“PROVOKACJA nr 2”: Pas Beogradit, Edi Rama hap çështjen shqiptare edhe në Athinë!

Ka mjaft kryeministra shqiptarë që kanë thënë se kanë hapur çështjen çame në Athinë.

Asgjë nuk është e vërtetë. Por si Majko ashtu edhe Meta diçka kanë thënë. Ramiz Alia në takimin me Micotaqisin, kur e dinte se do ikte në pushteti e ka lëshuar pak gojën.

Asnjë gjë nuk kanë thënë, fare. I vetmi person që ka folur për çamët është Ramiz Alia, edhe ai jo publikisht. Në kohën kur Alexis Tsipras ishte në krye të qeverisë greke, ai hyri në një konflikt të hapur me Edi Ramën.

E për të treguar se është më i fortë, çonte ushtrinë me tange e blinde në kufij me Shqipërinë. Ndërkaq, Ilir Metën, atëherë kyryetar i Parlamentit të Shqipërisë, e dekoroi si një politikan më i pranuar nga Athina.

E ndërkohë që dekoronte Ilir Metën, qeveria e Alexandër Tsipras ndëshkoi pa lidhje kryetarin e bashkisë së Himarit Gjergj(Jorgo) Goron.

Duke i hequr nënshtetësinë greke dhe shpallur Non Grata, ndërkohë që Goro, shtetësinë e kishte fituar si emigrant, sit ë gjithë të tjerët sipas ligjit grk. Këtë ndëshkim, qeveria greke, e bëri thjesht që të ndikojë në avancimin e planit të Fredi Belerit.

Madje aq i hapur ishte ky plan, sa një ambasador grek, ndërkohë që kishte në plan të merrte pjesë në aktivitet së bashku me shkrimtarin e madh grek, të nivelit botëror, Vasiliko Vasilikos, takon si “rastësisht” Fredi Belerin, në rrugë.

Kur mund takonte kur të donte në zyrë apo në një bar kafe apo restorant. Por jo, donte të tregonte se Vasiikos, i cili jepte mesazh paqeje e vllazërije ishte pjesa kot e një axhende ku takonte Belerin, i cili natyrisht nuk kishte asgjë për të thënë krahasimisht me një nga bosët e kulturës botërore.

E në këtë atmosferë, Edi Rama shkoi në Athinë, për të thënë atë që nuk mundet t’ja thonte asnjë homologu të tij. Pasi realisht nuk se mundet, ka protokoll.

E megjithatë ndothi takimi i shumëdiskutuar ku gjithsesi u lejua. Në një ditë, ku Micotaqis ishte në Turqi, e kjo nuk ishte rastësi.

E këtë takim, Edi Rama, ka folur me shqiptarët e Greqisë, të cilët e pritën si një lider politik të vendit, duke i rezervuar një atmosferë që nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Pikërisht në këtë takim, Edi Rama, në Athinë ka folur për tema që nuk ka mundur asnjëherë ti ndajë në takime protokollarë, ti diskutojë në bisedime qeveritare.

Por i ka ndarë me opinionin public shqipar, e mbi të gjitha atë grek. Ka folur për problemet historike, ato politike, por edhe për brengat e mëdha, duke nisur nga Çamëria, duke paralajmëruar se nuk është Shqipëria një vend që do të pranojë kushtet e “Deep State” grek.

Në një farë mënyrë, apo në të gjitha mënyrat, Edi Rama ka bërë pjesën e dytë të planit të tij, pas asaj sfaqe që bëri në Beograd në vitin 201, kur tha se Serbia duhet të njohë Kosovën e pavarur.

Sot në Athinë, Edi Rama ka folur për Çamërinë, në një mënyrë tjetër, por në Athinë. Ka folur për dëbimet e dhunshme të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë, siç ka folur për përkatësinë nacionale të pavarësisë së Greqisë. Një provokacion që sipas gjasave do të flitet jo me ditë, as me javë, por pa të ndarë.

Edi Rama ka dhënë një diskurz zyrtar të Tiranës zyrtarë, që nuk e ka bërë asnjë kryeqeveritar i Shqipërisë.

E kjo, mirë keq, është hera e parë! Por pas një fitoreje të madhe, medje shumë të madhe ku Tirana për herë të parë ndoshta nuk ka hyrë në një kurth që Micotaqis i ka ngritur me Sali Berishën e Ilir Metën.

Të cilët sot, janë edhe më antipopullorë, pikërisht prej kandidimit të Fredi Belerit dhe dështimit të përdorimit të tij si Kalë Troje.

E rëndë në ndeshjen e Amarildo Bakajt, boksieri humb jetën në ring pas grushteve (VIDEO)

Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj nuk ka mundur të zhvillojë ndeshjen mbrëmjen e djeshme, pasi boksieri Sherifdin Laval, ka ndërruar jete, pas goditjeve të marra në duelin e parë.

Kësisoj është ndërprerë i gjithë eventi i boksit, për shkak të ngjarjes së rëndë.

Boksieri po përballej me rivalin Malam Varela dhe u rrëzua në raundin e dytë.

Atij iu dha ndihma e parë, por nuk arriti që të shpëtonte.

SHIKO VIDEON KËTU

Bes Kallaku ‘i nxjerr bojën’ Bujar Qamilit: Kemi fjetur në hotel bashkë, në jetën time nuk kam parë njeri që…

Bes Kallaku, kryeplaku i “Ferma VIP” i ka zbuluar një “sekret” artistit të madh Bujar Qamili, i cili ishte i ftuar në një program televiziv.

Gjatë mesazhit përshëndetës që i dërgoi, Besi tha se nëpër koncertet që zhvilluar së bashku i është dashur që të qëndrojnë në të njëjtën dhomë.
Sipas Besit, këngëtari i mirënjohur gërrhet shumë ku fle. Kjo shkaktoi të qeshura.

Bes Kallaku: O Bujar Qamili, o bilbil i muzikës tekno, house dhe hip-hop në Shqipëri të hanksha zemrën. O më i miri. Do t’iu them një sekret. Unë jam nga ata që në koncerte ka rastisur që të fle me Bujar Qamilin në të njëjtën dhomë dhe deri më sot në jetën time nuk kam parë njeri që kur gërrhet tund themelet e hotelit. Në fakt Bujari nuk gërrhet, Bujari pëllet kur fle.

Bujar Qamili: Unë e kam mik të vjetër dhe pres nga Besi, në bazë t bisedave, sa të dalë nga Ferm VIP të bëjmë një duet. Më ka ofruar një këngë, refreni është jashtëzakonisht i bukur, por që do na shkojë të dyve. E falenderoj e kam mik të vjetër sepse kemi bërë shumë koncerte bashkë.

“Jeton në Amerikë, s’e kam problem lidhjen në distancë”- Nga njohja me partneren 22 vite më të re, tek planet për dasmë, rrëfehet Robert Berisha

Robert Berisha ka folur për marrëdhënien e tij me partneren 22 vite më të vogël. Ai ka rrëfyer se 23-vjeçarja jeton në Amerikë dhe janë njohur pasi Ana e ka parë në një dasmë atje.

Robert Berisha është shprehur se nuk e ka problem lidhjen në distancë dhe se planifikon të martohet sërish.

“Si mos ta postoj këtë pehri? Loçkë, 23 vjeçe, ulqinake. Nuk e kam problem lidhjen në distancë, më bie të udhëtoj shumë, edhe ajo vjen këtu.

