Drejtori i Arkivave të Shqipërisë ka publikuar një foto që sipas tij është e pasaportës diplomatike greke me të cilën është pajisur Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
“A e di ti që kryepeshkopi Anastas është diplomat grek me pasaportë? Për këdo që pyet pse Kryepeshkopi Anastas pranon e viziton vetëm të burgosurin Beleri dhe jo Dakon, Goron, Kokën e çdo politikan tjetër ortodoks që kalon të njëjtat vështirësi, ndoshta nuk e ka parë asnjëherë këtë dokument, pasaportën e tij diplomatike greke, që në fakt e ka vendosur vetë në databaza publike shqiptare, por që mediat nuk e kanë publikuar kurrë, edhe pse janë të gatshme të publikojnë çdo detaj të nacionalizmit politik grek”, shkruan Bido në një postim në rrjetin social Facebook.
Dokumenti i publikuar nga Ardit Bido
Sipas tij, kjo pasaportë diplomatike i është dhënë Janullatosit – i cili është shtetas grek – në kundërshtim me ligjin. “Ligji 4781/2021 grek për pasaportat diplomatike, si dhe paraardhësi i tij, përcaktojnë në mënyrë të kufizuar pozicionet që më Greqi kanë të drejtë të marrin pasaportë diplomatike greke, ku në asnjë moment nuk përcaktohet kleri i Kishave jashtë Greqisë. Përjashtimin mund ta bëj vetëm ministri i Jashtëm grek, për personel diplomatik, ushtarak a të shërbimeve sekrete. Ndaj, me të drejtë lind pyetja si ai e ka këtë pasaportë?”, shkruan Bido.
Bido thotë gjithashtu se Kryepeshkopi nuk e përdor asnjëherë pasaportën shqiptarë të dhënë nga Ilir Meta. “Sipas enturazhit të vet, vijon përdor vetëm pasaportën diplomatike greke, duke thyer rekordin si diplomati më jetëgjatë grek në Shqipëri, teksa në ambasada e konsullata, mbajtësit e pasaportave diplomatike ikin e vijnë”.
Reagimi i Bidos erdhi pas një fotografie të publikuar në media, ku Fredi Beleri, i shoqëruar edhe nga Petro Gjikuria, pozon në krah të Kryepeshkopit Janullatos.
“Kur Beleri, që dikur dilte krah më krah me kreun e Agimit të Artë në Greqi, na thotë se Kryepeshkopi Anastas ka punuar për minoritetin dhe i ka dhënë Belerit kurajë të tejkalojë sfidat e gjyqit për vjedhje votash, nuk kemi asnjë arsye të mos e besojmë. Fundja, a nuk është vetë kryepeshkopi Anastas i zgjedhur jashtligjshmërisht peshkop në Greqi nga një Sinod i Shenjtë i jashtëligjshëm i instaluar nga Junta ushtarake e ekstremit të djathtë në fundvitet ‘60, i lënë pa asnjë peshkopatë deri në 1990 për shkak të zgjedhjes së jashtëligjshme deri sa u katapultua në Tiranë me mbështetjen e disa politikanëve shqiptarë, kundër dëshirës së besimtarëve të këtushëm? A nuk është ai që nuk ka thënë kurrë “ortodoks shqiptarë”, por ka folur për pakica e shumë etni në Kishën më homogjene, ku mbi 90% janë shqiptarë ortodoksë? Të zgjedhurit e ekstremit sot u bënë bashkë!”, shkruan Bido.