Prezantohet iPhone 16, është thuajse identik si iPhone 15

Apple ka prezantuar sot modelin e ri të smartfonëve, iPhone 16.

Telefoni i ri ndonëse ngjan thuajse i njëjtë me iPhone 15, vjen në disa ngjyra të reja, si dhe me konfigurim të kamerave dyshe në mënyrë vertikale, gjë që nuk shihej që prej iPhone 12.

Ndryshimet më të rëndësishme janë në brendësi të telefonit, si për shembull çipi A18 me proces 3nm që është 30 për qind më i shpejtë se procesori i iPhone 15. Por edhe një buton i ri që debutoi në modelet Pro të vitit të kaluar dhe një tjetër i kontrollit të kamerës fizike poshtë butonit të energjisë.

iPhone 16 do të jetë telefoni i parë i Apple që do të përdorë Apple Intelligence (beta) pas një përditësimi që vjen në tetor. Kompania njoftoi fillimisht softuerin e AI në WWDC, ku ishte i kufizuar vetëm për modelet e nivelit Pro iPhone 15.

Edhe një herë, iPhone standard do të vijë me një ekran 6.1 inç, ndërsa iPhone 16 Plus më i madh do të ketë një ekran 6.7 inç, të njëjtat madhësi si gjenerata e iPhone 15. Por ekranet për çiftin iPhone 16 mund të arrijnë 2000 nits ndriçim maksimal dhe me një zbehtësi sa 1 nit.

Inxhinieri i Gazit ‘plas deklaratën bombë’: Si Sali Berisha donte t’ia jepte Greqisë shërbimet për TAP-in

“Berisha donte t’ia jepte shërbimet për TAP-in grekut, sepse thoshte se Shqipëria nuk ka profesionistë”.

Kështu shprehet Haki Rrokaj, ish-inxhinier i përpunimit të vendburimeve të përpunimit të naftës dhe gazit, në një program televiziv.
“Kur merr përsipër një qeverisje, merr përsipër përgjegjësitë. Ne nuk kemi as paratë, por tani kemi mbetur edhe pa mendje.

Fakulteti gjeologji miniera, është shkolla ku unë kam përfunduar studimet, nuk ka një fushë që ë merret me studime specifike apo përgatitje specialistësh. Bota për gazin ka specialistë. Duhet një platformë që punët të bëhen nga specialistët. Të zgjodhën njerëzit që janë të fushës.

Berisha donte t’i jepte shërbimet për TAP-in grekut, sepse thoshte ne nuk kemi përvojë. Ai, mund të mos ketë përvojë si doktor, sepse ai mund të ketë përvojë në salla operacioni apo salla kardiologjie, por pyet, pastaj fol.

Problemet që u krijuan me Greqinë, na kanë vonuar në zgjidhjen e problemit të kalimit të gazsjellësit dhe kalimit në rrjet. Ne kemi bërë disa takime për rrjetin shqiptar, me rusët, me grekët, me maqedonasit, janë bërë që në vitin 1990. Problemet që u krijuan nga politika deri në ‘95 kishin pasoja.

Pse greku donte që TAP-i të kalonte nga Igumenitsa, ishte çmenduri. Përveç distancës së madhe, thellësia ishte mbi 1000 metra.

Kush është ai që do të shpenzojë kur ka mundësi të harxhojë më pak?

Pas Berishës ishte Ilir Meta kryeministër. Ai thoshte që tani që u ndërtua TAP-i Shqipëria ka një pavarësi të dytë. Sa TAP-a e TAP-a do të vijnë e do të ikin. Por ato nuk i japin pavarësinë Shqipërisë. Pavarësinë ia jep një platformë e qartë për të nxjerrë e përdorur gazin e saj”, u shpreh Rrokaj.

Më tej duke folur për TAP, Rrokaj shprehet se Shqipëria nuk ka përfitime të mëdha nga ky projekt, përsa kohë nuk merr gaz.

“TAP-i është për mua një tubacion që kalon në Shqipëri dhe kaq. Tashmë është e domosdoshme që ato probleme që ju i keni trajtuar në emisionet që keni bërë me ekspertët, është e nevojshme të zgjidhet sasia e gazit që duhet siguruar.

