Prokuroria e Posaçme, ka ‘skanuar’ pasurinë e çiftit Jamarbër dhe Argita Malltezi, ku janë ndalur dhe te blerja e pronave në gjirin e Lalëzit, e më konkretisht blerjen e gjysmës së një vile në kompleksin “Lura 1“, dhe një vilë dykatëshe në kompleksin “Lura 3“.
Kontrata për blerjen e vilës së parë është lidhur në vitin 2004, ndërsa godina do të kishte dy kate, me një vlerë blerje 50 mijë euro, ose e thënë ndryshe 300 euro metër katrorë.
Për shkak të disa punimeve shtesë që janë kryer në këtë vilë, shuma përfundimtare e paguar nga çifti Malltezi ka qenë 56 mijë euro.
Në deklaratën e pasurisë që ka dorëzuar në ILDKPI në vitin 2005, Argita Malltezi deklaron gjysmën e vlerës, së vilës, sipas saj të blerë në vitin 2003, ndërsa në kontratë është shënuar viti 2004.
Procedurat për ndërtimin e vilës, por edhe procesin e legalizimit të saj, janë ndjekur nga shtetasi Agim Ramaj, daja i Argita Malltezit, i cili ka deklaruar se vila ishte ndarë për gjysmë mes tij dhe mbesës. Sipas SPAK, gjatë kohës kur Berisha ka qenë kryeministër, ka nënshkruar akte që lidhen me ndërtimet e shoqërisë Lura në Gjirin e Lalzit. Për këtë vilë, në vitet 2012 dhe 2013, çifti Malltezi deklaron se ka bërë shtesa në ndërtim, përmes kompanisë së Agim Ramajt, aksioner i vetëm i shoqërisë ‘Martini”.
Vlera e rikonstruksionit që i ka kaluar dajes së Argitës, nga llogaria e të shoqit është 5 milionë lekë të rinj. Sipas SPAK, në deklarimin e pasurisë të vitit 2022, ka mospërputhje në lidhje me vlerat e deklaruara më herët për pronat në Gjirin e Lalzit. Në deklarimet e vitit 2021, shfaqet dhe blerja e një tjetër ndërtese, e kamufluar sipas SPAK në deklaratat e pasurive, sikur i referohej pronës së vjetër.
Prona e dytë, është pikërisht vila e sekuestruar nga SPAK, për të cilën çifti Malltezi ka deklaruar se e ka blerë për shumën e 155 mijë eurove. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kësti për blerjen e saj, ka ndodhur vetëm pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2021.
DOSJA e SPAK:
Një investim tjetër në këtë periudhë, shfaqet edhe në Gjirin e Lalzit. Konstatohet se kontrata është lidhur me shoqërinë Lura sh.p.k. Nga aktet rezulton se, me Vendimin nr 4 datë 16.09.2000 të KRRTRSH, nënshkruar nga shtetasi Ilir Meta, është vendosur të miratohet studimi urbanistik dhe sheshi i ndërtimit me sip 12 ha për fshat turistik në parcelën nr 5 të zonës turistike të Gjirit të Lalzit në Rrethin e Durrësit, në distancë 150 m2 nga bregu i detit, sipas planimetrisë bashkëlidhur. (Lura 1).
Gjithashtu me vendimin nr 10 datë 19.10.2001 të KRRTRSH nënshkruar nga shtetasi Ilir Meta, është miratuar leja e ndërtimit për fshatin turistik në parcelën nr 5 në zonën turistike të Gjirit të Lalzit, shkruan zëri.
Me kontratën e sipërmarrjes, nr 4268 rep nr 1382 kol datë 08.09.2004, para noteres Arjana Mallkuçi, ndërmjet shoqërisë Lura sh.p.k. dhe porositësve Argita Malltezi dhe Jamarbër Malltezi, nga ana e porositësve, është porositur një vilë dy katëshe me çati me sip 166 m2. Kjo sip ndodhet: Në katin e pare është 85 m2 e ndarë me: 71 m2 sip e brendshme, 4 m2 sip shkalle, 10 m2 sip shkalle verandë: Në katin e dytë është 81.05 m2 e ndarë në: 71.16 m2 sip e brendshme, 3.41 m2 sip ballkonesh, 6.48 m2 sip ballkoni Së bashku me vilën, klientit do t’i jepet edhe një pjesë trualli që përbëhet nga bazamenti i vilës, ambjentet e përbashkëta, parkimi i saj.
Kjo sipërfaqe, jepet në përdorim për një periudhë 99 vjeçare në bazë të marrëveshjes së qerasë, nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe shoqërisë Lura, mbi dhënien me qera të pronës së paluajtshme që ndodhet në parcelën nr. 5 në zonën turistike të Lalzit. Porositësi do të paguajë një qera mujore të truallit prej 20 euro në muaj. Çmimi i vilës që është rënë dakord është 50 000 euro ose 300 euro/m2. Mënyra e pagesës është me çek nr. 313 me vlerë 15 000 USD dhe pjesë pjesë deri në përfundimin e objektit.