Është viti i pari, më ka rënë shpesh të shkoj në Amerikë. Tani e kemi lënë që do të vijë të rrijë këtu më gjatë, se unë nuk kam mundësi që të shkoj të rri shumë.

Kur e kam njohur këtë nuk e ka ndjekur asnjë artist shqiptar, larg estradës. Më ka parë me një dasmë në Neë York, ka publikuar një story dhe kështu kemi nisur kontaktet. Nuk e ka ditur se kush jam. Ndihem shumë mirë me të. Kjo është Ana Maria.

Pse mos të kem dasmë. Dasmën e dytë do ta bëjë ndryshe. Do e bëja jashtë, në një ambient të hapur. Më të vogël diçka”, tha ai.

Arvanitasi që fitoi maratonën e parë në historinë e Lojërave Olimpike

Spiridon Luisi ujësjellësi i fshatit që fitoi medaljen e parë të artë për Greqinë në histori, në Olimpiadën e parë, në vitin 1896.

Nga Ruben Avxhiu

Një arvanitas ka bërë histori në ngjarjen e parë madhore sportive të historisë moderne.

Në fund të shekullit të 19, bota e sportit arriti të organizojë aktivitetin e saj të parë të madh ndërkombëtar. Organizatorët vendosën ta quajnë Olimpiadë, për nder të lojërave sportive të Greqisë së lashtë. Për këtë arsye, nderi i organizimit të parë iu la Athinës.

Edhe sot e kësaj dite, këto aktivitete kanë të njëjtin emër dhe zhvillohen një herë në katër vjet. Po historia që tregohet këtu është e lidhur me atë të vitit 1896, kur megjithëse nuk kishte ende Shqipëri, shqiptarët nuk munguan në këtë ngjarje të madhe, ndonëse me flamurin e Greqisë, një vend ky ku arvanitasit ende mund të flisnin gjuhën e tyre.

Kush e kishte njohur Spiridon Luisin as që mund t’i shkonte mendja se një ditë ai do të mbulohej me lavdi botërore e do të hynte në analet e historisë.

I lindur në fshatin Marousi, sot një rrethinë në veri të Athinës, në janar 1873, në një familje të varfër arvanitase, mundësitë e tij në jetë ishin të kufizuara. Babai i tij thuhej se shiste ujë mineral nëpër Athinë, në një kohë kur kryeqyteti grek nuk kishte ende një system qendror uji të pijshëm. Spiridoni qysh në fëmini u detyrua t’i përvishej punës së vështirë fizike për të ndihmuar babain.

Olimpiada, bota e sportit zbarkon në Greqi

Ardhja nga e gjithë bota për të vrapuar, garuar e matur forcën në Greqi, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për vendin e varfër, por edhe një nxitje për nacionalizmin e ri. Propaganda zyrtare donte patjetër një fitore kombëtare.

Po grekët e kohëve të Olimpiadave ishin shuar me kohë. Grekët e fundshekullit të 19-të ishin ish-otomanë nën një program shtetëror greqizimi.

Vendi ishte i prapambetur dhe në rang botëror, konkurrimi ishte i vështirë.

Hedhja e diskut, sporti që në njëfarë mënyre simbolizonte lashtësinë greke, u fitua nga amerikani Robert Garret dhe u përjetua si një ofendim kombëtar.

Gara e maratonës, ndoshta për herë të parë dhe të fundit, u bë realisht në vendin ku në kohën e lashtësisë ushtari maratonomak kishte vrapuar nga Maratona në Athinë për të lajmëruar fitoren kundër persëve. Banorët modernë të Greqisë ishin gjerësisht injorantë për historinë e lashtësisë greke.

E vetmja pjesë e edukuar, elita fetare greke nuk kishte interes për periudhën parakristiane të historisë. Por historitë e lashtësisë greke gjallonin në mënyrë të jashtëzakonshme në kulturën perëndimore. Për ironi të fatit ishin të huajt që ua mësuan grekëve të rinj se nga vinin.

Tani ka ironira që thonë se po t’u bësh testin e ADN-së grekëve të ditëve tona, dalin të tërë turq, po le të mos u hyjmë hamendësive. Grekët e sotëm e përqafuan identitetin e lashtë gati po me atë shpejtësi më të cilën po shohin sot maqedonasit të bëjnë të njëjtën gjë.

Në letërsinë shqiptare historia e maratonomakut është përjetësuar nga vargjet e fuqishme të Fan S Nolit, që ia vlen të kujtohen këtu. Vështirë të gjendet tjetër në botë, me aq ritëm e aq patos se sa përshkrimi në vargje i ushtarit të lashtë që vrapon të çojë lajmin e mirë te qyteti që pret në ankth të dijë fatin e vet. Ja disa prej tyre:

Ke një plagë , po s’e the,

Djers ‘ e gjak pikon përdhe;

Do që ti te jesh i pari,

Për triumfin lajmëtari

T’ u-tha gryka po s`të pihet,

T’ u-mpi këmba , po s’të rrihet,

Se mileti po të pret,

Ankthi zemrat ua vret

Një gotë verë për historinë

Kur u nisën nga Maratona, Spiridon Luisi nuk ishte mes favoritëve. Grekët kishin të tjerë kapedanë që ishin dalluar në garat përzgjedhëse që i organizonte ushtria. Sipas legjendës garën e kryesonte francezi Albin Lermusio. Spiridoni ndaloi në hanin e qytezës Pikermi, ku ktheu një gotë me verë. (Nipi i tij sipas Wikipedias këmbëngul që Spiridoni në fakt kishte ngrënë një gjysëm protokalli dhe kishte kthyer një gotë konjak, nga vjehrri i tij i ardhshëm).

Pas kësaj, ai u nis në kërkim të konkurrentëve të tij, ashtu si Popeye pasi kthente konservën me spinaq.

Pas 32 kilometrash francezi Lermusio i shpartalluar nga lodhja e la garën fare. Në krye të saj u vu australiani Edwin Flack, po megjithatë asgjë nuk e ndalte dot, djalin ujësjellës hyrja e të cilit në stadium, shkaktoi një gëzim të jashtëzakonshëm. Një çiklist kishte nxituar të sillte lajmin për kryesimin e tij.

Shumë dekada më parë udhëheqës arvanitas kishin luftuar për t’i sjellë Greqisë pavarësinë. Atë ditë, një arvanitas ua shënoi emrin në listën e parë të medaljeve të Lojërave Olimpike Botërore, në një garë aq simbolike. Princi i kurorës e priti në krahë dhe festa në Athinë nuk kishte të mbaruar.

Sipas një anekdote, mbreti i Greqisë e pyeti se çfarë dhurate dëshironte dhe arvanitasi i ri kërkoi vetëm një karrocë me gomar që të mos kishte më nevojë për të mbajtur ujin në krah.

Në fakt, ai u kthye në një lloj heroi kombëtar, me të cilin grekët mburren edhe sot e kësaj dite, duke fshehur si zakonisht prejardhjen e tij arvanitase. Spiridoni thuhet se refuzoi mundësitë për të vazhduar karrierën e tij sportive, duke shmangur jetën publike e duke mbetur në fshatin e tij të lindjes.