E dyta, mënyra se si do të zgjidhet TEC-i i Vlorës, pasi kjo që kanë bërë tani është provizore. TEC-i i Vlorës do furnizim të
pandërprerë. Në kushtet kur Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz, edhe në Shqipëri ka pasoja.

Dua të flas pak infrastrukturën e TAP në ato zona ku kalonte gazsjellësi. TAP-i nuk ka bërë infrastrukturë në Berat se ishte human. E ka bërë sepse ia ka dashur puna. Ndaj ka bërë diçka edhe për ne.

Ka numëruar karrot e dheut dhe thoshin kaq karroca me dhe i hoqëm për të bërë një urë kalimi me hapësirë 34 metra. Të thotë ky grupim i tillë me një potencial kaq të fuqishëm u mora me karrocat e dheut, nuk më duket normale. Thonë që kanë shpenzuar 19 milionë dollarë për Shqipërinë, por kjo është thikë me dy presa”, tha Rrokaj.

E KRYER/ Arlind Ajeti drejt Superligës turke, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare arrin akordin me…

Arlind Ajeti drejt transferimit në Superligën Turke. Këto janë raportimet e fundit që vijnë nga Rumania.

Bëhet me dije se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka arritur akordin me skuadrën e Bodrumspor, ku së fundmi firmosi edhe Taulant Seferi.

Nga ky transferim klubi i Kluzhit, që disponon kartonin e Ajetit, pritet të përfitojë 300 mijë euro. Një hap i rëndësishëm ky në karrierë për 30-vjeçarin, i cili dëshiron të japë kontributin e tij edhe për disa vite me fanellën e Shqipërisë.

Pavarësisht se prej kohësh i dëmtuar, Ajeti arriti të jepte një kontribut të çmuar te skuadra e Kluzhit, duke u shndërruar në një lider.

Ai u transferua verën e kaluar si lojtar i lirë pas largimit nga Pordenone.

Sonte do të përballen me Gjeorgjinë, Sylvinho ‘ngre në qiell mbështetësit’: Tifozët kuq e zi janë forca jonë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, në konferencë për media në prag të sfidë me Gjeorgjinë, u shpreh se forca kryesore e ekipit janë tifozët kuq e zi.

Ai vlerësoi kundërshtarin, duke thënë se Gjeorgjia është një skuadër shumë e organizuar dhe me cilësia të lartë teknike.

“Ky është një grup shumë I ekuilibruar dhe mund të ndodh çdo gjë. Gjeorgjia është një ekip shumë I organizuar dhe me cilësia të larë teknike”,tha ai.

Vajza e Besit dhe Xhensilës nis shkollën, tërheq vëmendje çanta që kushton sa rroga e mësueses

Ajka, vajza e këngëtares Xhensila Myrtezaj dhe aktorit Bes Kallaku ka nisur ditën e sotme shkollën. Xhensila bëri një urim për të bijën pasi e nisi për në shkollë.

“Mami do jetë me ty në çdo hap tëndin. Do jem aty për të duartrokitur çdo sukses tëndin. Tek te shoh duke u rritur, ndihem e bekuar, ndihem nënë dhe grua e përmbushur.”, shkroi artistja.

Në foton që postoi Xhensila, Ajka shihet me një çantë shkolle të markës luksoze Dolce & Gabbana, e cila kushton rreth 650 dollarë.

Ajka në ditën e parë të shkollës

Greqia e bën zyrtare, taksë 20 euro për turistët që vizitojnë Mykonos dhe Santorini

Lëvizja e Greqisë kundër turizmit masiv dhe fluksit në rritje të anijeve turistike që ndalen në brigjet e saj do të finalizohet me vendosjen e një takse 20 euro, e cila do të vlejë fillimisht vetëm për dy ishujt, Mykonos dhe Santorini.

Plani për vendosjen e taksës është njoftuar nga vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis në edicionin e 88-të të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, por mbetet ende e paqartë se kur do të hyjë në fuqi.

“Greqia nuk ka një problem strukturor të mbiturizmit. Ajo ka një problem të përqendruar në disa destinacione dhe në disa javë apo muaj të vitit. Kroçeret vënë nën presion Mykonos dhe Santorini dhe për këtë arsye çmimi do të jetë 20 euro”, shpjegoi kreu i qeverisë së Athinës në një konferencë për shtyp. 