412.1. Me vërtetimin datë 26.07.2005 të lëshuar nga administratori dhe ortaku Dod Doçi, është pasqyruar se, pas mbarimit të punimeve të vilës me sip 166 m2 kontraktuar nga Jamarbër Malltezi, vlera e paguar prej këtij të fundit është 56 000 euro për shkak të punimeve të kërkuara nga porositësi. Sipas deklarimit të datës 31.07.2024, shtetësja Esmeralda Doçi, ka deklaruar se kontrata e parë është kontratë sipërmarrje e lidhur në vitin 2004 për një apartament tip dubleks, në kompleksin Lura 1, objekt i emërtuar nga shoqëria Lura sh.p.k. me nr DS, me palë Lura sh.p.k. si sipërmarrës dhe palë porositëse shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Argita Malltezi Ky ndërtim është nga të parat që ka bërë shoqëria Lura sh.p.k. la kanë shitur shtetasve Malltezi me 300 euro/m2 kur kostot kanë qënë rreth 200 euro/m2. Likujdimi është bërë me pjesë, disa pagesa janë bërë me çek bankar, një pjesë janë bërë cash.
Nga kqyrja e dokumentave pranë shoqërisë Lura sh.p.k., rezulton se është gjetur një dokument i titulluar “Fature” për klientin Jamarbër dhe Argita Malltezi. Në këtë faturë paraqitet detyrimi sipas kësaj kontrate dhe pagesat e kryera për vlerën 50 000 USD. Konkretisht pasqyrohen këto pagesa: çek nr 313 (15.000 USD) (e cila ka si dokument shoqërues çek nr 314 datë 09.09.2004. në vlerën 15.000 USD lëshuar për Marte Doçin, në emër të Jamarbër Malltezi referuar bankës Chevy Chase Bank);
MA 27 datë 11.04.05 (10.000 euro) (që i referohet mandatit të arkëtimit nr 27 datë 11.04.2005 arkëtuar nga Jamarbër Malltezi, “Prenotim vile Gjiri i Lalzit (kësti i II-të) paguar cash); MA 43 datë 26.05.2005 (8 000 euro) (që i referohet mandat arkëtimi me nr serial 0002938 paguar nga Jamarbër Malltezi 8 000 euro, paguar cash); Çek BIA datë 26.07.2005 (12 000 USD). Nga analizimi i të dhënave bankare, në vitin 2005, në bankën Intesa, me numër llogarie 40201835101 monedha dollar, është paguar shuma 12,000 usd (1,167,960 lekë) me përshkrim “Tërheqje me çek Dode Doci (Firma Lura), kësti i 4-të, Sipas kësaj fature, kanë mbetur pa u paguar 9 879 euro, por duke qenë se klienti ka bërë edhe punime të tjera shtesë në verandë, ristela, alumin etj. në vlerën 6 281.40 euro, detyrimi sipas kontratës plus punime shtesë ka arritur në vlerën 16 160.4 euro të cilat janë paguar nëpërmjet çekut nga ABI Bank në emër të Jamarbër dhe Argita Malltezi më datë 10.04.2006 nga nr i llogarisë 40201835101 në vlerën 19 634.89 USD ekuivalente me 16 160.4 euro.
Në deklarimin e saj të datës 31.07.2024 shtetësja Esmeralda Doçi sqaron se, pala blerëse ka bërë edhe disa punime shtesë të kryera nga shoqëria Lura sh.p.k. në një vlerë rreth 6 000 dollarë të cilat i ka paguar por nuk i kujtohet nëse është bërë pagesa me bankë apo cash. Në lidhje me blerjen e vilës së mësipërme, shtetësja Argita Malltezi, për vitin 2005, sipas deklaratës datë 16.08.2006 referuar në deklaratën e datës 31.03.2006, deklaron: Gjysëm vile në bregdet Gjiri i Lalzit 166 m2. Blerë në vitin 2003, pa regjistruar. Vlera 56,000 euro. Kurse në deklaratën e datës 03.11.2010 (për vitin 2009) e shtetasit Jamarbër Malltezi, deklaruar si person i lidhur me shtetasin Luan Malltezi, është deklaruar “…1/2 vilë 160 m2 në Lalez” pa u deklaruar vlerë. Gjithashtu duke iu rikthyer, deklarimit në ILDKPKI për vitin 2005 të shtetases Argita Malltezi, në lidhje me blerjen e vilës së mësipërme, shtetësja Argita Malltezi, sipas deklaratës deklaron:
Gjysëm vile në bregdet Gjiri i Lalzit 166 m2. Blerë në vitin 2003, pa regjistruar. Vlera 56,000 euro, konstatohet se:
nuk përputhet viti i blerjes i cili nga shtetësja Argita deklarohet si e blerë që në vitin 2003 ndërkohë që në kontratë është viti 2004. Për më tepër, në vitin 2005 konkretisht në muajin korrik 2005, shtetasi Dod Doçi ka lëshuar vërtetim sikur shtetasi Jamarbër Malltezi e ka paguar shumën prej 56 000 euro por nga statement bankar rezulton se një pagesë në shumën 19 620 USD është bërë në vitin 2006. Në deklaratën e dorëzuar më datë 30.03.2007 nuk rezulton që shtetësja Argita Malltezi ta ketë deklaruar këtë pagesë.