Në vitin 1926, 30 vite më vonë, Greqia e kishte harruar heroin e saj. Spiridon Luisin e arrestuan duke e akuzuar për falsifikim dokumentesh. E burgosën për një vit dhe pastaj doli se kishte qenë i pafajshëm.

Në vitin 1936, Olimpiada në Berlin rastiste me 40-vjetorin e Olimpiadës së parë. Greqia ftoi Spiridon Luisin të udhëhiqte parakalimin e ekipit olimpik grek. Në ceremoninë e rastit, ai u prit nga Adolf Hitleri të cilit i dorëzoi një degë ulliri, nga Olimpia, vendi ku për herë të parë në historinë e botës u mbajtën Lojërat Olimpike. Episodi është interesant se dega e ullirit iu dorëzua njeriut që nisi luftën më të madhe të botës dhe që pak vite më vonë do të pushtonte të gjithë Greqinë. Në atë kohë, maratonomaku arvanitas do të kishte vdekur.

Sot, një rrugë pranë Kompleksit Olimpik Sportiv të Athinës ku u mbajt edhe Olimpiada e vitit 2004, mban emrin “Avenuja Spiros Louis” (emri popullor me të cilin e njohin grekët). Një stadium kryesor grek, ku ka luajtur edhe Shqipëria, mban gjithashtu emrin e tij.

Nëpër shekuj faqendritur

Fitorja historike e djaloshit maratonomak ishte një ngjarje si në filma, jo vetëm se u ngrit nga askundi për të fituar lavdinë botërore, jo vetëm se ishte një minoritar në një vend ku identitetet e ndryshme nuk do të toleroheshin më, po sepse edhe vetë legjenda e maratonomakut është ajo e fitores ndaj të pamundurës.

Sipas legjendës, në fund të rrugëtimit të tij, maratonomaku u rrëzua i vdekur nga lodhja, por simboli i tij do të jetojë përgjithmonë. Sot, kudo në botë maratonat janë ngjarje jo vetëm sportive po edhe kombëtare. Frymëzojnë ringjalljen dhe triumfin e të vegjëlve. Jo larg, vendit ku u bënë lojërat e para olimpike, një popull i vogël do të mbijetonte kundër të gjitha gjasave në maratonën e vet të historisë shekullore, për të mos vdekur asnjëherë.

Siç shkroi Noli i madh:

Rend kudo , duke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe­ ndritur

Se i vogli shtrin viganin

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!

Ish-Presidenti i Greqise Kam gjak shqiptari dhe jam krenar per kete

“Gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë, admiral Kundurioti, admiral Seqellariu, gjeneral Kunduli dhe shumë grekë të tjerë të zgjedhur janë të gjithë me origjinë shqiptare”

Nga Presidenti i Greqisë gjeneral Theodoros Pangallos

Për sa i përket fqinjit tonë Ballkanik, është më se e njohur dhe për këtë dëshmojnë arkivat e ministrisë së jashtme, se marrëdhëniet tona arritën gati-gati nivelin e një Konfederate, më 1925 dhe 1926.

Që nga koha e Esat Pashës dhe Ahmet Zogut, miku më i përzemërt i Shqipërisë jam unë.

Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte vajza e më të madhit pasanik të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit në Salaminë, la frymën e fundit mareshalli i paharruar Gjergj Karaiskaqi.

Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admiral Kundurioti, tre Nikolaidhët, gjyshi biri dhe nipi, gjeneral Konduli, admiral Saqellariu, heroi i nëndetëses “L.Kconi” V.Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopulos shkruan se nga të gjitha racat që erdhën në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi amalgamën e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sahturi dhe mijërat e luftëtarëve të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopulit.2

Më 1914, me fillimin e Luftës se parë Botërore, u ktheva në Greqi nga Franca ku kreva studimet dhe iu paraqita Eleftherios Venizellos, atëherë kryeministër dhe ministër i Ushtrisë, i cili më emëroi përgjegjës të shtabit në Divizionin e 8-të të Prevezës.

Venizellos më tha në mirëbesim se ka vendosur të pushtojë befasisht Epirin e Veriut (Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, Vlorën, shënim i A. Llalla). “Kam bindjen se do t’ia dalësh mbanë, pse flet edhe gjuhën e shqiptarëve”, shtoi. Atëherë isha major, shkova në Prevezë dhe pas pak ditësh mora një urdhër sekret, ku divizioni urdhërohej të pushtonte Epirin e Veriut, duke zbarkuar në portin e Sarandës. Politikani i madh, theksonte në veçanti nevojën e mbajtjes rreptësisht sekretet nga italianët.

Operacioni u krye me rregull të plotë dhe u pushtua vija e vjetër në veri të Gjirokastrës. Kur pas pak ditësh shkova në Athinë, kisha natyrisht një kuvend të gjatë me kryeministrin dhe mbeta i befasuar se ky politikan demonik, që kishte vetëm tre vjet në Greqi, kishte kuptuar plotësisht rëndësinë jetike që kishte për Greqinë Çështja e Shqipërisë. Mendimet dhe këndvështrimi i Venizellosit, qenë bazat kryesore, ku mbështeta politikën që zbatova më 1925, e cila veç të tjerash kishte si rezultat të dërgoheshin djelmosha shqiptarë në Athinë për të studiuar në shkollën e kadetëve dhe atë të marinës.

Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të Çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme, dhe pa marrë parasysh marrëveshjen, dëbojnë banorët shqiptarë të asaj zone (Çamërisë shënim A. Llalla) dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël dhe kundërshtimeve të tyre u përgjigjen duke u thënë se ata janë të shkëmbyeshëm.

Shqyrtova dokumentat përkatëse dhe u binda që deklarimi i ministrisë së jashtme greke nuk qëndronte, pasi Marrëveshja e Lozanës përcaktonte prerë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës, e të tjerë. Për sqarim më të plotë të çështjes, i telefonova ambasadorit tonë në Londër Kaklamonos, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i ministrisë së jashtme nuk qëndronte.

Thirra me një herë drejtorin përkatës dhe ai tha diçka që më la me gojë hapur:

“Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo arsyet emergjence dhe qëllimi kombëtar na detyrojnë të dëbojmë shqiptarët për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo shqiptarë (“shqiptarë të këqinj” shënim i. A. Llalla) zoti Kryetar.”

Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shkelma diplomatin. Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore në Epir po luhej një dramë e vërtetë; fshatarët duke qarë ndaheshin nga shtëpitë e tyre, ku kishin lindur dhe jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do t’i shpinin në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre.

Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu, nëpërmjet një letre të ngrohtë, më shprehte mirënjohjen, që siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtetë, deri në ditën e largimit të tij nga froni, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më thënë në shqip “Vëlla i madh”. Dhe unë atëhere nuk isha veç një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqipe quhet “Besa”.

Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbënë një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu.

Kur u vendosën marrëdhëniet miqësore dërgova si ambasador të Greqisë në Tiranë gjeneralin Aleksandro Konduli, bashkëqytetar i imi që dinte shkëlqyeshëm jo vetëm shqipen tonë, atë të Shqipërisë së Jugut, por edhe idiomat e gegëve. Brenda një kohe të shkurtër Konduli arriti të fitojë miqësinë e mbretit shqiptar Ahmet Zogut.