Mitsotakis nuk specifikoi se kur do të hyjë në fuqi taksa e re, por shprehu shqetësimin për fluksin e anijeve turistike.

“Po aq e rëndësishme është ndërhyrja për numrin e anijeve që mbërrijnë në destinacionin e tyre në të njëjtën kohë. Ne do të jemi mjaft të guximshëm në këtë pikë”, theksoi kryeministri grek, duke kujtuar edhe “rregullat e qëndrueshmërisë” në lidhje me infrastrukturën e re.

Në vitin 2023, rreth 800 kroçere me 1.3 milionë pasagjerë zbarkuan në ishullin e Santorinit ku jetojnë vetëm 15.500 banorë, sipas shoqatës greke të porteve.

Nga rekordi prej 32.7 milionë turistë që vizituan Greqinë vitin e kaluar, rreth 3.4 milionë, ose një në dhjetë vizitorë, shkuan në ishullin e Santorinit.

Për shkak të këtij fluksi të paprecedentë qeveria synon tanimë të ndërhyjë në numrin e anijeve që mbërrijnë në destinacionin e tyre në të njëjtën kohë, duke e gjykuar të nevojshme të vërë frenat në ishujt ku po vihen në provë kufijtë e infrastrukturës./a2

Brojën vijon ta ndjekë fati i keq, merr një lajm jo pozitiv nga autoritetet britanike

Armando Broja ka parë të shuhet një nga ëndrrat e tij të mëdha. Sulmuesi kërkonte të shembte banesën aktuale, për të ndërtuar një shtëpi të re luksoze, por oficerët e planifikimit të zonës kanë refuzuar kërkesën.

Broja, i lindur në Slou, aktualisht zotëron një pronë në Surrei. 22-vjeçari po përpiqej të shembte shtëpinë e tij ekzistuese për të hapur rrugën për një rindërtim të rëndësishëm. Prona e ëndrrave me pamje të re ishte planifikuar të përfshinte një pishinë dhe një palestër, ndërtesa të cilat morën miratimin nga Këshilli i Bashkisë së Ellmbrixh.

Megjithatë, si pjesë e një rindërtimi për të cilin do të shpenzoheshin 4 milionë paund, ai kishte synuar të trefishonte madhësinë e banesës. Pavarësisht se nuk kishte asnjë ankese nga fqinjët, këshilli i doli kundër.

“Si rezultat i rritjes së konsiderueshme në gjatësi dhe lartësi, konsiderohet se pjesa më e madhe, shkalla dhe masa e propozuar do të tejkalonte shumë atë të shtëpisë ekzistuese që do të zëvendësonte dhe të pronave fqinje,” tha zyrtari i planifikimit Xhozef Kelli për “The Sun”.

“Banesa e propozuar zëvendësuese do të mbushte pjesën më të madhe të gjatësisë së parcelës e cila nuk është në përputhje me strukturën urbane dhe modelin e ndërtesave në peizazhin e rrugës që janë me densitet të ulët në zonën lokale. Edhe pse vendi i aplikimit është një parcelë e gjerë, shtëpia e propozuar zëvendësuese do të ishte joproporcionale, jokarakteristike dhe e papërputhshme në madhësinë dhe pamjen e saj në krahasim me shtëpinë ekzistuese.”

Planet e reja do të kishin parë që banesa e Brojës të rritej ndjeshëm në lartësi dhe gjatësi, ndërsa ai kërkonte të vinte në vend planet për një shtëpi ëndrrash me pesë dhoma gjumi. Megjithatë, Kelli vuri në dukje se: “Zhvillimi i propozuar nuk do të ndikojë negativisht në lehtësitë e banimit të pronave fqinje për shkak të pamjes.”

Broja mendohet se e ka blerë pronën e cila ndodhet pranë fushës së stërvitjes Kobhem të Çelsit, në dhjetor 2023 për 1,8 milionë paund. Tani nuk dihet ende nëse Broja do të propozojë një maket të ri për miratim, apo nëse do të kërkojë një pronë tjetër ku të ndërtojë shtëpinë e ëndrrave të tij.