Nga aktet rezulton se, kjo pasuri është regjistruar fillimisht më datë 18.04.2013 në emër të shoq Lura sh.p.k. me nr pas 171/65+ND+1-1 vol 8 faqa 240 si apartament me sip 85 m2; më datë 28.04.2013 është regjistruar si pas me nr 171/65 ND+1-1 vol 8 faqa 24, me sip totale 85 m2, apartament por me shënim në rubrikën e veçantë: Dubleks, kati përdhe 85 m2 dhe kati i parë 81 m2. Në seksion D është shënimi se trualli është shtet.
Me kontratën nr. 167 Rep nr. 80 kol datë 29.04.2013, rezulton se shoqëria Lura sh.p.k. përfaqësuar nga Esmeralda Doçi, i ka shitur shtetasve Jamarbër dhe Argita Malltezi, përfaqësuar këta dy të fundit nga Agim Ramaj (sipas prokurës me nr 363 rep nr 154 kol datë 17.04.2013 lëshuar nga shtetasit Malltezi për t’u marrë me pasurinë e tyre të ndodhur në Lalëz, me shoqërinë ndërtuese Lura sh.p.k. përfshirë edhe legalizimin e shtesës etj), një pasuri të paluajtshme, apartament tip dubleks, me ur pas 171/65-ND+1-1 vol 8 faqa 241 e ndodhur në ZK 2375 me sip: kati përdhe 85 m2 dhe kati i parë 81 m2. Palët bien dakord që çmimi i shitblerjes të jetë 50 000 euro dhe pagesa është kryer jashtë kësaj zyre noteriale. Po më datë 29.04.2013, pra ditën që është bërë kontrata e shitblerjes pasuria e mësipërme regjistrohet në emër të shtetasve Malltezi.
Shtetasi Agim Ramaj i pyetur në lidhje me kontratën me nr 167 rep nr 80 kol datë 29.04.2013 deklaron se, objekti për të cilën po pyetej lidhet me vilën që ndodhet tek Gjiri i Lalzit, ishte për dy familje, ku njërën e mori mbesa e tij ndërsa tjetrën e mbajti vetë shtetasi Agim Ramaj. Në kohën kur vila po ndërtohej, gjysma u prenotua nga Agimi dhe gjysma nga mbesa e tij Argita.
413. Ndërkohë, përgjatë viteve rezulton se shtetasi Sali Berisha, ka nënshkruar akte që lidhen me ndërtimet që kryhen nga shoqëria Lura sh.p.k. pikërisht në vendin e quajtur Gjiri i Lalzit. Me vendimin nr 16 datë 13.01.2009 të KRRTRSH-së, nënshkruar nga shtetasi Sali Berisha, është vendosur të miratohet ndryshimi i studimit urbanistik dhe sheshit të ndërtimit me sip 12 ha për fshat turistik në parcelën nr 5 në zonën turistike të Gjirit të Lalzit për shoqërinë Lura. Konstatohet se ky vendim është nënshkruar edhe nga sekretari i KRRTRSH shtetasi Marin Biçoku.
Me vendimin nr 7 datë 01.06.2012 të Këshillit Kombëtar të Territorit, nënshkruar nga shtetasi Sali Berisha është vendosur të miratohet studimi urbanistik pjesor për zonë hoteleri dhe rezidenca me sip 6 ha, në parcelën 9 A, pjesë e studimit urbanistik për zonën turistike të Gjirit të Lalzit, me investitor shoq Lura sh.p.k. Konstatohet se, me Vendimin nr 14 datë 10.05.2013, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen zhvillimore komplekse për ndërtimin e resortit turistik në parcelën 9 dhe 9 D. me sip 6.08 ha, për shoqërinë Lura sh.p.k., komuna Ishëm, qarku Durrës. Ky vendim rezulton i nënshkruar nga Kryetari i KKT-së, shtetasi Sali Berisha.
414. Në vitet 2012 dhe 2013 nga shtetasit Malltezi konstatohet se kryhen rikonstruksione dhe shtesa në ndërtim. Kështu referuar deklaratës për periudhën e vitit 2012, shtetasi Jamarbër Malltezi deklaron një shpenzim që lidhet me rikonstruksionin e vilës së mësipërme. Konkretisht ai deklaron: Rikonstruksion shtëpie në Gjirin e Lalëzit-51 000 euro. Nga të dhënat e llogarive bankare, rezulton se, nga llogaria bankare në bankën Credins Bank 00000204471 në euro, më datë 09.11.2012, është bërë pagesa për përfituesin Agim Ramaj me përshkrimin “Pagesë për shërbime rikonstruksion shtëpie”.
Shtetasi Agim Ramaj, është vëllai i shtetases Liri Berisha, e në këtë mënyrë daja i shtetases Argita. Ai është administrator dhe aksioner i vetëm i shoqërisë “Martini” sh.p.k. me nipt J61918015U, me datë regjistrimi 02.02.1996, me objekt të të aktivitetit “Prodhimi dhe zbatimi I fasadave të vazhduara apo te sistemeve të ndryshme të fasadave, dyerve, dritareve, vetratave, kangjellave, paneleve sandëich, paneleve të drurit apo produkteve të ndryshme në fushën e aluminit, të celikut dhe të xhamit, për punime të brendshme dhe të jashtme, të aksesoreve të tyre, etj. Supervizimi i punimeve të kryera nga firma të tjera… etj. Tregëtimi, shitje-blerje e materialeve, produkteve të gatshme apo gjysëm të gatshme, sistemeve apo te profileve të aluminit, aksesorëve dhe profileve për fasada, dyer, dritare, kangjella, etj. Transporti i mallrave me mjetet e vet të transportit. Import eksport të shërbimeve të ndryshme në fushën e tregetisë së aluminit.etj…..”
