfshi në edicionin e shtypur të së dielës.

Gjatë konfliktit të fundit, autoritetet iraniane akuzuan disa vende evropiane se nuk dënuan sulmet ndaj Iranit dhe se, sipas tyre, lejuan përdorimin e hapësirës ajrore për operacionet ushtarake amerikane.

U mbyt trag jikisht në lumë, mesazhi prekës i shoqes së klasës për 15-vjeçarin: Nuk do të harrohesh kurrë, largimi yt na la me dhimbje

Humbja tragjike e 15-vjeçarit që u mbyt të dielën në lumin e fshatit Orizaj, në Berat, ka tronditur familjen, të afërmit dhe bashkëmoshatarët e tij.

Mes dhimbjes për ndarjen e parakohshme nga jeta, një nga shoqet e klasës ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar të miturin me fjalë emocionuese.

“Ka njerëz që kalojnë në jetën tonë dhe lënë gjurmë që nuk fshihen kurrë. Fatjoni ishte një prej tyre. Largimi yt na la një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë dhe një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë.

Është e padrejtë të flasim për ty në kohën e shkuar. Ende duket e pabesueshme që nuk je më mes nesh. Kujtimet, buzëqeshja dhe mirësia jote do të mbeten përgjithmonë në zemrat tona.

Do të na mungosh në çdo bisedë, në çdo të qeshur dhe në çdo moment që dikur e ndanim bashkë. Nuk do të harrohesh kurrë, sepse njerëzit si ti jetojnë përherë në kujtimet e atyre që i deshën.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë të afërmve. U prehsh në paqe, Fatjon. Zoti të mëshiroftë dhe të dhëntë Xhenetin. Ishe një shok fantastik”, shkruan ajo në mesazhin e saj.

I mituri ishte duke punuar me të atin në arë dhe ka hyrë në lumë për t’u freskuar, por rrjedha e lumit e ka marrë disa metra më poshtë. I ati ka hyrë për ta shpëtuar, por e ka nxjerrë djalin në breg pa shenja jete.

Ndarja papritur nga jeta e Jayden Adams, momenti kur mesfushori afrikan qëndron vetëm ndërkohë që skuadra festonte (Video)

Vetëm pak ditë pas përfùndimit të aventurës historike të Afrikës së Jugut në Kupën e Botës, një lajm i rëndë ka tronditur futbollin e këtij vendi.

Mesfushori i Bafana Bafana, Jayden Adams, ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare. Lojtari, i cili kishte qenë pjesë e kombëtares në Botëror dhe kishte regjistruar tre paraqitje gjatë turneut, është kthyer në qendër të vëmendjes pas një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.

Në pamjet që po qarkullojnë, shihen lojtarët e Afrikës së Jugut duke festuar kualifikimin historik në fazën me eliminim direkt të Botërorit. Mes këngëve, kërcimeve dhe atmosferës së gëzimit në dhomën e zhveshjes, vëmendjen e shumë tifozëve e ka tërhequr një moment i veçantë: Adams shihet i ulur në stol, në sfond, i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës dhe pa marrë pjesë në festime.

Pamjet kanë marrë një tjetër kuptim pas konfirmimit të lajmit tragjik për vdekjen e futbollistit, duke shkaktuar reagime të shumta nga tifozët dhe komuniteti sportiv.

Adams ishte një nga talentet më premtues të futbollit të Afrikës së Jugut dhe aktivizohej me Mamelodi Sundowns, një prej klubeve më të mëdha të vendit.

Mjekësia në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar (EMRI/Foto)

Dr. Jani Pjetri, një ndër mjekët veteran të Spitalit Rajonal në Fier dhe disa herë drejtues i tij, është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të hëne. Lajmin e trishtë e ka dhënë familja dhe kolegët, të cilët janë të prekur nga ikja e mjekut.

Doktor Jani e nisi karrierën si mjek radiolog në Spitalin Rajonal Fier më 3 janar 1973, ku për dekada u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe integritetin e tij.

Gjatë karrierës prej më shumë se pesë dekadash, ai shërbeu disa herë si drejtor i Spitalit Rajonal Fier, ndërsa deri në daljen në pension mbajti detyrën e shefit të Shërbimit të Radiologjisë, duke u shërbyer mijëra pacientëve.

Kolegët e kujtojnë Dr. Jani Pjetrin si një mjek me aftësi të larta diagnostikuese, korrektësi profesionale dhe qetësi të admirueshme, cilësi që i siguruan respektin e pacientëve dhe të komunitetit mjekësor ndër vite.

Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh profesional dhe njerëzor te familjarët, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me të. Doktor Jani do u mungojë edhe pacientëve që merrnin shërbim prej tij në Spitalin Rajonal të Fierit.