Brenda vitit u nënshkruan katër marrëveshje ndërmjet të dy vendeve; ajo konsullore, nënshtetësisë, bashkëpunimi tregtar dhe detar, për dërgimin e kriminelëve e të tjera. Përveç këtyre marrëveshjeve, kishin përparuar shumë bisedimet e fshehta. Kufiri në mes të dy vendeve, në të vërtetë ishte hequr dhe djemtë shqiptarë siç e thashë dhe më sipër, u dërguan për studime në shkollën e kadetëve dhe atë detare. Në korrik 1926, pas bisedimesh të gjata, gjenerali Konduli arriti në marrëveshjen përfundimtare për çështjen e Bankës së Shqipërisë, Mbreti Zog pranoi si aksionere Bankën e Greqisë me 25% të aksioneve.

E kuptoni rëndësinë e madhe të këtij fakti. Nuk diskutohet fare se, po të ndiqej një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, Shqipëria do të ishte jo armike, por do mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore shqiptarët nuk janë as mongolë, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar se ata janë ilirë, pasardhës të pellazgëve.

Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët, bullgarët, por përkundrazi, gjaku, traditat dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grek.

Miauli, Kundurioti, Sahturi, Odiseas Andruços dhe mijëra grekë të tjerë me origjinë shqiptare luftuan me heroizëm për pavarësinë e Greqisë në kryengritjen e 1821.

Profesori i Universitetit të Mynihut, historiani Hertzbert, në librin e tij mbi historinë e kryengritjes, shkruan ndër të tjera: “Pak ditë pas ngritje së flamurit të kryengritjes, në prill 1821, 1.500 shqiptarë të krishterë, banorë të fshatrave të Dervenit, u mobilizuan nënkomandën e Haxhi Meletit në Korinth kundër Qamil Beut të tmerrshëm”. Nuk qenë shqiptarë ushtarët që përmend Hertzberti, por ishin shqipfolësit gjyshërit e stërgjyshërit tanë që banonin në Vila, Kindira, Mandra, Elefsina. Qenë gjyshërit e gjeneralëve Nikolaidhit, Kondulit, Roka, të autorit të këtyre rreshtave, të admiralit Sakelariut, të heroit kombëtar Laska, dhe kaq e kaq grekëve të zgjedhur, me origjinë shqiptare.

A nuk kisha të drejtë, kur dëgjova drejtorin e përgjithshëm të thoshte, “paloallvani” (“shqiptar i keq”, shënim i A. Llalla) të thoja dhe unë se ministria e jashtme ishte një çmendinë? Kur fliste kështu drejtori i përgjithshëm, e marrë me mend se si qenë vartësitë e tij të afërt. Askush nuk e di se çfarë të papriturash na ruan e ardhmja. E gjykova si detyrë të bëja përshkrimet e mësipërme, që të mësojë populli grek pamjen e përgjithshme të problemit. Nuk jam dakord me atë pjesë të shtypit, që shan dhe përbuz popullin shqiptar. Kam bindjen e patundur se shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për prirjen kundër greke të qeverisë komuniste. Jam i sigurt se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk i dinë as si emra Marksin, Leninin, Stalinin e të tjerët.

Botuar në gazetën “Akropolis”, gusht 1949
Përgatiti për 27.al Arben Llalla

Çfarë shkruhej në unazën Pirros së Epirit: Njeriu që bëhet tiran me forcë, meriton të kthehet në skllav

Nga Nevila Dervishi

Pirro, Mbreti i Epirit (319-272 p.K.), një territor që shtrihej në zona përgjithësisht të banuara nga ilirët dhe më tej nga pasardhësit e tyre, më së shumti njihet si strateg e gjeneral i papërsëritshëm në fushat e betejave.

Askush nuk di të thotë se në cilën gjuhë Pirro komunikonte me ushtarët e njerëzit e tij. Dihet vetëm që ai kishte një lidhje të fortë me gjakun ilir.

Ai ishte kushëri i Olimpias, nënës së Aleksandrit të Madh, ndërsa një lidhje tjetër me ilirët ishte fakti se ai, qysh fëmijë, ishte rritur në oborrin e Mbretit Glauk të Taulantëve, një prej fiseve më të mëdha ilire, zotërimet e të cilit, në kohë të ndryshme, kapnin hapësirën mes lumit Neretva (Bosnje-Hercegovinë) dhe Vjosës.

Por, Pirro i Epirit nuk njihet vetëm për bëmat e tij si strateg ushtarak i antikitetit.

Historia ka lënë pas edhe të dhëna që thonë se ai ishte një mbret i dhënë pas dijes dhe, sa duket, edhe i kujdesshëm për popullin e vet.

Dëshmohet se një pjesë të rregullave, apo normave, të cilat udhëhiqnin veprimtarinë e tij të përditshme, ai i kishte gdhendur në një unazë apo byzylyk, që mbante në dorë, për t’i patur gjithmonë përpara mendjes.

Këtë fakt e zbulon apo e sjell për herë të parë Gjon Muzaka, i quajtur Princ i Epirit, një nga aleatët dhe bashkëluftëtarët e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ai e ka përfshirë përmbajtjen e shkrimeve në unazën e Pirros në testamentin që u ka lënë pasardhësve të tij në vitin 1510, pak vite përpara se të vdiste.

Për herë të parë testamenti i tij është publikuar i përkthyer në shqip në nëntor të vitit 1931 në revistën “Leka” (nr.11), e cila shtypej në Shkodër.

Ja përkthimi i plotë nga italishtja i pjesës që flet për rregullat që Pirro i Epirit mbante të shkruara në unazën e vet:

1- Të fortin nuk e shpërblen sa duhet edhe sikur botën mbarë t’i japësh, të dobëtin nuk e ndëshkon sa duhet, edhe sikur vetë jetën t’ia marrësh.

2- Është më i nderuari ndër të nderuarit ai që goditet prej fatit, pa patur faj, dhe është më i poshtri ndër të poshtër ai që përkëdhelet nga fati pa e merituar.

3- Atë çka mund ta bëni me të mirë, mos e bëni me të keq.

4- Atë që mund ta arrini me paqe, mos e kërkoni me luftë.

5- Atë çka mund ta fitoni duke e kërkuar, mos e humbni duke kërcënuar.

6- Atë çka mund ta ndreqësh pa bërë zhurmë, mos e ekspozo në publik.

7- E ka bërë mirë detyrën ai prind, që lë pas një fëmijë të ditur, por të varfër dhe nuk e ka bërë detyrën ai tjetri, që lë pas një fëmijë të pasur, por budalla.

8- Ka më shumë vlerë një ndihmë e vogël, por e ardhur në kohë, se sa një e madhe, por që mbërrin me vonesë.

9- Njeriu që arrin të bëhet tiran i madh me forcë, meriton të kthehet në skllav me drejtësi.

10- Nuk mjafton që një person te jetë i mirë, është e domosdoshme që ai të ndreqë gjërat që kanë marrë për keq.

11- Në këtë jetë, njeriu duhet të verë në punë mendjen, sepse lumturia është një mall hua, kurse fatkeqësia është pasuria e natyrshme e tij.

Një histori që të lë pa frymë, e një familje greke në Amerikë, në kërkim të rrënjëve shqiptare

Nga Altin Raxhimi

Këtë verë bëhen pesë vjet prej kur e pata intervistuar studiuesen amerikane Annette B. Frommin për një artikull mbi hebrenjtë shqiptarë. Gjatë bisedës, ajo më pati përmendur se si, në të kthyer të shekullit XX, një adoleshente hebreje, motra e gjyshit të saj, kishte braktisur familjen për një shqiptar mysliman nga Filati, qyteza malore në Greqi, një hap larg nga deti dhe nga kufiri me Shqipërinë.

