E frikshme me kë ndajmë rrugën! Vetëm 13,8% e të rìtestuarve morën patentën pas humbjes së të gjitha pikëve

Vetëm një pjesë e vogël e drejtuesve të automjeteve që kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit arrijnë të kalojnë me sukses testimin për rimarrjen e patentës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi njohuritë e tyre për rregullat e qarkullimit rrugor.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar rezultatet e sesionit të fundit të ritestimit, ku nga 50 kandidatë të riregjistruar, vetëm 7 kanë arritur të kalojnë me sukses provimin.

Edhe më shqetësuese janë të dhënat e grumbulluara që prej qershorit të vitit 2022, kur nisi fushata e ritestimit të drejtuesve që kishin humbur pikët e patentës.

Nga 3.859 riregjistrime, rezultojnë vetëm 533 raste të rimarrjes së lejes së drejtimit, ose 13,8% e totalit.

Shifrat evidentojnë një nivel të ulët kalueshmërie mes drejtuesve që kanë qenë më parë të pajisur me patentë dhe kanë qarkulluar me automjete në rrugët e vendit.

Ndryshe nga kandidatët që aplikojnë për herë të parë për leje drejtimi, bëhet fjalë për persona që kanë pasur eksperiencë në drejtimin e automjeteve, por që kanë humbur pikët për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit.

DPSHTRR u bën thirrje kandidatëve që të përgatiten përmes platformës zyrtare të simulimit online dhe aplikacioneve për telefonat celularë, përpara se t’i nënshtrohen ritestimit.