Për vitin 2013, shtetasi Jamarbër Malltezi, ka deklaruar Pagesë e pjesshme për shtesë dhe rikonstruksion shtëpie në Gjirin e Lalzit nga llogaria në Procredit 5 000 000 lekë (në bashkëpronësi). Nga llogaritë bankare rezulton se më datë 04.02.2013 në Bankën Procredit me numër 128486540001 monedha Lekë, është transferuar nga shtetasi Jamarbër Malltezi, shuma prej 5,000,000 lekë për tek subjekti Martini sh.p.k.
Për vitin 2013 shtetësja Argita Malltezi, deklaron: “Pagese e pjesshme per shtese dhe rikonstruksion vile Gjiri Lalzit (paguar nga llog euro Intesa Sanpaolo)-45,000 euro-Fatura nr. 2 dt. 03.02.2013 Martini shpk.. Çertifikate pronesie 468 m2 nga e cila 163 m2 eshte trualli per ndertimin e shtepise.” Më datë 18.02.2013 në Bankën Intesa Sanpaolo 41027535102 euro, nga llogaria e shtetases Argita Malltezi, është bërë debitimi outëard transfer overseas txn check, 45,000 euro por pa përshkrim përfituesi. Nga shpjegimet në ILDKPI ka qënë likujdim fatura nr.2 datë 03.02.2013 Martini sh.p.k. Pra, deri në vitin 2013, referuar vetëdeklarimeve rezulton se janë kryer shpenzime për rikonstruksion në vlerën 96 000 euro dhe 5 000 000 lekë të gjitha të dhëna shtetasit Agim Ramaj ose firmës së tij Martini sh.p.k. Shoqëria Martini sh.p.k. në muajin shkurt 2013 deklaron shitje me vlerën 12,986,195 lekë në faturën me numër serie 3804968 me përshkrimin në emrin e blerësit “Privat”. Nuk konstatohen shitje të tjera për shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Argita Malltezi nga verifikimi i librave të shitjeve të shoqërinë Martini sh.p.k. me nipt J61918015U.
Gjithashtu konstatohet nga të dhënat e administruara se rikonstruksioni dhe shtesa kanë sjellë në vijimësi edhe legalizimin dhe blerjes e tokës. Për vitin 2013, shtetasit Malltezi, kanë deklaruar në ILDKPKI “Pagesa per legalizimin e viles dhe blerjen e tokes (nga llog b/shortit)-922,425 lek.” Për vitin 2013 shtetasi Jamarbër Malltezi tek të dhënat konfidenciale ka deklaruar. Shpenzime për blerje toke dhe rikonstruksion shtëpie në Gjirin e Lalzit, çertifikatë pronësie 468 m2 tokë nga e cila 163 m2 truall i shtëpisë. Në deklaratën e dorëzuar më datë 07.10.2021, shtetësja Argita Malltezi, deklaron: Gjysmë vile në kompleksin Lura, Lalëz, blerë në 2004, më pas rikonstruktuar. Sipas çertifikatës nr. 667592 datë 23.05.2013 nr pas 171/86-ND.
Ndërtesa është blerë sipas kontratës së shitblerjes me nr rep 167 nr kol 80 datë 29.04.2013 ndërsa trualli është blerë nga ALUIZNI sipas kontratës së shitjes me nr. Rep 3547 dhe kol 1426 datë 04.05.2013. Vlera sipas kontratës së blerjes në shumën 50 000 euro por janë bërë pagesa për punime shtesë me mandat pagese. Në lidhje me vlerën deklaron: Godina 50 000 euro + toka 908 176 lekë Nuk deklaron pagesa të kryera për punime shtesë se sa janë ato, Në deklaratën e dorëzuar më datë 24.11.2022, shtetësja Argita Malltezi deklaron: Pasuri e paluajtshme, truall ndërtesë, datë regj 16.05.2013, bashkëpronare, vlera 8 788 496 lekë, nr pas 171/86-ND, ZK 9, vol 36, sip 632.10 m2, me sip totale truall+ndertese me sip totale 468.8 m2 truall dhe 163.3 ndërtesë, Lalëz.
