Bruna Cavalli është 31-vjeçarja me origjinë shqiptare e cila vdiq të shtunën në mbrëmje pasi u përplas nga një makinë teksa po ecte buzë autostradës 16 në Rimini, Itali.
Mbrëmjen e së shtunës ajo ishte në shoqërinë e një mikeshe 21-vjeçare me kombësi indiane, e cila u plagos rëndë dhe u shtrua në spital në Cesena. Aksidenti ndodhi në orën 21:30 kur dy vajzat që ecnin përgjatë një rruge të ndriçuar keq u përplasën nga një Volkswagen Tiguan, i drejtuar nga një burrë.
Bruna vdiq menjëherë në vendngjarje, ndërsa shoqja e saj u dërgua në spitalin ‘Bufalini’ në Cesena pasi ka pësuar disa trauma. 21-vjeçarja me kombësi indiane do të intervistohet në orët në vijim nga efektivët e policisë rrugore , të cilët ndërhynë në vendngjarje mbrëmjen e së shtunës së bashku me punonjësit e shëndetësisë. Dëshmia e saj do të jetë thelbësore për të rindërtuar dinamikën dhe për të sqaruar rrethanat e aksidentit pasi në asfalt nuk ka shenja frenimi dhe rruga nuk është e ndriçuar mirë.
Familja e Brunës është shkatërruar. E lindur në Shqipëri, ajo u birësua si fëmijë nga një çift që jeton në një qytet pranë Rimini. Bruna kishte kohë që jetonte në Rimini. Ajo punoi për vite si kamariere në tavernën La Chiacchera. Pronari i saj i pikëlluar nga ngjarja thotë:
Një vajzë shumë e mirë. Mësuam për tragjedinë dje në mëngjes, ende e kemi të vështirë të besojmë se nuk do ta shohim më Brunën.
Ndërkohë kolegët thonë se Bruna ishte plot jetë, e sjellshme dhe e disponueshme për të gjithë.