Familja e saj mbajti shiva—shtatë ditë zie—dhe kujtimi për të u shua. Asnjërit prej anëtarëve të familjes nuk iu lejua të mbanin kontakt më me të. Hallëmadhja mbeti pa emër dhe u tret.

Frommi është marrë me studime si për tekstilet e aborigjenëve të Shteteve të Bashkuara ashtu edhe për kulturën materiale të hebrenjve të Greqisë. Ajo ndihmon me redaktimin një reviste akademike të quajtur Sephardic Horizons (Horizonte sefardike), e cila trajton botën e hebrenjve të Mesdheut lindor, botë së cilës i përket pjesa dërrmuese e hebrenjve të Greqisë dhe e atyre të jugut të Ballkanit.

B.-ja në emrin e saj, shkurtim i mbiemrit nga e ëma Bacolas (Bakola ose Bakolas), dëshmon për rrënjë hebreje nga Greqia, por ato rrënjë nuk janë as sefardike as ashkenaze, por romanjote.

Dega janjiote e romanjiotëve ishte komunteti hebre i Janinës, i cili për gjuhë amtare kishte greqishten. Janina, ai qytet buzë liqeni në lindje të Filatit, ishte qendër për të gjithë rajonin. Doktoratura e Frommit mbi traditat e atyre hebrenjve, e cila mbështetet në punën e saj në terren viteve tetëdhjetë, është një tekst themelor mbi atë komunitet interesant.

Në fillim të shekullit XX, komuniteti hebrenj në Janinë përbëhej pres disa mijëra vetëve, rrënjët e të cilëve datojnë të paktën që prej 1300 vitesh. Por emigracioni masiv dhe Holokausti e reduktuan atë komunitet dinamik tregtarësh në vetëm 30 njerëz.

Deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë, hebrenjtë e Janinës jetonin disi të veçuar. Dallonin qartë nga sefardinjtë, të cilët ishin aq të kudondodhur sa i patën dhënë Selanikut, një prej qyteteve me portin më të madh Mesdhetar, nofkën e Jeruzalemit të Ballkanit. Dhe kontaktet me komunitetet jashtë religjionit të tyre përtej marrëdhënieve ekonomike apo ato të sferës publike nuk inkurajoheshin.

Të paktën që nga vitet tetëdhjetë të shekullit XIX, një familje e madhe janjiote me mbiemër Bakola u pat gjendur në Filat, asokohe qytezë osmane nja tridhjetë kilometra në perëndim të Janinës. Filati kishte nja 3000 banorë besimesh dhe etnish të ndryshme: myslimanë, të krishterë apo hebrenj, shqiptarë, vllehë a grekë. Bakolat kishin të paktën shtatë fëmijë, prej të cilëve disa kishin regjistruar baba me emrin Moisi dhe të tjerë stërgjyshin e Annette Frommit, Simon Tovin.

Ndër ta ishte hallëmadhja pa emër për të cilën është fjala këtu, e cila, e lindur në vitin 1883, duhet të ketë qenë fëmija i dytë. Njiheshin si gjaknxehtë Bakolat. Një djalë i familjes ja pat mbathur nga Filati pasi zhdëpi në dru vëllanë sakat të pashait të zonës, kur ky i ishte vardisur së ëmës për t’ja marrë paratë nga xhepi.

Kështu që i binte që as komuniteti dhe as familja nuk do e kapërdinin dot faktin që ajo hallë ja kishte mbathur me një mysliman. “Për ta, ishte njësoj sikur ajo të kishte vdekur,” thotë Frommi. “Por kjo histori ka bërë që unë të kem këtë lidhje dashurie me Shqipërinë. Më tërhiqte nga larg si me magji.”

Dikur nga dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XX, Bakolat u shpërngulën për në Amerikë dhe nga ajo hallë e panjohur mbeti vetëm një enigmë e mjegullt në mendjen e shumë pak prej pasardhësve, të cilët pas kaq vjetësh, vështirë që e njihnin njëri-tjetrin, madje.

Kujtim i paharruar nga motra juaj e paharruarshme

Në gusht të 2020-ës, Frommi më nis një email me subjekt: “Çfarë thuhet këtu?”

Ishte një fotografi bardh e zi me dedikim mbrapa. Një kushërirë e saj nga Kalifornia e Veriut po kalonte nëpër fotografitë e nënës së vet, e cila kishte pak kohë që kishte ndërruar jetë dhe aty, mes disa fotografish të xhaxhallarëve e hallave, të kushërinjve e të afërmve, nëpër dasma e festa, gjendet një grua me shall të zi në kokë. Shkrimi nga mbrapa Elyse Maltzit, kështu quhet ajo kushërirë, iu duk si greqisht.

“A e ke idenë kush mund të jetë kjo?” e pyeti Maltzi Annette Frommin, e cila e flet greqishten. “Çfarë thuhet këtu?”

Ai dedikim nuk ishte në greqisht, por në shqip, dhe thoshte: “Kujtim i paharruar prej motrës tuaj të dashur dhe të paharruarshme deri në vdekje.”

Fotografia datonte nga 1949-ta. Vula e thatë tregonte se ajo ishte marrë në studion e Lilo Xhimitikut, i cili në ato vite kishte një dyqan fotografie në Berat, qytetin e Shqipërisë, 190 kilometra në veri të Filatit.

U përpoqëm t’ia gjenim historinë asaj fotografie—unë ia dhashë një shokut nga Berati që e njeh qytetin e tij me dhëmbë e dhëmballë—por pas pak kohe, Frommi më tha ta lë këtë punë, duke shtuar se të gjeje njerëz që e njihnin atë grua pa emër, e cila që në vitet dyzet kishte qenë në moshë të thyer, ishte njësoj si të kërkoje gjilpërën në kashtë.

Por sivjet në mars, shoku im beratas më nisi vegëzën e një fotografie në Facebook. Një djalë i ri, pak i mbushur e me kokë të rruar, me bluzë të kuqe dhe me atë të qeshurën e ndrojtur të atij që nuk di ta fshehë se janë duke e marrë në fotografi, përballë një afisheje bojë qielli. Njëra nga fotografitë në afishe ishte identike me atë që kish gjetur kushërira kaliforniane e Frommit nëpër gjërat që i takonin nënës së saj.

Shoku im më tha se nga tetori, Parashqevi Sahatçiu, koleksionuesja 80-vjeçare e fotografive nga Berati, ja kishte marrë foton, e kishte nxjerrë atë në faqen e saj të Facebook-ut duke pyetur nëse e njihte kush personin aty. Pesë muaj më vonë, dikush i kishte kthyer përgjigje.

Kush ishte Lutfije Baballëku?

Berati ka qenë qytet i rëndësishëm i jugut të Shqipërisë. Mund të quhet qyteti më i rëndësishëm në veri të pashallëkut osman të Janinës, asaj zone të cilës grekët e lashtë, popull me traditë detare, ia kishin vënë emrin Epir, që do të thotë pak a shumë tokë në brendësi apo kontinent. Ajo ështe një hapësirë që shtrihet diku që nga porti i Igumenicës në Greqinë e sotme e deri pak a shumë nga Osumi, në brigjet e të cilit ngrihej Berati.