Siç mund të shihet pasuria e deklaruar më datë 24.11.2022 nuk përputhet as në datë, as në vlerë me pasuritë e deklaruara më parë në Gjirin e Lalzit. Nga deklarimi i bërë më datë 07.10.2021, megjithëse në deklarimet më përpara nuk rezulton, shfaqet edhe blerja e një ndërtese që nga mënyra se si është deklaruar, krijohet përshtypja se i referohet ndërtesës së vjetër. Ky është i vetmi moment ku është përmendur kontrata me nr 167 rep nr 80 kol datë 29.04.2013. Në deklaratën e vitit 2013 flitet për rikonstruksion dhe punime shtesë. Nga aktet e adminsitruara nga ASHK rezulton se për pasurinë me Nr. 171/70-ND dhe 171/72 e ndodhur në Lalëz Durrës, është lëshuar Leje legalizmi Nr. 99892 datë 07.05.2013 për objektin “Shtesë anësore 2 kate në objekt banimi 2 kate” i jepet Jamarbër Malltezit dhe Argita Malltezit, me adresë “Zonë e stimuluar “Lura” Lalëz, komuna Ishëm, Qarku Durrës. Objekti ndodhet në Z.K.2375, me numër pasurie 172/36, sipërfaqa e parcelës ndërtimore 468.8 m2, sipërfaqa e ndërtimit 78.3 m2, sipërfaqa totale e ndërtimit për banim 171.4 m2, numri i kateve 2 kate dhe verandë me sipërfaqe 107.62 m2.
Bashkalidhur është edhe kontrata e shitjes nr 3847 rep nr 1426 kol datë 04.05.2013, për kalimin e të drejtës së pronësisë së truallit me palë shitëse Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ ndërtimeve informale dhe palë blerëse shtetasit Jamarbër dhe Argita Malltezi, çmimi i blerjes së truallit është 868,9678 lekë, paguar në llogari të Aluiznit Drejtoria Tiranë 3 Janë regjistruar pasuritë 171/70-ND (ndërtesë) dhe trualli me numër pasurie 171/72 414.1. Me kontratën e shitjes nr 9847 rep nr 1426 kol datë 04.05.2013 rezulton se shitësi ALUIZNI i shet blerësve Argita dhe Jamarbër Malltezi truallin me sip 468.8 m2, me sip baze njësie 161.3 m2, ZK 2375 me nr pas 172/36. Blerësi ka paguar vlerën e shitjes së truallit në shumën 868 968 lekë, vlerën e taksës së ndikimit në infrastrukturë 25 144 lekë dhe vlera e tarifës së përditësimit të pronës 14 064 lekë. Leja e legalizimit është me nr 99892 datë 07.05.2013.
Në emër të shtetasve Jamarbër dhe Argita Malltezi regjistrohet më datë 10.05.2013, pasuria me nr 171/70-ND vol 9 faqa 19 ZK 2375, godinë me sip 78.3 m2 ku në përshkrimin e veçantë pasqyrohet shtesë pasurie, kati përdhe 78.3 m2, kati i parë 92.84 m2 dhe verandë 107.62 m2. Në emër të po këtyre shtetasve, regjistrohet më datë 10.05.2013, pasuria me nr 171/72 vol 9 faqa 18 ZK 2375, truall me sip 468.8 m2. 414.2. Me deklaratën noteriale, nr 270 rep nr 148 kol datë 23.05.2013, deklaruesit Jamarbër dhe Argita Malltezi parashtorjnë se janë pronarë të këtyre pasurive: a) Tokë truall ZK 2375 nr pas 171/72 vol 9 faqa 18, me sip 468.8 m2; b) Apartament dublex ZK 2375 nr pas 171/65-ND+1-1, regj në vol 8 faqa 240 me sip 85 m2 c) Godinë 2 kat ndodhur në ZK 2375 nr pas 171/70-ND regjistruar në vol 9 faqa 19 me sip totale 78.3 m2. Të tre këto pasuri kërkojnë t’ i bashkojnë, Sa më sipër u identifikua si Vila D 5.
415. Konstatohet se pjesë e vilës D 5 bëhet edhe një pasuri e shtetasit Agim Ramaj, vëllai i shtetases Liri Berisha. Me leje legalizimi nr 99891 datë 07.05.2013, rezulton se është arritur të lidhet me nr 3885 rep nr 1443 kol datë 07.05.2013 kontratë shitje mes ALUIZNI-t dhe shtetasit Agim Ramaj. Konkretisht ky shtetas ka blerë truallin prej 924.2 m2, sip e bazës 157 m2 ZK 2375 nr pas 172/71, kundrejt çmimit 1 713 098 lekë dhe tarifë aplikimi 2 500 lekë dhe vlera e tarifës së përditësimit 27 726 lekë. Më datë 10.05.2013 regjistrohet në pronësi të shtetasve Agim dhe Miranda Ramaj pas me nr 171/73 ZK 2375 vol 9 faqa 20, truall me sip 924.2 m2 dhe pasuria me nr 171-74-ND vol 3 faqa 21. ndërtesë me sip 80.72 m2 me përshkrimin e veçantë: shtesë anësore 2 kt, kati përdhe 80.72 m2, kati i parë 111.84 m2 dhe verandë 106+5 m2.