Dr. Jani Pjetri

Vrasja në Vorë, del foto e Edmond Sulës i cili u qëllua me armë zjarri me dylbi teksa po hynte në shtëpi

Personi që po shihni në foto është Edmond Sula, 50-vjeçari i cili u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në shtëpi. Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, viktima është qëlluar për vdekje me një plumb të vetëm, i shkrepur me një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi.

Një tjetër element që dëshmon planifikimin e detajuar të autorit është fakti se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka lë të kuptohet se qitësi ka vepruar nga një distancë e konsiderueshme dhe me mjete të sofistikuara.

Në fokus të hetimeve është vënë aktiviteti i viktimës, i cili merrej me shit-blerje pronash. Policia po verifikon me përparësi konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur nga kjo veprimtari, duke e konsideruar këtë pistë si më kryesoren për zbardhjen e motivit të këtij krimi të rëndë.

Aktualisht, grupi hetimor vijon punën intensive për sigurimin e provave që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes që ka shkaktuar tronditje në zonë.

‘Ka tort uruar një vajzë për florinj’, Malaj i ‘përvishet’ Xhafajt: Shiti Nanon, e kaIuara do ta ndjekë këmbë pas këmbe

Ish-ministri socialist Arben Malaj ka bërë akuza të forta ndaj Fatmir Xhafajt, lidhur me të kaluarën e tij, ndërsa komentoi krijimin e “Super-Komisionit” parlamentar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj shkruan se Xhafaj është përballur më herët me akuza publike të rënda, duke iu referuar një pretendimi se ka torturuar një vajzë të re për t’i marrë florinjtë, dhe shkroi se “e kaluara do ta përndjekë këmbë pas këmbe”.

Reagimi i tij vjen në kuadër të kritikave ndaj strukturës së re parlamentare, të cilën Malaj e ka cilësuar si një mekanizëm që cenon demokracinë parlamentare dhe përqendrimin e kontrollit institucional.

Postimi i plote

“Super-Komisioni” Xhafaj vret demokracinë parlamentare! Kjo praktikë nuk gjendet në asnjë eksperiencë parlamentare të vendeve demokratike.

Thelbi është i qartë: Xhafaj i shërben! Rama e shperblen!

Kalbëzimi i PS-së, i qeverisë dhe i parlamentit. Nga të babeziturit per para dhe pushtet abuzues. Pra jo nga socialistët e thjeshtë dhe fisnik , është shumë më i thellë dhe shumë më i rëndë, se ai që shfaqet në sipërfaqe. Xhafaj nxitoi të shiste Nanon 2005 pêr t’i shërbyer Ramës.

Më pas nxitoi t’i shërbente Erionit pët ti zênë vendin Ramës. Por këtë herë nuk e parashikoi saktë: Erioni përfundoi në burg, Xhafaj mori disa koncesione qeveritare shume fitim prurëse dhe brenda 4 ditëve dhe një super komision.

Por e kaluara do ta përndjek këmbë pas këmbe. Një individ që akuzohet publikisht se ka torturuar një vajzë të re për t’i marrë florinjtë, që gjatë kohës së komunizmit, do ta ketë shumë të vështirë t’i shpëtojë gjykimit të Zotit.

Kur dhe si është çështje kohe!

Ja dhe sqarimet se përse super komisionet vrasin demokracinë :

Ndarja që bëni midis komisioneve të përhershme (që ndjekin strukturën e ministrive të linjës) dhe atyre të përkohshme apo ad-hoc (për çështje specifike, hetimore apo legjislative me afat të kufizuar) është pikërisht shtylla kurrizore e parlamenteve funksionale në demokracitë perëndimore.

Nëse i referohemi eksperiencave më të mira parlamentare (si modeli i Bundestagut gjerman, i dhomave të Parlamentit britanik apo i modelit francez), praktika e ngritjes së një “super-komisioni” të përhershëm, i cili mbivendoset mbi komisionet e rregullta dhe detyron institucionet e pavarura kushtetuese të raportojnë direkt tek ai, konsiderohet një anomali strukturore për disa arsye kryesore:

Cënimi i Parimit të Ndarjes së Pushteteve

Në vendet demokratike, institucionet kushtetuese (si p.sh. Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucionet e drejtësisë apo bankat qendrore) kanë një kanal raportimi të mirëpërcaktuar në Kushtetutë, zakonisht përpara seancës plenare ose komisioneve specifike të linjës (si Komisioni i Ligjeve apo ai i Financave).

Krijimi i një strukture paralele me varësi të detyruar administrative “vret” pavarësinë e këtyre organeve dhe cenon parimin kushtetues të checks and balances (kontrollit dhe balancimit).