Një valle e njohur popullore e gjithë zonës quhej beratçe/berátis dhe për atë punë, në Janinë ndodhte që kur të hakërreheshin, të të bërtisnin, “E ç’më kapardisesh kështu si kaposh Berati!”

Zhvillimi qytetit  i kishte ardhur nga fushat pjellore në perëndim e të cilat shtriheshin deri në Adriatik, nga kullotat me bagëti të maleve në brendësi, dhe nga roli që luante në tregëtinë e zonës.

Është qytet mjaft piktoresk. Blloqe shtëpish osmane me suva të bardha, me ato penxhere vertikale me korniza të lyera me llak të errët, të cilat zbresin nga kalaja mesjetare në majë të kodrës deri afër brigjeve të Osumit. Shpërndarë nëpër to dallohen minare, ndonjë teqe dervishlerësh dhe kishat ortodokse me tulla të kuqe që mbanin aromë Bizanti.

Inxhinierit të pensionuar, Thoma Gjani i kujtohej mirë Lutfije Baballëku, e cila ashtu si gjyshja e tij, një mësuese ortodokse nga Korça, kishte qenë e ardhur dhe e martuar në atë qytet.

Viteve pesëdhjetë e tutje, derisa e bllokoi sëmundja e Parkinsonit, ajo grua në moshë, e veshur në të zeza, nga shtëpia e saj në pjesën e poshtme të qytetit mes Xhamisë Mbret dhe teqesë halvetije ngjitej çdo mëngjes tek shtëpia përmbi, ku jetonte shoqja e vet e krishterë.

E imët dhe disi e brishtë, pak e kërrusur, me shall të zi mbi kokë e zë të butë.

Vinin kafen turke, uleshin në penxhere me një sy nga shtëpia e vet e merrnin muhabete shtruar për çfarëdo t’u vinte në mend, në shqip apo në greqisht. Muhabete shtëpie: sikur i shoqi i saj të kishte qenë më i shkathët, si shtëpi do ishin në gjendje më të mirë. Romanet sentimentale të kohës, “Lulja e Kujtimit” e Foqion Postolit, përshembull. Fëmijëve u tregonin rrëfenja nga Greqia e lashtë apo nga Bibla. I donte fëmijët, tregonin njerëzit, u jepte atyre që kishte pranë ndonjë pesëlekësh apo ndonjë karamele.

Kur nga oxhaku i shtëpisë së saj niste të dilte tymi, gjë që tregonte se tenxheret ishin vënë për në zjarr dhe po afrohej koha që burrat të ktheheshin për drekë, ngrihej dhe nisej për në shtëpi.

Kjo po i shkonte ndër mend Gjanit kur pa fotografinë e gruas me shall të zi në kokë në faqen e Facebook-ut të Parashqevi Sahatçiut.

Një pjesë e mirë e historive të fëmijërisë së tij ishin lidhur me muhabetet që tirrnin me njëra-tjetrën gjyshja tij me Lutfijen. “Ishin shumë shoqe,” shkroi në Facebook. Shoqe të ngushta.

Lutfija ishte një grua shumë besimtare prej një familjeje myslimane po ashtu shumë besimtare, tregonte Gjani.

Dikur i kishte ndihmuar të shoqit të hapte një kafene ngjitur me hamamin, por ai nuk kishte qenë i mirë në menaxhim, prandaj edhe dështoi kafeneja, sipas Gjanit. Por edhepse në gjendje ekonomike modeste, për Bajram e mbushnin lagjen me dhurata dhe ushqime.

Fëmijë nuk patën, por kur në vitet njëzet Ramadanit i vdiq një vëlla në moshë të re duke lënë pas një fëmijë motak, atë djalë ata e rritën si të tyrin. Madje, Lutfija i pati vënë dhe emrin, e pati quajtur Moisi.

E kështu, Moisiu u rrit me dy nëna, nënëvoglën që e lindi dhe nënëmadhen që e adoptoi. Moisiu kishte prirje artistike. Kur u rrit, punoi aktor në estradën e Beratit dhe mbas asaj, në studion e dizenjimit të ndërmarrjes bujqësore ngjitur me qytetin. Ishte edhe i dhënë pas pastërtisë, një huq që ja njihte i gjithë qyteti.

Por Gjanajt nuk ishin miqtë e vetëm të Lutfijes. Ishin edhe Feçajt, një familje tregtarësh nga Filati, të cilët u shpërngulën për në Berat mbas Luftës së Dytë, atëherë kur paramilitarët grekë patën përzënë nga zona shqiptarët myslimanë gjatë raprezaljeve që pasuan përfundimin e luftës. Lutfijen, Feçajt e kishin njohur që nga Greqia dhe kur u vendosën në qytet, ajo ishte ndër të parat me të cilën vunë në kontakt, siç tregon Isa Feçi, pasardhësi 70-vjeçar i asaj familjeje. Lutfija shkonte shpesh në lagjen e tyre poshtë nga lumi, në Muratçelepije dhe kur vinte ora, bashkë me gjyshen e Isait shtronin qilimat për t’u falur në dhomë apo në korridor. Siç e kujton ai, ndonjë herë e merrnin edhe me karrocë për të vajtur të faleshin në xhaminë e lagjes së tyre.

Këngëtarja dhe historiani

Emrin e vërtetë nuk ia dinte kush, por e kaluara e saj hebreje nuk ishte fshehtësi. Jo pak njerëz e kishin marrë vesh se kishte ikur nga shtëpia. Edhe për shkak të huqeve që kishte, për Moisiun në Berat thoshin se ai duhej të ishte hebre, pasi jo të gjithë e dinin se  Lutfija nuk ishte nëna e tij biologjike.

Siç ia pati treguar Lutfija historinë familjes së Thoma Gjanit, ajo kishte qenë nga Janina. Në fëmijëri pati shoqe të ngushta tre vajzat e një shehu të një tarikati mistik, të halvetinjve, të cilët rrinin afër saj me shtëpi (halvetinjtë nuk janë as ata dervishët që rrotullohen të mevlevinjve, dhe as ata baballarët e mendueshëm bektashinj, por shehlerë që shpohen me shtiza).

Thoshte se prej frikës nga zemërimi i të atit, pasiqë një ditë kishte harruar hapur derën e qymezit të gjelave të detit që ai i mbante në shtëpi, ia kishte mbathur nga shtëpia kur i kishte a s’i kishte 14 vjeç dhe kishte shkuar të fshihej tek familja e shehut. Ai burrë e mori me vete kur u kthye në Berat dhe pastaj e martoi në familjen Baballëku, e cila jetonte në mëhallë.

Gjani shtoi në postimin e tij: “Bijë e kësaj familjeje të nderuar është këngëtarja e njohur beratase Ludmilla Baballëku.”

Shumëkush e njeh Ludmilla Baballëkun në Shqipëri. Sidomos për ata në të dyzetat e lart, si autori i këtyre rreshtave, Baballëku, e lindur në vitin 1965, sjell ndërmend pjesëmarrjen e rregullt të saj në festivalet e këngës viteve tetëdhjetë. Në ato kohë, një pjesë e repertorit të saj kishte edhe këngë propagande si “Faqendritur para historisë” apo “Na rrit Shqipëria.”