416. Nga kqyrja e pjesshme e kompjuterit e markës HP, me ngjyrë gri, me Product ID “Y7Z98EA#ABB”, mbrapa së cilës është ngjitur një letër barcode me Nr “40001650”, në përdorim të shtetases Odeta Fishta, e punësuar pranë Studio Pustina, i sekuestruar më datë 28.04.2023 evidentohet ndër të tjera: Dokument në format word me emërtimin “Rakordim_Eralda_08.02.2022”, i cili ka përmbajtjen si vijon: “Pikat per diskutim (pika 5)…. 5. Martini 100k eshte perfshire edhe kjo ne marredhenien Kontakt-Homeplan, Martini fillimisht ia ka faturuar Kontaktit, me pas Kontakti-Homeplanit, por realisht ka qene kosto e Abit dhe i takon vetem ketij. Per diskutim si do trajtohet” Kjo shifër siç mund të konstatohet, përputhet në një pjesë, me shpenzime te kryera për vilat në Lalëz. Nga aktet rezulton se subjekti Martini sh.p.k. ka deklaruar vetëm faturën nr 3804968 në vlerën 03.02.2013 për privat në vlerën 12 986 195 lekë, ndërkohë që në vitin 2013 evidentohet se atij i janë bërë pagesa nga shtetasit Malltezi në vlerën 45 000 euro dhe 5 000 000 lekë.
Nga kqyrja e librave të shitjeve dhe blerjeve, rezulton që shoqëria “Martini” sh.p.k. ka marrëdhënie tregëtare me shoqërinë “Kontakt” me nipt 192108006V. Konkretisht ajo ka lëshuar fatura shitje për shoqërinë “Kontakt” për periudhën 27.09.2010- 13.06.2012, në shumën 64 702 014.1 lekë (nga numri 18 me nr serial 36229541 deri në nr 19 me nr serial 83891000). (Për vitin 2010 Kontakti është faturuar në vlerën 6 506 803.2 lekë; Për vitin 2011 Kontakti është faturuar në vlerën 21 941 146 lekë; Për vitin 2012 Kontakti është faturuar në vlerën 36 254 064.9 lekë.) Përsa më sipër, konstatohet se shtetasi Jamarbër Malltezi ka shfrytëzuar paratë e shoqërisë Homeplan sh.p.k. për të kryer pagesa për interesa të tij, në pasuritë e ndodhura në vendin e quajtur Gjiri i Lalzit.
417. Gjithashtu, ndërkohë që bëhen pagesa për rikonstruksione apo shtesa, rezulton se në vitin 2015, shtetësja Argita Malltezi ka deklaruar Blerje apt 50 m2 Gjiri i Lalzit (pagesa e kryer nga llog bashkeshortit)-25,220 euro. Kontrate ne 1040 rep nr 572/1 kol dt 30.05.2013. Në fakt, ky numër kontrate, i referohet në deklarimin e shtetasit Jamarbër Malltezit, përfitimit të një dyqani në kompleksin Magnet si palë pronare dhe kontratë premtim shitje e dyqanit. Në lidhje me këtë apartament, më datë 21.05.2015 (me nr. 2704 prot datë 21.05.2015) shtetësja Argita Malltezi, i është drejtuar ILDKPKI-së, duke pretenduar se, apartamenti është blerë tërësisht nga bashkëshorti por ajo mësoi se ZVRPP kishte regjistruar edhe emrin e saj edhe prandaj bashkalidh disa dokumenta.
Rezulton se, është lidhur një kontratë shitblerje nr. 738 rep nr. 316 kol datë 28.08.2013 ndërmjet shitësit shoqëria Lura sh.p.k. përfaqësuar nga Esmeralda Doci dhe Jamarbër Malltezi për shitjen e pasurisë së paluajtshme, apartament me nr pas 172/113-ND +2-3 vol 7 faqa 137 ZK 2375 me sip ap 50.68 m2 sip ballkoni 5.58 m2, sip shkalle 10.11 m2, me sip totale 66.37 m2. Palët bien dakord që çmimi i shitblerjes së pasurisë është 25 220 euro, pagesa është kryer jashtë zyrës noteriale.
Në bankat e nivelit të dytë, është evidentuar pagesë për shoqërinë Lura sh.p.k. në datën 29/08/2013 nga Jamarbër Malltezi në shumën 25,220 euro në llogarinë numër 815451-EUR- 3824000000-01-022. 1 korrespondon shumës së përcaktuar në kontratën e shitjes me nr. 738 rep nr. 316 kol datë 28.08.2013, të pasurisë me nr. 172/113-ND +2-3 vol 7 faqa 137 ZK 2375. E pyetur më datë 31.07.2024 shtetësja Esmeralda Doçi, ka deklaruar se, kontrata e dytë me shtetasit Malltezi është kontratë shitje e lidhur në vitin 2013 për një apartament rreth 50 m2 në kompleksin Lura 1. objekt i emërtuar nga shoqëria Lura sh.p.k. me nr A 15, me palë Lura sh.p.k. si shitës dhhe palë blerëse shtetasin Jamarbër Malltezi. Likujdimi është bërë me bankë.
Per vitin 2015, deklarohet nga shtetësja Argita Malltezi shitja e kësaj pasurie. Nga aktet rezulton se me kontratën me nr. 260 rep nr. 229 koi datë 24.07.2015 para noteres Sonila Bejtja, shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Argita Malltezi i shesin shtetases Florida Xhixha, pasurinë e llojit apartament, nr. 172/113-ND2-3 vol 7 faqa 137 ZK 2375 me sip ap 50.68 m2, sip ballkoni 5.58 m2 sip shkalle 10.11 m2 me adresë Lalëz, Durrës, në vlerën 50 000 euro. Nga kqyrja e llogarive bankare rezulton se më datë 10.08.2015 nga noterja i është kaluar në llogarinë Raiffeisen Bank me numër 815451-EUR-3824000000-01-022, shtetasit Jamarber Malltezi shuma prej 50 000 euro.