Dalin pamjet kur Benet Beci “zbythet” nga shkodranët në Postribë: “Ik, shporru se nuk ke fytyrë ti” (Video)

Shkodranët kanë kujtuar sot 78 vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste në Shqipëri, atë të Postribës. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë banorë të zonës, intelektualë të Shkodrës dhe përfaqësues të larta të Partisë Demokratike.

Mirëpo, në një moment atje ka shkuar dhe kryebashkiaku Benet Beci, i cili nuk ka duruar dot të përfundonte as këndimi i himnit kombëtar, sepse banorët kanë nisur të kërkojnë në kor largimin e tij.

“Ik, ik, shporru se nuk ke fytyrë ti”, dëgjohet të thonë në kor banorët, derisa kryebashkiaku socialist vendos të largohet me makinën e tij.

Demokratët e kanë konsideruar si provokim praninë e Benet Becit në këtë aktivitet, për përkujtimin e kryengritjes së parë antikomuniste të Shqipërisë, si përfaqësues të një pushteti që ka persekutuar Shkodrën dhe shkodranët.

Edhe ish-kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia ka reaguar sërish për provokimet e rilindjes në festën e Postribës.

“Ikën i përzënë me bisht ndër shalë pa pritur të mbarojë as Himni Kombëtar, mbasi provokoi njerëzit liridashës të Shkodrës e Postribës dhe dha urdhër për arrestime.

Ti shoku Benet ishe aty i dërguar nga partia për të provokuar dhe përdhosur vuajtjet e popullit të Shkodrës, Postribës e Malësisë.

Ti nuk di çfarë është respekti sepse je një pelivan politik që sot përfaqëson persekutorët e Shkodrës dhe Postribës. Ti shoku Benet, përfaqëson narkoshtetin dhe persekutorët e Shkodrës dhe shkodranët po të njohin dita ditës”, shkruan Spahia ne shënimin e tij në facebook.

Kryengritja antikomuniste e Postribës në rrethin e Shkodrës është një nga kryengritjet e para dhe të pakta ndaj regjimit komunist. Me në krye Shaban Haxhinë, pjesëmarrës në Luftën e Koplikut 1920 dhe në rezistencën kundër pushtimit Italian në Shkodër, 1939. Më 9 Shtator kryengritësit sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, me qëllim lirimin e të burgosurve politikë.

Revolta u shtyp me gjak nga ushtria, por jo vetëm kaq. Filluan reprezalje ndaj popullsisë së Postribës, me djegien e shtëpive të fshatit, gjyqe ushtarake, pushkatime, burgime dhe internime pa masë, si një kundërpërgjigje e diktaturës komuniste për kryengritjen.

Nafta në pikiatë, regjistrohet çmimi më i ulët që prej Dhjetorit të vitit 2021

Tregjet ndërkombëtare të arit të zi u hapën me një rritje të lehtë këtë të hënë, por sërish çmimi i naftës së papërpunuar mbetet në nivelet më të ulëta të dy viteve të fundit.

Më konkretisht nafta bruto në bursën e Teksasit për kontratat e Tetorit shitet me 68.8 dollarë, çmimi më i ulët ky që prej Dhjetorit të vitit 2021, para nisjes së luftës në Ukrainë.

Ndërkohë që javën e shkuar bursa u mbyll me një çmim edhe më të ulët, ku një fuçi naftë u shit në nivelin e 67 dollarëve. E njëjta situatë paraqitet edhe në bursën e Londrës ku nafta Brent shitet sot me afro 72 dollarë, ndërkohë që të premten e shkuar çmimi ra në nivelin e 70 dollarëve.

Edhe për këtë bursë ky është çmimi më i ulët në 2 vitet e fundit. Ekspertët e lidhin këtë situatë më së shumti me vendimin e kompanisë shtetërore të naftës së Arabisë Saudite e cila uli çmimin e arit të zi të papërpunuar për blerësit aziatikë, por edhe me rënien e kërkesës në konsumatorin më të madh në votë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çmimet e naftës së papërpunuar në tregjet botërore pritet që në javët në vijim të japin efekt direkt edhe në tregun e pakicës në vendin tonë, raporton Tv Klan.