Por pas shembjes së komunizmit, zëri i plotë dhe pasioni për këngën i dha një karrierë të mëtejshme sidomos në këngën popullore. Nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, ajo u shpërngul për të krijuar familje në qytetin e Vlorës dhe filloi punë në estradën e qytetit. Moisiu dhe Nurija, e ëma, shitën shtëpinë e Beratit dhe vajtën të jetonin me të në Vlorë.

Me sa i kujtohej Ludmillës, nënëmadhja kishte pasur ndikim të jashtëzakonshëm tek i ati. Lutfija ishte grua e kultivuar dhe impononte respekt. Por vetë Ludmilla nuk kishte kujtime prej saj, pasi nënëmadhja kishte vdekur dy vjet para se të lindte ajo.

Nga 1995-a, një grup polifonik i Vlorës pati vajtur për koncert në Izrael. Ludmilla i pati thënë drejtorit gjysëm me shaka atëherë se po ta kishte ditur, do kishte vajtur edhe ajo me ta, sepse në Izrael kishte kushërinj.

Dhe në 2019-ën, kur gjendej në Nju Jork për koncerte në ambiente shqiptarësh, një mësues beratas në pension e pati kontaktuar në WhatsApp dhe e kishte pyetur nëse mund t’i jepte ndonjë material nga familja. Po bënte një stendë për atë familje për muzeun që ishte duke krijuar, të cilit i kishte vënë emrin Muzeu Solomon i historisë hebreje të Beratit. “Unë ia dhashë fotografitë Simonit,” thotë Ludmilla.

Ishin ato fotografitë tek të cilat kishte hedhur sytë ai djali që pata parë në faqen e Facebookut: e njëjta foto me atë të gjetur në Kaliforni, tre të tjera me dedikime që tregonin një festë familjare në një lokal në rrethinat e Bostonit, dhe fotografinë e vetme që ka mbetur e Lutfijes së bashku me Moisiun, në oborr të shtëpisë.

Simon Vrushoja ishte marrë të paktën prej njëzet vjetësh me gjurmët hebreje në qytet: ajo “mëhalla e çifutëve” që nuk dihej tamam nga i kishte mbetur ai emër, apo hebrenjtë e shumtë nga Evropa Qendrore që gjetën strehë aty gjatë Luftës së Dytë. E pastaj, pas lufte ishte Doktor Zinua, kirurgu që punoi dhe u bë dhëndër në Berat. Në 2010-ën Vrushoja pati botuar dhe një libërth për këtë gjë—në fakt, atij libri i duhej një redaktor i mirë pasi faktet i kishte disi të shkëputura dhe kishte më shumë lirizëm nga ç’duhet, por e vërteta është që ai ishte hulumtues shumë i mirë.

Kishte kohë që ishte i interesuar në historinë e Lutfije Baballëkut dhe kishte gjetur mjaft gjëra. Ishte mister pse kishte ikur nga shtëpia, shkruante në libër Vrushoja, por me gjasë duhet t’i kishte marrë mendjen entuziazmi për Islamin. Në gjendje civile kishte parë se ajo kish vënë për vendlindje Kastron, lagjen ku rrinin hebrenjtë në Janinë, kombësinë e kishte regjistruar si izraelite, emrin e të jatit Abdulla.

Një variant ishte se kur pati lënë shtëpinë, i ishte ngjitur një karvani për Gjirokastër dhe kishte qëndruar pak kohë në atë zonë para se t’i bashkohej Sheh Hasanit dhe familjes së tij për në Berat.

Në 2018-ën, Vrushoja mori me qera një ambient në rrugën që çon për kala—një nga dyqanet njëkatëshe që ndërtuan banorët atje viteve të nëntëdhjeta—dhe aty hapi muzeun. Muzeu pati sukses të menjëhershëm. Erdhën mjaft zyrtarë, gazetat shkruajtën artikuj për të, brenda dhe jashtë. Numri i vizitorëve arriti 30,000-in.

Por Vrushoja vdiq papritmas nga fundi i vitit 2019, pa i mbushur të shtatëdhjetat. “Rrezik nga hallet që i solli muzeu vdiq Simoni,” më tregonte në telefon e shoqja, Angjelina. “E mundoi shumë puna aty. Qiraja që duhej paguar, mirëmbajtja.” Dilte vetë t’u tregonte vizitorëve historitë e atyre trembëdhjetë stendave që kish përgatitur. I nxiste të linin përshtypjet në librin e vizitave. Darkave, fotografitë e tyre i nxirrte në faqen që pati hapur për muzeun në Facebook.

Ndërsa në libër, Vrushoja pati shkruar se emri i vërtetë i Lutfijes ishte Marije, në stendën për familjen Baballëku në Muze, këmbëngulte se ajo quhej Sara.

Pyetje që marrin përgjigje

“Emri i vërtetë (Lutfijes) iu përmend vetëm një herë, në varrim,” më tha Thoma Gjani.

Kur vajti me të gjyshen në varrimin e saj në vitin 1963, Gjani duhet të kishte qenë 14 vjeç. I kujtoheshin ritet që i ishin bërë të gjitha, trupi që iu la dhe iu pastrua, fjala dhe faljet që mbajti hoxha në varrezë. “Aty hoxha ia përmendi edhe emrin. Por mua (ai emër) nuk më kujtohet.”

Viteve të gjashtëdhjeta, varrezat myslimane të qytetit u rrafshuan për t’iu bërë vend ndërtimeve dhe Moisiu ia mori eshtrat dhe ia çoi në varrezat e reja të qytetit.

Fotografinë e vitit 1949, Lutfija e kishte nënshkruar me “motra juaj Matzalto”, një formë e togfjalëshit mazel tov që hebraisht do të thotë “Fatmirë”. Mazel Tov apo Matzaltò kishte qenë një emër mjaft i përhapur për femra ndër hebrenjtë e Janinës. Lutfije Baballëku kishte lindur Matzaltò Bakola.

Elyse Maltz pa fotografitë e stendës në muzeun e Vrushos në Berat dhe lëshoi një klithmë: “Po kjo është nona ime!” Gjyshja e saj, Beatrice Bakola. Lutfija kishte qenë në kontakt me njerëzit e saj të paktën deri viteve dyzet.

Tani vonë është shfaqur dhe një kopje tjetër e fotografisë së Matzaltos ndër pasardhësit e Bakolave në Amerikë.

Po pse u kishte shkruar atyre ajo në shqip, ata shqipen nuk e dinin asnjëri? Çfarë kishte ndodhur njëmend me Matzalto Bakolan 14-vjeçare në Janinë apo Filat në fillim të shekullit XX? Vërtetë t’ia kishte mbathur nga frika e të atit, apo arsyeja kishte qenë Islami. Apo apo, mos ishte dhënë mbas ndonjë shehu shqiptar? E pastaj shehu të kishte ndërruar mendje dhe i kishte gjetur burrë në lagje? Po sikur ta kishin rrëmbyer, siç ekzistonte një legjendë ndër Bakolat e Amerikës dhe në ato kohë rrëmbime ndodhnin.