418. Me kontratën e sipërmarrjes nr. 339 rep nr. 96 kol datë 27.04.2015, ndërmjet palëve shoqëria Lura me cilësinë e sipërmarrësit dhe Jamarbër Malltezi në cilësinë e Porositësit, është rënë dakord që sipërmarrësi do të ndërtojë një vilë, vila nr. 2 e vendosur në kompleksin turistik Lura 3, Parcela 9 dhe 9 D. Kati përdhe, me sip ap. 85 m2 dhe sip verande 19.28 m2. Kati i parë me sip ap. 90.44, me sip tarracë 90.44 m2, me sip trualli 177.88 m2. Sipërfaqa totale e ndërtimit të vilës është 194.72 m2. Çmimi total i vilës do të jetë 155 000 euro.
Nga verifikimi i të dhënave nga bankat e nivelit të dytë, në bankën Intesa Sanpaolo me numër 40201838001 euro e shtetasit Jamarbër Malltezi, ka pagesa shumash monetare: Më datë 29.04.2015 nga Jamarbër Malltezi te “Lura” shpk, me përshkrim blerje pasurie të patundshme, blerje vile sipas kontratës nr. 339 rep. Nr. 96 kol. Dr. 27.04.2015, shuma 50,000 euro Më di 25.06.2015 nga Jamarbër Malltezi te “Lura” shpk, me përshkrim likujdim kësti 2, blerje vile sipas kontratës nr 339 rep nr 96 kol dt 27.04.2015, shuma 50,000 euro. Më datë 25.06.2015 nga Jamarbër Malltezi te “Lura” shpk, me përshkrim tarife mirëmbajtje për sherbime në resortin turistik Lura në Lalez, 240 euro.
Nga verifikimi i të dhënave nga bankat e nivelit të dytë, në bankën Union me numër llogarie 113398964650127 euro e shtetasit Jamarbër Malltezi, ka pagesë shume monetare më datë 08.07.2021 shuma 55,000 euro me përshkrim Jamarbër Malltezi për Lura sh.pk, paguar kësti i fundit sipas kontratës sip. Nr. Rep. 339 nr. Kol. 6 dt. 27.04.2015.
Në Deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI për vitin 2015, nuk rezulton që shtetësja Argita Malltezi, të ketë deklaruar porositjen, blerjen e kësaj vile. Më datë 15.07.2019 në emër të shoq Lura sh.p.k. regjistrohet pas me nr 172/277 vol 14 faqa 77 ZK 2375 me sip trualli 187.70 m2 dhe ndërtesë 76.23 m2. Në përshkrimin e veçantë është bërë shënimi Dublex kati përdhe 76.23 m2, kati i parë 76.22 m2 dhe verandë 22.73 m2. Vetëm në vitin 2021, shtetësja Argita Malltezi, deklaron se, ka blerë edhe Ndërtesë banimi në kompleksin Lura 3, Lalëz, blerë nëpërmjet kontratës së shitjes nr 1091 rep nr 392 kol datë 13.07.2021, sipas certifikatës së regj të pronësisë me nr pas 172/277.
Prona është blerë me fonde të bashkëshortit = 155 000 euro. Për vitin 2021, deklaron: Pasuri e paluajtshme, truall ndërtesë, datë regj 04.08.2021, bashkëpronare, vlera 155 000 euro, nr pas 172/277, ZK 2375, vol 14 faqa 77, Durrës, sip 263.93 m2, përshkrimi: Truall + ndërtesë me sip totale 187.7 m2 truall dhe 76.23 m2 ndërtesë. Prona është blerë me fonde të bashkëshortit. Kontratë shitje nr 1091 rep nr. 392 kol datë 13.07.2021. Bashkëlidhur kësaj kontrate është edhe Vendimi Nr. 14 dt 10.05.2013 i Këshillit Kombëtar të Territorit, Leje Zhvillimore Komplekse për Ndërtimin e Resortit Turistik në Parcelën 9 dhe 9D, me sipërfaqe 6.08 Ha Komuna Ishëm, Qarku Durrës, Nënshkruar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit-Sali Berisha. Si edhe Leje Zhvillimore Komplekse me Nr prot 4260, dt 24.09.2014, bazuar në vendimin e KKT nr. 14 dt 10.05.2013 jepet leja zhvillimore e mësipërme, nënshkruar nga ministri Eglantina Gjermeni.
Me kontratën me nr. 1091 rep nr. 392 kol datë 13.07.2021 para noteres Rozeta Kuka, shoqëria Lura, në cilësinë e shitësit dhe Jamarbër Malltezi në cilësinë e blerësit, nënshkruajnë kontratën e shitjes së pasurisë pasurisë së paluajtshme, një truall dhe vilë (apartament dublex) i vendosur mbi këtë truall me nr pasurie 172/277 ZK 2375 vol 14 faqa 77 me sip trualli 187.7 m2, me sip ndërtimi 76.23 m2 e ndarë në a) kati përdhe me sip 76.23 m2 kati i parë më sip 76.22 m2 si dhe verandë me sip 22.73 m2. Palët bien dakort që çmimi i shitblerjes është 155 000 euro, shumë e cila është likujduar sipas kontratës së sipërmarrjes ne. 339 rep nr. 96 kol datë 27.04.2015.