Zhveshja nga kompetencat e komisioneve të rregullta

Nëse një komision i ri merr të drejtën të mbikëqyrë, filtrojë apo inspektojë çështje që i takojnë komisioneve të përhershme sektoriale, ai automatikisht e kthen parlamentin në një strukturë piramidale të përqendruar.

Në praktikat më të mira, komisionet e përhershme janë sovrane në fushën e tyre të ekspertizës; asnjë komision nuk mund të jetë “më i barabartë se të tjerët”.

Modeli i Komisioneve “Ad-Hoc” vs. “Super-Komisioneve” të Përhershme

Kur vendet demokratike përballen me nevoja për reforma të mëdha strukturore (siç mund të jetë integrimi europian apo reforma në drejtësi), ato ngrenë komisione të përkohshme ose speciale.

Këto komisione:
Kanë një mandat të qartë, specifik dhe të kufizuar në kohë.

Nuk zëvendësojnë apo mbivendosen mbi rolin mbikëqyrës të komisioneve ekzistuese.

Nuk krijojnë marrëdhënie të reja varësie apo raportimi me institucionet që Kushtetuta i ka shpallur të pavarura.

Kjo që përshkruani në rastin e Shqipërisë tregon një tendencë drejt “përqendrimit të kontrollit legjislativ, duke krijuar një strukturë hibride që nuk synon thjesht bërjen e ligjeve, por mbikëqyrjen e institucioneve që me ligj duhet të jenë jashtë ndikimit direkt politik të shumicës parlamentare.

Ky model rrezikon ta kthejë kontrollin parlamentar nga një mjet llogaridhënieje, në një mjet presioni politik mbi organet kushtetuese.

Sekretet dhe historia e armës që Erdogan u dhuroi Iiderëve të NATO-s: Çfarë është Gümüsay .357 Magnum? (Video)

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka dhuruar liderëve të vendeve anëtare të NATO-s pistoleta të personalizuara Gümüşay .357 Magnum në përfundim të Samitit të Ankarasë.

Dhurata simbolike kishte për qëllim të promovonte historinë e industrisë turke të mbrojtjes dhe zhvillimin e prodhimit vendas të armëve të vogla.

Pistoletat, të gdhendura me emrin e secilit marrës, ishin vendosur në kuti druri të personalizuara me flamurin turk, stemën e NATO-s dhe një pllakë përkujtimore.

Paketa standarde përfshinte gjithashtu gjashtë fishekë dhe një komplet për mirëmbajtjen e armës, ndërsa, sipas raportimeve, paketa e përgatitur për kryeministrin britanik Keir Starmer përmbante 500 fishekë.

Fakti që armët ishin plotësisht funksionale dhe shoqëroheshin me municion krijoi procedura të ndryshme ligjore dhe të sigurisë në vendet pritëse. Në varësi të legjislacionit kombëtar, pistoletat iu nënshtruan kontrolleve doganore, ruajtjes nga autoritetet, çaktivizimit ose transferimit në muze.

Sipas raportimeve, Belgjika e dorëzoi armën në policinë e aeroportit të Brukselit, Polonia e mbajti në doganë në pritje të procedurave, Holanda dhe Suedia e lanë përkohësisht në ambasadat e tyre në Ankara, ndërsa Italia e transferoi në depozitën shtetërore për dhuratat zyrtare.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, planifikon ta dhurojë revolverin në një muze ushtarak, ndërsa Greqia synon ta ekspozojë në Muzeun e Luftës në Athinë. Kanadaja, ndërkohë, e çaktivizoi armën dhe e ndau nga municioni.

Gümüşay .357 Magnum konsiderohet pistoleta i parë modern i zhvilluar në Turqi. Ai u projektua në fillim të viteve 1990 nga kompania shtetërore MKE (Makine ve Kimya Endüstrisi) si një armë për tregun civil, qitësit sportivë dhe përdorim të kufizuar nga policia, duke demonstruar aftësinë e industrisë turke për të prodhuar një revolver modern pa licencë të huaj.

Modeli është një revolver me gjashtë fishekë dhe mekanizëm me veprim të dyfishtë dhe të vetëm (DA/SA). Tytat dhe cilindrat prodhoheshin nga MKE, ndërsa pjesë të tjera montoheshin nga kompania Küssan A.Ş. Prodhimi i tij u ndërpre pas një periudhe të shkurtër dhe nuk janë publikuar të dhëna zyrtare mbi numrin e armëve të prodhuara, çka e bën atë një model relativisht të rrallë në tregun e koleksionistëve.

Sipas raportimeve, zgjedhja e Gümüşay si dhuratë diplomatike synonte të simbolizonte fillimet e industrisë moderne turke të armëve të vogla, e cila vitet e fundit ka shënuar rritje të konsiderueshme në eksportet e saj.