Megjithë mohimin që i kishte bërë familja, Bakolat kishin mbetur në kontakt me Lutfijen. Thoma Gjani pati dëgjuar se i ati kishte çuar disa herë njerëz që t’ia mbushnin mendjen të kthehej, por ajo nuk kishte pranuar. Pastaj, letërkëmbimet e viteve të katërdhjeta. E më tutje, disa vajzave të fisit Bakola në Amerikë u ishte vënë për emër një amerikanizim i emrit Matzalto. Sipas traditës hebreje janjiote (por dhe ortodokse greke), ku vajza e parë merr emrin e gjyshes nga i ati, e dyta të gjyshes nga e jëma, e treta të hallës së madhe e kështu me rradhë. Kjo gjë nuk ndodhte për anëtarët e mohuar të familjes. Dhe në fund të fundit, Lutfija i kish vënë emrin djalit dhe nipit njëherësh Moisi, i cili mund të kishte qenë emri i të atit të saj dhe në atë mënyrë kishte mbetur brenda traditës së saj.

Është e mundshme që izolimi ku e futi Shqipërinë Enver Hoxha të ketë qenë shkak më i fortë për shkëputjen e lidhjeve dhe harresën e saj sesa zakonet e rrepta hebraike.

Annette Fromm reflekton mbi fijet e interpretimeve, të cilave u hap shtegun historia e hallëmadhes. Ç’mund të tregojë ajo për marrëdhëniet mes komuniteteve të ndryshme në atë “mjedis të jashtëzakonshëm multikulturor” gjatë periudhës së vonë osmane? Po, edhe rrëmbimi mund të jetë një hipotezë, dhe rrëmbimi i femrave atyre kohëve është një fenomen i pastudiuar. Megjithatë, kjo gjë hedh dritë edhe mbi kontaktet që arrinin të mbanin familjet e ndara nga mërgimi.

“Pak mundësi ka që të gjehen përgjigje të drejtpërdrejta për këto pyetje,” më shkruan ajo. “Dëshmitarët e dorës së parë, në të gjithë atë histori, nuk janë më mes nesh.”

Frommi ka filluar të shkëmbejë mesazhe me Ludmilla Baballëkun. Frommi shkruan në anglisht, dhe e përkthen me Google translate në shqip, Baballëku i kthen përgjigjet e saj me Google translate në anglisht.

“Kur të marrë fund kjo pandemi,” i shkruan Frommi, “dua të vizitoj Janinën, dhe në atë rrugë, dua të shoh edhe Beratin. Do ishte shumë kënaqësi që të takoheshim.” Më vonë më thotë se udhëtimi i saj në Shqipëri, kurdo që të ndodhë, ka për të qenë epik.

Moisi Baballëku vdiq pak kohë mbasi u vendos në Vlorë me shtëpi dhe e shoqja e ndoqi pas në 2013-ën. Ludmilla i varrosi të dy në Berat, në varrezën ku Moisiu pati çuar dikur eshtrat e të parëve, përfshirë ato të Lutfijes. Pllaka e varrit të Moisiut është një gjysmëhënë mermeri të bardhë me një fotografi ku ai ishte i ulur. “Do kisha dashur vetëm që ime më dhe im atë të kishin qenë gjallë,” i kthen Ludmilla përgjigje Annette Frommit. “Që të kishin qenë në gjendje të flisnin me ju për Lutfijen. Do i kishte lumturuar shumë, shumë.”

Ludmilla Baballëku beson se gjyshi i saj i kish vënë syrin nënëmadhes së saj, adoleshentes Matzalto, kur kishte qenë student në Zosimea, në shkollën e njohur për djem në Janinë (ne nuk kemi gjetur të dhëna që ai të ketë qenë atje me shkollë). U panë, u dhanë pas njëri-tjetrit. Për Ramadanin, për të jetuar e lumtur me të, ajo kishte qenë e gatshme të braktiste edhe familjen.

“Në fakt, edhe unë ashtu do të doja të ishte kjo histori,” më thotë Elyse Maltzi. “Edhe unë do doja që ajo të kishte ikur për dashuri.”

Revolucioni i vitit 1821 në Greqi ishte revolucion i shqiptarëve!

“Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona janë armiqtë më të këqijtë tanë” (Fan Noli)

Nga: Alba Haruni

Pas revolucionit francez 1789-1799 nisi një epokë e re që tronditi nga themelet Evropën e vjetër. Jehona e tij i dha jetë lëvizjeve të përgjithshme, të cilat kërkonin në bazë të bashkëjetesës politike dhe shoqërore: lirinë, barazinë dhe vëllazërimin e të gjithëve, garancinë dhe pacënueshmërinë e pronës, laicitetin e shtetit, tolerancën fetare, uniformitetin administrativ.

Këto parime u përhapën nga Franca në Evropë nëpërmjet armatave të Napoleonit. Vazhdimi i këtyre ideve ishte epoka e Nacionalizmit dhe e Revolucionit Industrial që mund të konsiderohet si epoka, në të cilën u trondit përfundimisht Evropa e vjetër e aristokracisë, e monarkive absolute, e shoqërive të Regjimit të Vjetër, por në të cilën u shpall njëkohësisht Evropa e kombeve, e regjimeve liberale, konsitucionale dhe parlamentare.

Mbi këtë shtrat historik, mori jetë dhe u zhvillua, i ashtuquajturi Revolucioni Grek (1821-1832).

Interesi i Evropës Perëndimore mbi Greqinë e Lashtë krijoi filo-helenizmin. Klasa sunduese konservatore e Britanisë në veçanti ishte shumë e interesuar për Greqinë, për shkak të shkollimit të tyre mbi klasicizmin dhe kjo solli mbështetjen e Britanisë për Revolucionin Grek për pavarësi. Në fakt, termi grek në shekullin XIX ka patur domethënie politike dhe jo atë kombëtare dhe gjuhësore siç e ka sot. Kështu, kryengritjen e vitit 1821, fuqitë e mëdha evropiane e shfrytëzuan duke i pagëzuar kryengritësit me emrin e përbashkët grekë për të realizuar Greqinë politike të sotme. Pra, të gjithë kryengritësit e vitit 1821, arvanitasit, helenasit, vllehët dhe bullgarët, në mënyrë të barabartë, pas krijimit të mbretërisë dhe më vonë të shtetit grek, morën emrin e përbashkët politik kombëtar; grek. Vetë helenasit, në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, parapëlqenin të quheshin romei dhe gjuhën e tyre romaikis.

Në historiografinë botërore, dhe as në rrëfimin e historianëve grekë, nuk përmendet data e 15.01.1821, kur Kuvendi i Kapedanëve të Rumelisë shpalli “Aleancën e Bashkimit Kombëtar” të shqiptarëve, për nisjen e luftës çlirimtare me thirrjen: “Nderin dhe Kombin i kemi bashkë – Të krishterë e myslymanë!”. Është i vetmi organizëm luftarak, i cili filloi dhe drejtoi luftën çlirimtare të 1821-it në tokën e Greqisë së ardhshme.

Dita kombëtare e Greqisë, 25 marsi 1821, që njihet nga historiografia botërore si datë e bekimit në manastirin e Aghia Lavres, të kryengritësve “grekë” nga arqipeshkvi i Patrës, Germanos, është një sajesë e mëvonshme. Propaganduesi më i madh i kësaj date ka qënë F. Pukëvili, i cili donte t’i jepte kryengritjes së 1821 ngjyrën kristiane. Madje, është i njohur fakti që prelatët kishtarë, si Patriarku Grigoris, kanë mallkuar revolucionin dhe kryengritësit që e vinin në rrezik kishën ortodokse. Arsyeja sipas historianëve grekë ishte se kodi fetar nuk përfshin revolucionin.