Me aneks kontratën nr. 1109 rep nr. 401 kol datë 14.07.2021 (Deklaratë noteriale) për disa ndryshime të kontratës nr. 1091 rep nr. 392/3 kol datë 13.07.2021, të lidhur ndërmjet shoqërisë Lura sh.p.k. dhe Jamarbër Malltezi, është rënë dakort që, në lidhje me kontratën nr. 1091 rep nr. 392/3 kol datë 13.07.2021 të bëhen ndryshime e konkretisht: Në nenin 2 Çmimi i kontratës dhe mënyra e pagesës të shtohet pika 2.2 si vijon: 2.2. Palët bien dakord që çmimi i shitblerjes së pasurisë që përbën objektin e kësaj kontrate është i ndarë në: Shuma prej 6783 euro i përkon me vlerën e truallit dhe shuma prej 148 262 euro i përkon vlerës së ndërtesës. Në dokumentat bashkëlidhur kontratës, pagesë tjetër e dokumentuar me Union Bank ku Jamarbër Malltezi më datë 08.07.2021 derdh shumën prej 55 000 euro. Nga verifikimi i të dhënave nga bankat e nivelit të dytë, në bankën Union me numër llogarie 113398964650127 euro, ka pagesë shume monetare më datë 08.07.2021 shuma 55,000 euro me përshkrim Jamarbër Malltezi për Lura sh.p.k., paguar kësti i fundit sipas kontratës sip. Nr. Rep. 339 nr. Kol. 6 dt. 27.04.2015.
Siç mund të konstatohet, kjo shumë është paguar vetëm pas nisjes së hetimeve dhe pa ndonjë logjikë të pagesës së saj 6 vite më vonë. Në kontratën e shitjes për më tepër, kanë cituar se shuma ishte likujduar sipas kontratës së sipërmarrjes. E pyetur më datë 31.07.2024 shtetësja Esmeralda Doçi ka deklaruar se, kjo vilë ndodhet në kompleksin Lura 3 dhe është e organizuar në dy kate. Në dijeninë e saj, kjo vilë është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme. Në lidhje me transaksionet bankare, kujton se janë kryer tre pagesa, në vlerë nga 50 000 euro, dy herë dhe një pagesë 55 000 euro. Nga momenti i lidhjes së kontratës së sipërmarrjes, për rreth dy-tre vite ka përfunduar objekti. Në dijeninë e saj, pas përfundimit të objektit, Jamarbëri nuk ka jetuar asnjëherë në këtë objekt por e ka dhënë me qera. Nuk di të thotë përse pagesa e fundit është bërë kaq vonë.
Gjithashtu nga kqyrja e realizuar pranë shoqërisë Lura sh.p.k. është gjetur një dokument, për klientin Jamarbër Malltezi me datë 06.07.2017, vila B2 individuale, ku paraqiten punime shtesë për t’u kryer në vilë në vlerën 16 070 euro, nga shoqëria Lura sh.p.k. Duke qenë se sipas këtij dokumenti, një pjesë e punimeve janë kryer nga vetë klienti, në vlerën totale prej 15 709 euro, rezulton se klienti Jamarbër Malltezi duhet t’i paguante 316 euro shoqërisë Lura sh.p.k. Shtetësja Esmeralda Doçi e pyetur për këtë moment, ka deklaruar se, në vilën B2, shtetasi Jamarbër i ka kërkuar për të bërë disa punime shtesë me qëllim për ta bërë më të mirë për veten e tij.
Kanë bërë një preventiv për kryerje punimesh të cilat do të konkludonin në prishje muresh, ngritje më pas në lartësi të mureve të reja rreth 50 cm, ndërtim rrugice përpara shtëpisë, shkallë dalje në tarrace, shtrime me pllaka, veshje me pllakë, hidraulike elektrike. dyer të brendshme e të jashtme, grila, dritare etj. Nga ana e Jamarbërit është kërkuar që shoqëria Lura sh.p.k. të bënte një pjesë të punimeve, të cilat përshkruhen në preventiv dhe janë në vlerë 10 070 euro.
Pjesën tjetër të punimeve që ishin shtrime me plaka, veshje me pllakë, hidraulike elektrike, dryer të rendshme e të jashtme, grila, dritare etj ka kërkuar t’i bënte vetë. Këto punime janë bërë nga ana e një kompanie që ai ka gjetur vetë por janë ndjekur nga ai dhe Agim Ramaj. Është bërë rezultati i punimeve në vlerë dhe ka pasur për të paguar 316 euro të cilat Esmeralda i ka thënë mos i paguajë. Kjo shumë nuk është arkëtuar. Pra nga vlera totale 155 000 uro, ai ka kërkuar punime shtesë që kapnin vlerën 16 070 euro. Duke qenë se pjesën hidraulike, elektrike dhe pllaka etj kërkoi t’i bënte vetë që shkonin në vlerën 15 709 euro, kjo shumë i është zbritur punimeve shtesë.